Vasili, ankesë Ramës e Llallës: Po instalohet një qeverisje policore

477
Kreu i LSI-së kundërshton vendimin e 2 qershorit të Këshillit të Ministrave, duke deklaruar se është miratuar pa u mbledhur ekzekutivi
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, i kërkoi kryeministrit Rama dhe kryeprokurorit Llalla të ndërhyjnë për të shmangur abuzimet dhe shkarkimet mafioze në administratë, me pretendimin se punonjësit janë angazhuar në fushatën elektorale. Vasili iu drejtua me një letër Ramës e Llallës, duke vënë në dijeni edhe presidentin Nishani, kryeparlamentarin Meta, kreun e KQZ-së, Zguri dhe përfaqësuesit diplomatikë në Tiranë. Në mënyrë të veçantë, kreu i LSI-së ka kundërshtuar vendimin e qeverisë të 2 qershorit për monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare apo logjistike të administratës shtetërore gjatë procesit të zgjedhjeve të 25 qershorit. Sipas Vasilit, ky vendim është marrë pa zhvilluar një mbledhje të qeverisë. 

Letra e Vasilit
“Procesi zgjedhor i 25 qershorit 2017 imponon një zbatim rigoroz të ligjeve në fuqi, seriozitetit të funksionimit të shtetit në tërësi dhe qeverisë në veçanti, si detyrim për të pasur zgjedhje të lira, të ndershme dhe të panjollosura.

Qeveria Shqiptare ka marrë në datën 2 Qershor një vendim që lidhet me Masat dhe Monitorimin e Veprimtarisë, Sjelljes apo Përdorimit të Burimeve Njerëzore, Financiare apo Logjistike të administratës shtetërore gjatë procesit të zgjedhjeve të 2017. Ky vendim nuk është marrë në një mbledhje të Këshillit të Ministrave dhe është e patolerueshme që ai i referohet një mbledhje e cila nuk ka ndodhur.

Një vendim kaq i rëndësishëm nuk i është nënshtruar asnjë debati qeveritar dhe mundësisë së shprehjes se opinioneve nga ministrat, por është hartuar e miratuar në mënyrë tërësisht të njëanshme, ku specifikoj anëtarët e kabinetit qeveritar, përfaqësues të LSI-së, kanë qenë jashtë diskutimit dhe janë vënë para faktit të kryer, duke u çuar një vendim qarkullues, të cilit nuk i njihen as autorët dhe as ata që kanë dhënë opinionet. Një mënyrë e tillë, okulte, e funksionimit të qeverisë, ku përgjegjësia bie mbi kryeministrin dhe sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, hedh hije të forta dyshimi në një moment ku vetëm transparenca, komunikimi i hapur dhe përfshirja e të gjithë aktorëve, janë ato që zgjedhjet e lira e të ndershme presin në Shqipëri.

Fatkeqësisht marrëveshja politike e 18 majit, në vend të qartësisë e ndershmërisë, prodhoi një komunikim të njëanshëm, të mbyllur dhe të errët. Edhe vetë ky vendim ka kundërvënie serioze e arbitrare me legjislacionin që rregullon zgjedhjet në Shqipëri dhe liritë e të drejtat e njeriut dhe kjo rëndon situatën e krijon të gjitha hapësirat për abuzime të mëdha, të cilat realisht kanë ndodhur dhe evidentimet për to janë bërë gjerësisht publike.

Shkarkimet pa asnjë motiv e provë, duke abuzuar me hapësirat antiligjore të krijuara nga ky vendim, po komprometojnë ecurinë normale të procesit zgjedhor, po instalojnë një klimë absurde abuzimi dhe shpërdorimi me pushtetin, e cila ka përkeqësuar klimën politike dhe ka ushqyer indinjatën e thellë të opinionit publik për këto veprime.

Veprime të tilla duhet të ndalen menjëherë. Të gjitha institucionet shtetërore, duke filluar nga Qeveria dhe të gjitha e organit të zbatimit të ligjit duhet të veprojnë pa asnjë hezitim dhe të ndëshkojnë me të gjithë rreptësinë e ligjit, shkarkimet dhe veprimet e tjera mafioze në shkelje flagrante të të drejtave të njeriut, të lirive dhe të garancive të punonjësit në detyrë shtetërore.

Autorë të këtyre abuzimeve dhe shpërdorimit me pushtetin të dënueshme qartësisht nga Kodi Penal dhe ligjet në fuqi, kanë qenë ministra e drejtorë të të gjitha niveleve. Asnjë marrëveshje politike nuk mund të dalë mbi ligjet dhe të justifikojë instalimin e një qeverisjeje policore e që dhunon të drejtat e liritë themelore të garantuara nga Kushtetuta e ligji.

Një situatë e tillë absurde, që ka rrënuar besimin e qytetarëve të shteti duhet të marrë fund tani, pasi koha e errësirës ka përfunduar dhe vetëm transparenca e plotë është ajo që pret çdo shqiptar. Veprime të tilla arbitrare dhe thellësisht antiligjore të ngjashme me ato të një junte nuk kanë asnjë lidhje me sjelljet e një qeverie demokratike apo besimi siç duhej të ishte kjo qeveri, që është krijuar në kushtet e tronditjes më të thellë të besimit.

Kërkoj reagimin e menjëhershëm dhe ligjor, për rikthimin e normalitetit të cenuar në mënyrë kritike”.
Sigal