Vangjush Dako: Turistët prenotojnë gjithnjë e më shumë Durrësin

443
Bashkia e Durrësit është ndoshta nga të paktat bashkitë, ku puna nuk është ndërprerë asnjë çast, edhe pse ende nuk është kompozuar bashkia e re. Kjo ndodh pasi qyteti i Durrësit është kryeqendra e turizmit shqiptar, ku pikërisht në këto muaj ka dyndjen më të madhe të turistëve. Prioriteti i bashkisë së Durrësit është që të krijojnë kushtet sa më të pastërta për turistët në të gjithë gjatësinë e bregdetit, disiplinimi i ujrave të zeza, si edhe furnizimi me ujë dhe energji elektrike. 
Dako: Numri i turistëve është në rritje
Përkundër zërave se Durrësi është braktisur këtë sezon nga pushuesit, kryesisht nga shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë, Kryetari i Bashkisë së re të Durrësit, Vangjush Dako thotë se numri i turistëve ka ardhur në rritje nga viti në vit, e sipas tij hotelet më të mëdha dhe shtëpitë që jepen me qira për turistët po prenotohen çdo ditë e më tepër. “Unë dua t’ju theksoj që gjithë hotelet e mëdha të qytetit të Durrësit janë të prenotuara nga turistë të cilët vijnë nga Bosnja, Polonia, Sllovakia, pra nga vende që më parë nuk e njihnin Shqipërinë, por edhe hotelet, shtëpitë rezidenciale që përdoren për dhënie me qira për turistët nga Kosova apo vendet përreth, kanë çdo ditë e më tepër pushues”,- nënvizon Dako. 
Investimet në infrastrukturë
Gjithashtu, kryebashkiaku Vangjush Dako pohon se Durrësi ofron këtë sezon më tepër shërbime e kushte infrastrukturore më të mira. “Falë investimit të Bankës Botërore të një kolektori që mbledh gjithë ujërat e zeza, i cili ka përfunduar, unë ju garantoj që në plazhin e Durrësit nuk ka më derdhje të ujërave të zeza në det. Ky është një sukses të cilin ne do ta vazhdojmë për ta mirëmbajtur që të mund të kemi një plazh sa më të pastër. Do të vazhdojmë investime të tjera për të përmirësuar jo vetëm detin por edhe rërën. Punojmë çdo ditë për pastrimin e qytetit dhe ajo që është më e rëndësishme, deri vitin e ardhshëm, problematika e furnizimit me ujë të pijshëm do të jetë zgjidhur”. Të dhënat e fundit të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për ujërat e bregdetit shqiptar tregojnë se plazhi i Durrësit ka një përmirësim të ndjeshëm. Nga 21 pika të monitoruara, në vitin 2014 kanë qenë vetëm 11 stacione me cilësi të lartë, ndërsa këtë vit ky numër ka shkuar në 16. 
Fillojnë investimet për rrjetin e shpërndarjes në zonën e Spitallës
Nisin në Spitallë investimet për rrjetin e shpërndarjes në këtë zonë, ku me mbarimin e tyre do të sigurohet energji elektrike e pandërprerë, pavarësisht kushteve. Në këtë eveniment ishin të pranishëm administrator i OSHEE Adrian Çela dhe kryebashkiaku I Durrësit Vangjush Dako. Linjat elektrike aktuale që furnizojnë këtë zonë janë në gjendje të keqe teknike, shumë të ngarkuara dhe humbjet në nivele të larta. Investimi i nisur nga OSHEE kap vlerën e 4.4 miliard lekë të vjetra dhe ndikon në përmirësimin e cilësisë së furnizimit për mbi 2500 abonentë familjarë e biznese. Administratori i OSHEE-së Adrian Çela tha se investimi garanton përmirësimin e fuqisë së tensionit tek abonentët pasi do të ketë ndërhyrje në rrjetin 20 kilovolt. “Janë një numër i konsiderueshëm kabinash të reja që ndërtohen dhe që rikonstruktohen. Investimi garanton uljen e humbjeve teknike të energjisë. Pra, gjithë kjo që ka qenë një zonë informale, me një rrjet me vjetërsi prej 40-50 vitesh rinovohet tërësisht brenda 6 muajve”, sqaroi Adrian Çela. OSHEE në kuadër të investimit do të rikonstruktojë kabinat 6/0.4 kV; do të rregullojë dhe sistemojë rrjetin ekzistues të tensionit të ulët 0.4 kV sipas standardeve dhe parametrave bashkëkohor; do të rrisë nivelin e tensionit në konsumatorë dhe sigurojë vazhdueshmërinë e furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve dhe bizneseve ne zonë. Ndërtimi i rrjetit të ri do të eliminojë mundësinë e abuzimit me energjinë elektrike nga abonentët e kësaj zone duke vendosur edhe adresa të sakta faturimi në sistemin billing. Projekti i ndërhyrjes rrit edhe sigurinë e furnizimit me energji për hidrovorin e Porto Romanos si objekt i rëndësisë së veçantë për të gjithë zonën.
Sigal