Vasili i përvishet Ramës: Ti je turist, ç’lidhje ke me këtë vend?

Kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së Petrit Vasili ka vënë alarmin për situatën në vend nga zjarret por edhe ngjarjet në bregdet, ku janë shënuar sërish viktima.

Në një status në “Facebook”, Vasili shkruan se kjo është vera më e rëndë për shqiptarët, duke e quajtur bilanc lufte. Ai sulmon kryeministrin Edi Rama, që e cilëson turist dhe e pyet se çfarë lidhjeje ka me vendin.

STATUSI I VASILIT
Flakë në kodrat e Ardenicës.
Një 13-vjeçar humb jetën duke u mbytur në Velipojë pak çaste më parë. Vera më e rëndë për shqiptarët.
Bilanc i rëndë lufte: tragjedia e të mbyturve në plazhet shqiptare nuk ka të sosur dhe zjarret po shkretojnë vendin dhe pasuritë e qytetarëve.
Të gjithë qytetarët janë në ankth dhe dëshpërim të thellë për vendin. Vetëm kryeministri është i qetë dhe i pashqetësuar hiç në romantizmin e tij veror dhe nuk shpenzon asnjë fjalë, as për qokë, e jo më për drejtim shteti.
S’na mbetet gjë tjetër veçse t’i urojmë pushime të mbara.
Ç’lidhje ka ai në fund të fundit me këtë vend? Turist është.
Iku dikur, erdhi, do iki prapë dhe hallet akoma më të mëdha do t’ua lerë shqiptarëve pa u zgjidhur asnjërën. Të tjerat… do t’i marrë me vete.