Vasili: LSI sot beson më shumë se dje, se do të jetë pa asnjë diskutim forcë e parë politike

581
Një ditë pas nënshkrimit të marrëveshjes mes PS e PD, kryetari i LSI, Petrit Vasili, dha mendimin e tij për çështjen para gazetarëve
Ai tashmë ndodhet në krye të LSI që nga momenti kur lideri historik i saj, Ilir Meta, u zgjodh President i vendit. Marrëveshjen e firmosur nga liderët e partive të mëdha në vend PD dhe PS e ka konsideruar të nevojshme dhe jetike për të nxjerrë vendin nga kriza 90 ditore. Ndërsa ishte i detyruar që në emër të partisë së tij të jepte mendimin në një konferencë për shtyp, lidhur mbi qëndrimin e LSI dhe pozicioni e saj përballë kësaj gjendje të krijuar. Petrit Vasili nga kjo marrëveshje i duhet të lërë edhe postin e Ministrit të Drejtësisë të cilin e mori pas largimit nga qeveria të ish –ministrit Ylli Manjani në fillim të këtij viti. “Sot jemi një ditë pas arritjes së marrëveshjes politike. Një marrëveshje, që ka sjellë më shumë qetësi për vendin, por ka siguruar edhe pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhjet e 25 qershorit. Dihet botërisht që LSI bëri çdo gjë dhe ofroi gjithçka që kjo krizë absurde të zgjidhej dhe do të evitohej katastrofa dhe qorrsokaku shumë i rrezikshëm, ku do të hynte vendi nëse do të bëheshin zgjedhje të njëanshme dhe pa pjesëmarrjen e opozitës. Pavarësisht tejzgjatjes tërësisht artificiale të zgjidhjes së kësaj krize është e rëndësishme që ne më së fundmi do të kemi zgjedhje gjithëpërfshirëse dhe rreziku i kaosit dhe i pasigurisë u evitua. Tashmë do të kemi zgjedhje më 25 qershor, kjo nuk diskutohet më. Tashmë vendimi dhe vlerësimi është tërësisht në duart e qytetarëve dhe këtë vendim suprem do ta marrin vetëm ata, duke vlerësuar qartë dhe prerë gjithçka ka bërë dhe çdo kontribut që ka dhënë çdo forcë politike në këtë moment delikat për vendin”, tha Vasili në fjalën e tij.

Ai foli edhe për një garë gjithëpërfshirëse për të cilën sipas tij, LSI ka punuar fort që një gjë e tillë të ndodhte. “Sigurisht, me hyrjen e Partisë Demokratike do të kemi qartësisht një garë gjithëpërfshirëse dhe LSI ka punuar fort që kjo të ndodhë, në radhë të parë për të mirën e demokracisë, por edhe të legjitimitetit të institucioneve, por njëkohësisht edhe legjitimitetit të një gare, e cila do e kishte të cenuar atë në rast se do të kishim një pjesëmarrje të njëanshme. Sot pra qartësisht do të kemi një garë të barabartë, mes tre forcave kryesore politike dhe LSI sot beson akoma më shumë se dje, se do të jetë me bindje të plotë dhe pa asnjë diskutim forcë e parë politike, pasi ajo përfaqëson si askush tjetër në këtë vend një forcë politike konstruktive, me integritet, transparente dhe gjithëpërfshirëse. Cilësi themelore këto për të cilat ka nevojë më shumë se kurrë Shqipëria. Janë këto cilësi themelore të LSI-së që e motivojnë sot si asnjëherë më parë mijëra e mijëra të rinj anembanë vendit, që kanë qenë dhe janë edhe në sytë tuaj, si dhe mijëra burra e gra, që duan dhe e vlerësojnë lart konstruktivitetin, pozitivitetin dhe gjithëpërfshirjen e LSI-së, cilësi pra, e përsëris, shumë të vyera e për të cilat qytetarët kanë aq nevojë. Sigurisht, ne na vjen keq që u është mohuar e drejta e përfaqësimit dhe e pjesëmarrjes në koalicione sipas standardeve të Kodit Zgjedhor disa partive, që përbën një problem realisht lidhur me demokracinë e përfaqësimit dhe zgjedhjen e mënyrës së konkurrimit në mënyrë të pavarur të forcave politike. LSI, qartësisht nuk ka asnjë përgjegjësi politike për këtë gjë. Megjithëse kjo nuk e cenon absolutisht LSI-në, në asnjë pikëpamje dhe në asnjë koncept, megjithatë ajo ka mbështetur krijimin e hapësirave sa më të plota, sa më të gjera të përfaqësimit dhe zgjedhjeve në respekt të ligjit, të partive politike dhe përfaqësimit sa më të shëndoshë dhe real të tyre. Por, për fat të keq kjo gjë nuk ndodhi. Megjithatë, gara është përpara dhe kjo garë, sot, qartësisht, mua të parit, por edhe çdo anëtar të LSI-së, simpatizantë, mbështetës, votues që është bindur duke parë LSI-në të votojë LSI-në, që të realizojë objektivin e saj të padiskutueshëm, të patjetërsueshëm, pra objektiv unik, për të qenë forcë e parë në këtë vend. Pasi ky objektiv vjen nga një vetëdije e fortë e brendshme e jona, që ky rezultat dhe ky pozicionim i LSI-së në vendin e parë, do ta ndihmojë shumë vendin të jetë më i qetë. Do ta ndihmojë politikën të jetë konstruktive dhe jo gjeneruese, prodhuese, ricikluese e krizave të njëpasnjëshme dhe do të ndihmojë e motivojë shqiptarët që vendi të jetë më i qetë, më pozitiv dhe më i dashur që ta ndërtojmë këtu të ardhmen dhe jo gjetkë”, u shpreh ai.

Numri një i LSI-së është i bindur se për të qenë forcë e parë në këto zgjedhje, partia e tij ka një sfidë të madhe para. “Gjithashtu, ky është një mision për të qenë forcë e parë, pasi vetëm nëpërmjet këtij rezultati ne ua japim shansin të gjithë shqiptarëve, të gjithë të rinjve për një punësim dhe arsim më të mirë, por gjithë shqiptarëve të tjerë, për një mirëqenie më të lartë në mënyrë që dita e qetë të jetë e tyre, ashtu sikurse sot është një ditë e qetë, por ne duam dhe po punojmë që të gjithë ditët e shqiptarëve të jenë ditë më të qeta”, tha ai. 
Sigal