Vasili e Gjosha në ditën e fëmijëve: Politika të vërë të parën të ardhmen e fëmijëve

50
Fushata elektorale e LSI vazhdon të zhvillohet në të gjithë vendin. Ndërkohë kryetari i LSI-së Petrit Vasili në ditën e fëmijëve foli për politikat në mbrojtje të tyre
Në ditën e fëmijëve, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Petrit Vasili, së bashku me kryesuesen e listës së kandidatëve të LSI-së për qarkun e Tiranës, Klajda Gjosha ishin sot në qendrën rinore “Tirana Art”. Vasili dhe Gjosha ndoqën nga afër ekspozitën e artistëve të vegjël të titulluar “Kolori i të drejtave tona”, ku u prezantuan rreth 45 piktura të formateve të ndryshme. Këto krijime janë realizuar nga fëmijë të moshave të ndryshme, të cilët në këtë 1 qershor vijnë ndryshe dhe të ndërgjegjësuar për të mbrojtur të drejtat e tyre. Pasi pa nga afër punimet e fëmijëve, Vasili vlerësoi talentin e tyre duke u shprehur se edhe vetë politika duhet të japi një mbështetje më të madhe për fëmijët që të garantoj një të ardhme të lumtur për ta. “Politika me të cilën ne merremi, në rast se nuk vë si të parën gjë dhe mbi të gjitha në çdo vendin që merr, të ardhmen e fëmijëve ajo e ka humbur motivin e saj, e ka humbur kuptimin e saj”, – tha Vasili duke shtuar se krahas kësaj, duhet dhënë një mbështetje më të madhe edhe familjeve shqiptare pasi një familje e lumtur jep një fëmijëri të lumtur. “Dhe në rast se ne nuk bëjmë gjithçka që familjet shqiptare, prindërit shqiptar të jetë, më të mirë, më të qetë dhe më të lumtur, të jeni të bindur që edhe fëmijët nuk do të kenë një fëmijëri të lumtur. Për mua familje e lumtur, prindër të lumtur ka edhe fëmijë të lumtur”, – u shpreh Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kryesuesja e listës së kandidatëve për deputetë të LSI-së në qarkun e Tiranës, Klajda Gjosha komplimentoi fëmijët për talentin e tyre, duke nënvizuar se për të zhvilluar këtë talent, politikanët duhet të sigurojnë të drejtat e fëmijëve. 

“Ne si politikanë kemi një detyrë, të sigurojmë të drejtat e tyre, të drejtat e barabarta që gjithë këta fëmijë të kenë mundësi të jetojnë në një botë ku gjithsecili ka të drejtën e vet për të jetuar, ka të drejtën për t’u arsimuar, ka të drejtën për t’u punësuar dhe normalisht të njihen në fund të fundit edhe këto talente të jashtëzakonshme që ka vendi”, – u shpreh Gjosha.