Vasili: Konsensusi nuk besoj se e rrëzon koalicionin

490
Kryetari i Grupit Parlamentar të LSI-së Petrit Vasili ka komentuar zhvillimet e një dite më parë. Sipas tij votimi me konsensus i reformës në drejtësi ka qenë një provë edhe për koalicionin qeverisës që sipas tij tashmë nuk ka arsye ndarjeje. “Konsensusi nuk besoj se e rrëzon koalicionin sepse konsensusi nuk është ndarje, por bashkim. Ne kemi votuar me 140 vota për reformën dhe besoj që kjo është një provë se si mund të sillesh në mënyrë të përgjegjshme larg llogarive të vogla” – tha Vasili.
Dje parlamenti shqiptar realizoi një votim unikal, qoftë në historinë e tij, por qoftë edhe në historinë e pluralizmit shqiptar. Një votim i cili u arrit dhe ishte produkt sinjifikativ i një konsensusi patriotik dhe historik. Një konsensus i cili i bashkoi shqiptarët, i bëri që të ndihen më të sigurtë në vendin e tyre. I bëri që të ndihen më mirë në një atdhe i cili drejtohet nga një politikë e cila demonstroi përgjegjshmërinë përpara një çështjeje madhore.

Sigurisht të gjithë sot janë më të qetë pasi projektuan një reformë për një shtet më të drejtë, për një shtet i cili prodhon barazi, i cili prodhon një qëndrim të barabartë ndaj gjithë qytetarëve përpara ligjit dhe prodhon atë paanshmëri e cila ka munguar, por e cila edhe i ka lodhur dhe mërzitur shqiptarët.
Edhe për politikën shqiptare nga sot është një ditë e re pasi ajo kaloi sprovën e çlirimit nga tabutë. Konsensusi nuk është tabu, por është një alternativë e madhe, është një nyje e re, një kuptim i ri i një Shqipërie që vërtet e ka sfidë të evropianizohet, një Shqipërie politike e cila di të bashkohet për çështje madhore dhe mësoi që duke u bashkuar për çështjet madhore, shqiptarët e besojnë më shumë politikën, por janë edhe më të qetë në atdheun e tyre.

Ndaj, nga sot edhe politika shqiptare nxjerr mësime të tjera për të kuptuar që të gjithë muret dhe të gjitha ndasitë e panevojshme, artificiale, dritëshkurtra të cilat e mbajnë në vend atdheun tonë të përbashkët, janë të padobishme, ndërsa parja në sy me njëri-tjetrin dhe vënia në tavolinë e gjerave parimore është gjithmonë një moment bashkimi. 

Gjithashtu është vendi që në mënyrë shumë të merituar të vlerësojmë rolin e pazëvendësueshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Europian në mënyrë të veçantë, por edhe gjithë komunitetit ndërkombëtar i cili e ka mbështetur këtë reformë. Kjo ka qenë një mbështetje e paçmueshme pasi në momentet e realizimit të këtij hapi dhe të këtij konsensusi patriotik dhe historik, në mënyrë tërësisht të natyrshme,roli i tyre, eksperienca e tyre, kultura politike që ata bien në Shqipëri si pasojë e kulturave të mëdha politike që kanë në vendet e tyre, e ndihmoi thelbësisht procesin e ndërtimit të një reforme në drejtësi të qartë, të paanshme, të pakapur dhe të ekuilibruar, pikërisht të asaj drejtësie që kemi menduar të ndërtojmë në këto 25 vjet, por që na ka munguar dhe që momenti për t’u ndarë me një drejtësi të tillë të pabesueshme dje erdhi dhe sot jemi në një moment të ri.

Natyrisht kemi hyrë në një fazë të re. Lëvizja Socialiste për Integrim, po me të njëjtin principalitet, po me të njëjtën vendosmëri dhe po me të njëjtin konstruktivitet do të shërbejë dhe do të jetë aktive në mënyrë të jashtëzakonshme edhe në procesin tepër të rëndësishëm, por edhe jo të lehtë të zbatimit në praktikë të saj.

Por besoj që këto qëndrime parimore, në vijimësi edhe këtë proces do ta ndihmojnë në mënyrë që edhe në praktikë të konsolidojë këtë sistem drejtësie që ne projektuam dje me këtë reformë madhore. Por besoj, pa e tepruar, dhe me një votim madhor i cili mësoi shumë politikës dhe u dha besoj dhe shumë mesazhe të munguara që shqiptarët do t’i dëshironin dhe që dje i panë të gjithë së bashku duke parë që më së fundi që kemi një atdhe për të cilin kemi përgjegjësi të përbashkët, mazhorancë dhe opozitë, cilado qofshin këto mazhoranca dhe opozita.

Z. Vasili ka opinione dhe analiza sipas të cilave konsensusi madhor siç ju thoni për Reformën në Drejtësi nuk do të arrihej pa ndërhyrjen e Ilir Metës, e ndani këtë opinion?

Në mënyrë të padiskutueshme, Kryetari i Parlamentit i cili në mënyrë institucionale, por edhe politike mori atë pozicion, dhe ju e njihni më së miri që ai ka bërë një deklaratë publike shumë të qartë kohë më parë, kur ka thënë se lidhur me çështjen e Reformës në Drejtësi, unë do të luaj dhe do të marrë një pozicion shumë aktiv si Kryetar i Parlamentit. Besoj që ishte një veprim shembullor se si çdo figurë institucionale duke vepruar në radhë të parë me patriotizëm dhe në radhë të dytë duke demonstruar se kur atdheun e duam më shumë se çdo gjë dhe çdo llogarie të vogël politike, mund të bëhen gjëra të mëdha dhe mund të arrihen dhe të tilla, jo vetëm konsensuse të këtij dimensioni, por edhe votime të tilla ku të 140 deputetët kanë dalë të lehtësuar nga salla e parlamentit dhe i kanë parë qytetarët në sy më të qetë se sa një ditë më parë. Kështu që natyrshëm Kryetari i Kuvendit bëri atë që bën një qytetar i mirë dhe një atdhetar i mirë.

Po ndërkohë ky konsensus a e ka rrëzuar koalicionin?

Konsensusi nuk besoj se rrëzon koalicionin sepse besoj se konsensusi nuk është një ditë ndarjeje, por është një ditë bashkimi.

Edhe për koalicionin PS – LSI a do të vazhdoni të jeni në të njëjtën qeveri?

Ne kemi votuar të 140 për reformën në drejtësi dhe ku të gjitha votat e përbashkëta të PS dhe LSI kanë qenë në atë sallë dhe besoj që edhe këtu ka një provë se si mund të sillesh në mënyrë të përgjegjshme në politikë jashtë çdo lloj llogarie të vogël.

Si e shpjegoni, që dje për shembull, kur foli Ilir Meta, Edi Rama iku nga parlamenti, dhe kur foli Edi Rama, Ilir Meta iku nga parlamenti?

Nuk i kam vënë re këto detaje dhe ju them sinqerisht se jam shumë i lumtur që më keni kursyer mua sepse edhe unë për arsye të negocimit në momente të caktuara kam lëvizur nga salla dhe në momentin kur z. Meta po fliste, dhe kur z. Rama. Besoj që nuk ka ndonjë shpjegim politik për këtë gjë, dhe sigurisht as për këtë nuk kam shpjegim ndonjë shpjegim politik.

Nuk ka plasaritje në koalicion, shkoni shumë mirë?

Besoj që sot komunikimi ynë sëbashku është për një çështje shumë më të madhe që qëndron mbi koalicionet, mbi politikën e ditës, pavarësisht nga dëshira juaj për të tërhequr politikën e ditës. Unë do ta përjetoj si të 3 milionë shqiptarët e tjerë, si një ditë të madhe ku për herë të parë edhe unë si politikan jam ndier shumë mirë që politika e vendit tim është e përgjegjshme dhe politika e vendit tim e do atdheun.

Po pse nuk u mbajt dhe një qëndrim nga LSI pas miratimit të draftit?

Ne e diskutuam në grupin tonë parlamentar, pra mbajtjen e një fjale në momentin e miratimi të Kushtetutës. Dhe mbasi gjykuam gjithçka që kishte ndodhur, vendimi qe unanim, që kur konsensusi flet, nuk ka pse flet LSI-ja.

Z. Vasili a do ta mbajë fjalën Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta, që pas miratimit të reformës do të japë dorëheqjen nga posti që mban?

E keni lexuar gabim, ose si duket edhe sepse ka qenë ditë shumë kongulsive nuk e keni ndjekur me kujdes z. Meta. Qëndrimi i tij ka qenë shumë i qartë. Një reformë e cila që miratohet në mënyrë të njëanshme me 94 vota do të kërkonte një qëndrim politik i cili ishte ai që ju citoni. Besoj që 140 votat e kanë edhe përgjigjen brenda për pyetjen tuaj.
Sigal