Vasili bën thirrje për bashkim në protestë: Qeveria i ka tradhtuar qytetarët

504
Sigal

Ish-deputeti i LSI, Petrit Vasili është shprehur se ka vetëm një zgjidhje për të larguar të keqen nga vendi, dhe ato janë protestat, duke i kërkuar kështu qytetarëve t’i bashkohen protestës së sotme të opozitës përpara Kuvendit. Sipas tij, viktimat arrestohen, ndërsa ndaj hajdutëve nuk ndërmerret asnjë masë.

“Ka vetëm një zgjidhje, ka vetëm një shërim shoqëria shqiptare, dhe kjo është pikërisht protesta mbarë popullore në të cilën ne sërish do të jemi përpara Kuvendit të Shqipërisë, i cili në vend që të jetë Kuvendi i popullit është kthyer në Kuvendin e kuislingëve dhe kusarëve, për të treguar edhe një herë që shqiptarët refuzojnë në mënyrë të prerë dhe nuk do pranojnë kurrë për veten e tyre, për fëmijët e tyre, për familjarët e tyre, pra nuk do të pranojnë kurrë të qeverisen nga një qeverisje e kapur e cila i ka tradhtuar plotësisht dhe tërësisht qytetarët, duke i grabitur, duke i plaçkitur, duke dashur dhe ti dhunojë ata”, u shpreh Vasili, i cili u shpreh më tej se drejtësia është e kapur nga kryeministri Rama.

Faktet tronditëse të cilat janë në duart e qytetarëve, audiot e përgjimeve, ku policia tërhiqet për veshi, për gryke nga kriminelët të cilët e keqtrajtojnë, i dhunojnë dhe njëkohësisht paguhen prej saj, janë fakte të cilat do të mbeten të pashlyera në memorien e shqiptarëve, ato do të marrin shpagimin vetëm me protestën e madhe mbarë popullore, e cila çliron njëherë e përgjithmonë Shqipërinë dhe vendos një standard të ri shumë të lartë qeverisës, të qeverisjes së pa kapur dhe drejtësisë së pa kapur, të asaj drejtësie që nuk fle para dosjeve, të asaj drejtësie që mbyll çështjet e tmerrshme që janë në ngarkim të kryeministrit shqiptar dhe është e gatshme të dënojë qytetarin e thjeshtë, pra drejtësi dyfishe, mbrojtje për kusarët e qeverisë dhe ndëshkim për qytetarët e thjeshtë, pikërisht për të mos lejuar një standard të tillë, të lig, të poshtër, apolitik, antishoqëror”, deklaroi Vasili.