Vasili: Kryeministri i antiintegrimit evropian sheh nga Lindja

631
Opozita kritikon qasjen e shefit të qeverisë, ndërsa Shqipëria pret hapjen e negociatave për anëtarësim 
Kryetari i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili, e cilësoi kryeministrin Rama si të orientuar nga Lindja dhe jo nga Brukseli. “Këta hipokritët e Rilindjes që u ‘shqyen’ për integrimin, ja nga sheh kryeministri i tyre. Le ta lexojnë, e ka thënë vetë ky kryeministri antiintegrim. E ka thënë kryeministri mu në mes të Brukselit për t’ia bërë karshillëkun tamam BE-së mu te dera e shtëpisë në dhjetor 2017. Ai nuk sheh nga Brukseli, por nga Lindja”, nënvizoi Vasili, ndërsa ripublikoi deklaratën e Ramës. Deputeti i LSI-së e cilësoi Ramën si “antibrukseli kryeministër”. “Gabohen kur thonë se s’ka rrugë apo alternativa të tjera, pasi Rusia dhe Kina, por edhe Islami radikal përbëjnë një shumëllojshmëri për secilin nga vendet tona. Rusia ofron një rrugë shumë të lehtë: Harroni shtetin e së drejtës, harroni institucionet dhe mbaje pushtetin sa më gjatë të mundesh. Dhe kjo nuk është një rrugë pa interes. Dhe kanë para që mund t’i hedhin. Dhe nuk është se ka ndodhur në Siberi, por në mes të Evropës, kur kryeministri u kërcënua me vdekje, dhe ka ndodhur në Malin e Zi, pra rreziku është i pranishëm”, ishin fjalët e Ramës. Më tej, kryeministri shtoi se edhe Kina ka se çfarë të ofrojë. “Por, është edhe një rrugë e tretë, Islami radikal. Në rajonin tonë ne jemi shum etnikë, shumë fetarë dhe shumëçka. Dhe me gjithë këtë shumëllojshmëri ne duam BE-në dhe do t’i duhet BE-së që të vrapojë dhe të na kapë, pasi në të kundërt do të kemi një martesë me kosto shumë më të lartë”, tha Rama.

Shqipëria shpreson të marrë hapjen e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian brenda gjysmës së parë të këtij viti. Ndërkohë, presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, foli dje për rolin e Bullgarisë si presidente e radhës së BE dhe perspektivën e Ballkanit Perëndimor. “Bullgaria ka bërë mirë kur e ka vënë Ballkanin Perëndimor si një prej pikë-rëndesave të presidencës. Vendet e Ballkanit Perëndimor meritojnë që të kenë një perspektivë për anëtarësim në BE. Kjo nuk do të ndodhë gjatë kohës sa jam unë president i Komisionit Evropian, por tani duhet të vihen piketat, ndërsa këto vende duhet të bëjnë reformat e duhura dhe ato sa më parë. Qeveria bullgare ka bërë disa hapa të rëndësishëm në këtë drejtim, sepse samiti i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Sofje me 17 maj do të jetë një prej zhvillimeve më të rëndësishme”, tha Juncker. Sipas tij, Bullgaria është shumë e përshtatshme për të ndërtuar ura drejt Ballkanit Perëndimor, sepse e njeh këtë rajon, e njeh kulturën, gjuhët dhe ka pasur edhe vetë një proces të suksesshëm të anëtarësimit në BE.
Sigal