Vasili: Kryeministri e asgjesoi ONM-në, SHBA e BE të flasin

101
Kreu i grupit parlamentar të LSI-së Petrit Vasili i është rikthyer edhe një herë akuzave ndaj qeverisë, e cila sipas tij nuk e do reformën në drejtësi. Vasili shprehet se një pjesë e kandidatëve nga shoqëria civile për Këshillin e Lartë të Prokurorisë nuk kanë marrë miratimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM). Por përpos kësaj deputeti i LSI-së thotë se, me urdhër të Kryeministrit Edi Rama, emrat e tyre kanë kaluar, duke shkelur kështu opinionin e ndërkombëtarëve. Për këtë arsye, Vasili i bën thirrje BE-së dhe SHBA-ve të ndërhyjnë sot, pasi nesër mund të jetë tepër vonë. “Kryeministri e asgjësoi ONM-në. BE dhe SHBA flisni sot, nesër është shumë vonë… Kryeministri shkatërroi përfundimisht reformën në drejtësi, duke asgjësuar edhe Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit (ONM). ONM ishte garancia ndërkombëtare e kushtetuese e reformës në drejtësi. ONM ka dhënë opinion negativ për disa kandidatë të shoqërisë civile, por mëkëmbësi i kryeministrit, sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit të Shqipërisë, i përbuz, nuk pyet fare dhe i konsideron normal”, u shpreh Vasili. Sipas tij, Edi Rama e përzuri përfundimisht edhe monitorimin ndërkombëtar nga reforma në drejtësi. “BE dhe SHBA garantuan shqiptarët se ONM do të ishte syri i tyre në reformën në drejtësi, ndaj i besuam dhe e vumë në Kushtetutë. ONM u asgjësua nga kryeministri, me qëllimin e vetëm që ai ka: kapjen e drejtësisë. Pra BE dhe SHBA nuk kanë më sy në zbatimin e paanshëm të reformës në drejtësi. Kujt t’i besojmë tani????”, nënvizon Vasili, duke iu referuar kandidaturave për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.