Vasili: Dështimi i Integrimit mbetet, armiqtë dhe miqtë e tij venë e vijnë!!

134

Nga Petrit Vasili:

Dështimi i Integrimit mbetet, armiqtë dhe miqtë e tij venë e vijnë!!

Integrimi europian është standart politik,seriozitet shtetëror i monitoruar dhe përgjegjshmëri rrënjësisht e re e qeverisjes së vendit.

Është një hap, që ndan kohërat dhe e projekton Shqipërinë atje ku duhej të ishte shumë e më shumë vite më parë.

Koha dhe shanset e humbura e të shpërdoruara keqas janë të shumta sa asnjë vend tjetër në Ballkan.

Viktima e vetme të këtij shpërdorimi të tmerrshëm janë shqiptarët.

Qeverisja dhe kryeministri janë të qartë në axhendën e tyre kundër integrimit në funksion të lidhjeve të tyre të errëta antieuropiane.Ata me kriminalizimin,drogën,korrupsionin dhe pastrimin gjigand të parave po i shërbejnë ditë e natë kësaj.

Momenti nuk pret.

Armiqtë dhe miqtë e integrimit në politikën shqiptare janë alternuar shumë herë dhe po të kthesh kokën pas mund të qeshësh hidhur me këtë parodi të zezë.

Si asnjë herë më parë një datë e caktuar si 13 tetori ka një kuptim dhe rëndësi kritike dhe të shumëfishtë.

Është konsumuar pa fund zemërgjërsia europiane për të mbajtur hapur dyert e integrimit për Shqipërinë.

Humbja e shanseve që 13 tetori përfaqëson do të thotë një mbyllje tragjike e dyerve të Europës dhe krijimi i një perspektive të errët,tronditëse,të hidhur dhe pa rrugëdalje.

Pasojat social ekonomike do të ishin aq të rënda sa që fantazia e politikës mediokre shqiptare nuk do ti përfytyronte dot.

Shpërdorimi i shanseve për të shpetuar in ekstremis integrimin do të ishte dëm,faj dhe përgjegjësi pa asnjë alibi.

Kemi vetëm një shans për të dhënë një sinjal që do të mund të na hapte sërish rrugën e integrimit dhe ky është 13 tetori.

Kush punon për këtë punon për vendin dhe do të ishte njëherazi mik i integrimit, ndërsa e kundërta do të thotë punosh kundër vendit e të jesh armik i integrimit.

Në se ky objektiv dështon, asnjë retorikë s’do të vlente asgjë, përveçse thjesht armiqtë dhe miqtë e integrimit do të alternonin sërish vendet.

E kujt do ti hynte në punë kjo?