Vasili: Hetim të plotë për përgjimin e Tahirit

513
Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar për herë të parë për pajisjen e vogël përgjuese që u gjet në paradhomën e zyrës së ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Kryetari i grupit parlamentar të LSI, Petrit Vasili duke folur nga selia e partisë, tha se kjo ngjarje është tepër e rëndë dhe personat përgjegjës të nxirren para ligjit. “Bërja transparente e plotë, zbardhja e përgjegjësisë pa hezitim për këdo do të ishte përgjigjia më e mirë për këdo. Hetimi duht të zbulojë përgjegjësitë e gjithsecilit në një cështje të tillë kaq serioze pa dalluar kërkënd, qoftë ministër, zv/ministër etj, pavarësisht nga përkatësia politike që mund të ketë”, u shpreh kreu i grupit të LSI Petrit Vasili.
Komiteti Drejtues Kombëtar ka vendosur dje riorganizimin e partisë, ka vendosur edhe që në forumet qendrore të saj më të rëndësishme të ketë disa ndryshime. Endrit Braimllarin dhe Kejdi Mehmetaj do të jenë dy Nënkryetarët më të ri të Lëvizjes Socialiste për Integrimin.
Praktikisht dy kolegët tanë janë të rinj në moshë dhe në sytë e opinionit, por me një eksperiencë të spikatur, tepër të gjatë në politikë, duke qenë shembulli më i mirë i asaj politike, që fillohet me përulësi dhe me përkushtim dhe rritet dita ditës duke arritur dhe nivele tepër të rëndësishme politike dhe domethënëse siç është përfaqësimi në forumet më të larta të drejtimit politik të LSI-së.
Unë praktikisht i quajta kolegët tanë më të rinj, por mund t’i quaja edhe kolegët tanë njëkohësisht të vjetër, pasi kanë shumë vite në LSI, por janë njëlloj të motivuar pozitiv dhe shumë të dashur dhe për elektoratin, por edhe për bashkëmoshatarët e tyre, edhe për më të rinjtë që afrohen në LRI, duke dhënë shembullin e mendjehapjes dhe krijimit të mundësive më të mëdha të fuqive dhe pozitiviteteve të reja.
Në rast se ju keni pyetje apo keni interesim për çështje të tjera jemi të hapur dhe për këtë gjë.
Pyetje nga gazetarët 
Në lidhje me një takim ndërmjet kryetarëve të dy forcave kryesore politike në vend, z. Rama dhe z. Basha që mbahet pasditen e së hënës. Është njoftuar për diskutim lidhur me reformën në drejtësi. Çfarë prisni nga ky takim dhe a do të ishte mirë sikur të përfaqësohej edhe LSI-ja?
Pyetja e dytë, duke marrë shkasë edhe nga një propozim i partive të vogla sot në Kuvend lidhur me propozime për reformën zgjedhore, çfarë mendimi kemi ju si LSI dhe a keni ju propozime për të bërë në lidhje me këtë reformë?
Lidhur me takimin tashmë të bërë publik sigurisht në rrugë mediatike midis kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama dhe kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, mendimi dhe opinioni ynë është që në momentin e veçantë, delikat, final ku ka hyrë reforma në drejtësi, e cila besojmë dhe mendoj që kështu duhet të jetë, duhet të jetë kryetema e diskutimit që këta dy drejtues politik do të kenë. Sigurisht ky moment kërkon që të bëhen të gjitha përpjekjet e duhura dhe besoj që ky duhet të jetë një përpjekje tjetër dhe ne sigurisht e mirëpresim çdo sipërmarrje të këtij lloji apo çdo lloji tjetër të karakterit politik, që na çon drejtë miratimit sa më parë të kësaj reforme. Në momentin në të cilin ndodhet është goxha e vonuar dhe çdo rezultat i cili do të na çonte në një votim sa më të shpejtë të saj do të ishte i mirëpritur. Sigurisht pa cenuar në asnjë rast frymën e Komisionit të Venecias lidhur me këtë çështje, pa cenuar në asnjë rast reflektimet shumë të rëndësishme të OPDAT-it dhe EURALIUS, që kanë monitoruar dhe monitorojnë procesin në mënyrë të vazhdueshme, konstruktive dhe profesionale. Dhe natyrshëm takime të tilla të cilët ecin në këtë frymë për të miratuar një reformë që ka këtë frymë sigurisht janë të mirëpritura dhe ky është opinioni ynë për këtë çështje.
Lidhur me pyetjen tuaj të dytë që ka të bëj me një kërkesë të partive të tjera parlamentare dhe jo-parlamentare, unë nuk kam zanon dhe nuk do ta bëj që të flas për partitë të mëdha apo të vogla, çdo parti politike është një përfaqësuese për elektoratin që ajo përfaqëson në skemën politike shqiptare. Jam njohur me këto kërkesa, pasi këto u bënë të ditura në një takim që një përfaqësi e këtyre partive pati me Kryetarin e Kuvendit, z. Ilir Meta dhe sigurisht pas prononcimit publik të tyre, besoj që këto kërkesa të gjitha synojnë drejt rritjes së transparencës të procesit zgjedhor. Një pjesë e kërkesave të paraqitura apo sugjerimeve të propozuara janë në frymën edhe të sugjerimeve, propozimeve e rekomandimeve që OSBE/ODIHR kanë dhënë dhe sigurisht si të tilla meritojnë që të konsiderohen dhe të vlerësohen me seriozitet. Duke qenë edhe anëtar i Komisionit për Reformën Zgjedhore si përfaqësues i LSI-së, do të kërkoj që sa më parë, Komisioni i posaçëm i ngritur për këtë çështje t’i merrte në shqyrtim dhe të vlerësonte këto kërkesa dhe sigurisht qëndrimin ndaj tyre pasi jemi në momentin e duhur për t’i shqyrtuar të gjithë këto çështje.
Z. Vasili, Prokuroria ka nisur një proces hetimor me atë që quhet çështja e përgjimeve në vend, në veçanti në lidhje me një padi të bërë nga ana e Ministrisë së Brendshme për përgjim të Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Cili është komenti juaj në lidhje me këtë?
Sigurisht janë dy pyetje brenda pyetjes suaj. Përsa i takon çështjes së përgjimit të Ministrit të Brendshëm, denoncim i njohur nga media lidhur me këtë çështje, sigurisht është një problem shumë serioz dhe i rëndë, që kërkon në mënyrë të padiskutueshme një hetim shumë të plotë, shumë të thelluar dhe me përgjegjësi shumë të lartë nga ana e Prokurorisë shqiptare. Një hetim që për mënyrën se si është ai ishte ekspozuar, besoj se do të ishte e dobishme, në qoftë se prokuroria shqiptare do ta gjykonte edhe mobilimin e ekspertizës ndërkombëtare lidhur me këtë çështje. Bërja transparencë e plotë, e zbardhjes së kësaj çështjeje dhe zbardhja e përgjegjësive pa hezitim për këdo, do të ishte përgjigja e vetmja dhe më e mirë për problemin. Duhet të jetë një hetim i cili do të zbulojë dhe do të zbardhë përgjegjësitë e gjithsecilit në një çështje të tillë kaq serioze, pa dalluar askënd, qoftë ky ministër, zv.ministër, specialist i thjeshtë apo punonjës shërbimi pavarësisht nga përkatësia politike që mund të ketë qoftë ky person politik apo person teknik dhe qëndrimi i prerë dhe mbajtja e përgjegjësive të plota për këdo që është i përfshirë në këtë çështje, është qëndrimi i vetëm dhe qëndrimi për të cilin ka nevojë publiku i gjerë.
Përsa i takon pyetjes tjetër tuaj në lidhje me çështje e përgjegjësive në përgjithësi, ka pasur një hetim tjetër të nisur kohë më parë, të konfirmuar nga Prokuroria e Përgjithshme. Besoj se ky hetim ka një rëndësi të jashtëzakonshme edhe politike, edhe shoqërore për një arsye shumë të thjeshtë dhe të qartë për të gjithë shqiptarët, pasi është i detyruar që të kryhet edhe këtu një hetim shumë i plotë, shumë i përgjegjshëm duke kërkuar dhe gjithë bashkëpunimin edhe të partnerëve ndërkombëtarë, por edhe të homologëve përtej kufijve të Shqipërisë për ta zbardhur çështjen e përgjigjeve për të cilën flitet. Duke ecur përpara për një hetim pa asnjë pengesë, pasi është momenti që nëpërmjet transparencës maksimale të ndahemi një herë e përgjithmonë nga paligjshmëria.
Sepse në rast se do të konstatohej, Prokuroria duhet të godasë një qëndrim të një paligjshmërie që i jep pastaj shoqërisë dhe shtetit një fytyrë të një shteti mafioz. Dhe verifikimi saj dhe zbardhja do të ishte në të mirë të të gjithë shqiptarëve. Edhe të politikës shqiptare, por në radhë të parë të gjithë shqiptarëve për të lënë të kuptohej që çdo veprimtari e paligjshme në qoftë se ndodh në shtetin shqiptar dhe aq më keq për një problematikë kaq të rëndësishme siç është çështja e përgjimeve, për të cilën ndërkombëtarisht ka qëndrime shumë të prera, të rrepta kudo ku ato verifikohen. Nxjerrja e përgjegjësve dhe e përgjegjësive do të ishte e vetmja përgjigje e cila nuk do të kishte më nevojë për komente të tjera e cila do t’i bënte shqiptarët të ishin shumë më të qetë në vendin e tyre. Do të ishin të qetë dhe të qartë që raporti i tyre është me ligjin dhe paligjshmëritë goditen pa asnjë hezitim dhe shteti shqiptar, që nga Presidenti i Republikës e deri te qytetari i thjeshtë janë një dhe të barabartë përpara ligjit.

Besoj se këtij misioni prokuroria shqiptare duhet t’i shkojë deri në fund dhe ne e inkurajojmë ta bëjë këtë gjë, duke mobilizuar gjithçka që duhet, pasi dhënia e përgjigjes një çështje të tillë besoj se është diçka që të gjithë e presin për të qenë më të qartë për të sotmen e tyre dhe për të nesërmen e tyre. Ju faleminderit!
Sigal