Vasili hedh dyshimet: A është blerë kryeprokurori nga Rama?

25
Petrit Vasili, kryetari i grupit parlamentar të LSI-së ka sjellë edhe njëherë në vëmendje deklaratën e kryeministrit Edi Rama gjatë fushatës elektorale, që i bënte thirrje policisë të angazhohej në fushatë për PS-në. Kryeministri zhveshi policinë për vota, shprehet Vasili në një reagim në Facebook, ndërsa hedh akuza edhe ndaj Prokurorisë, duke u shprehur se heshtja e prokurorisë është faj i rëndë publik. 

“Kryeministri zhveshi policinë për vota, heshtja e prokurorisë faj i rëndë publik.

Në fushatën e zgjedhjeve të qershorit, kryeministri i kërkoi policisë të flakë uniformën dhe të bënte vota për partinë socialiste. Ambasadorët e huaj që s’lenë gjë pa komentuar nuk folën. As OSBE nuk e dënoi publikisht dhe fort. Në fund të fundit ky hall shumë i rëndë është yni, se qytetarët mbeten pa shtet dhe policë e kriminelë u bënë njësh me krimin. Prokuroria hesht edhe sot e kësaj dite, megjithëse është denoncuar ky kryeministër si dhunues i ligjit, ndërkohë që qindra punonjës të thjeshtë kanë humbur punën dhe ndiqen penalisht vetëm për pjesëmarrje në aktivitete elektorale. Kjo heshtje është faj i rëndë publik. A ka frikë prokuroria nga kryeministri, kur fajin e ka pranuar po ai vete publikisht dhe ka bërë dhe sikur ka kërkuar falje? Prokuroria s’ka asnjë të drejtë të heshtë më ose ka zgjedhur të jetë ajo shkelësja e madhe e ligjit. Për të freskuar memorien e Prokurorisë, po ju demonstroj videon se çfarë thoshte narkohajduti i votave në qershor, prokuroria le ta shohë dhe le të veprojë, kjo ndan, nëse është e blerë nga kryeministri apo jo.”, thotë Vasili.