Vangjush Dako: Rivitalizimi i kanaleve ujitëse, mbështetje e fuqishme për bashkinë e re të qytetit

415
Sigal

Durrësi ishte
ndalesa e Kryeministrit Rama, i cili i shoqëruar nga Kryetari i Bashkisë
Vangjush Dako, inspektoi punimet për rivitalizimin dhe vënien në funksion të
kanaleve ujitëse që rikthejnë nën ujë 6 mijë hektarë tokë bujqësore.
“Rezervuarin e hapëm 2 muaj më parë, tani realizuam edhe këtë kanal ujitës. Ka
një vlerë të punimeve rreth 60 milionë lekë. Janë rreth 5 mijë familje, të
cilat merren me bujqësi dhe përfitojnë nga ky investim. 25 vjet që ky kanal i
ndërtuar në atë kohë, por që nuk ka funksionuar asnjëherë”, tha Kryetari i
Bashkisë Durrës, Vangjush Dako.  Punimet
për këtë investim, të ndarë në dy faza priten që brenda dy javësh të kenë
përfunduar. “Arteria kryesore është 7 kilometra dhe kanalet e dyta janë rreth
21 kilometra, të cilët u vunë në punë brenda 30 ditëve dhe vunë gati 5-6 mijë
hektarë në ujë për këtë periudhë. Faza e parë ka përfunduar dhe skema tjetër
përfundon brenda 10-15 ditësh. I kemi kushtuar shumë rëndësi veprave të artit
për hyrjen e familjarëve, ura, me mjete, me këmbësorë, plus dhe pastrimet janë
bërë në mënyrë perfektë,” u shpreh drejtuesi i punimeve. “Kishte 10 vjet që nuk
hapej as porta. 10 vitet e fundit që nuk kishte ujë fare, sepse nuk lëvizte
porta. Tani është bërë kanali me beton, gjë e mirë”, tha një fermer i fshatit Manëz.  Rehabilitimi i sistemit të ujitjes e kullimit
është pjesë e rëndësishme e programit të qeverisë për rimëkëmbjen e bujqësisë,
me ndikim pozitiv që në sezonin e ardhshëm bujqësor jo vetëm në rritjen e
ekonomisë së familjeve fermerë, por edhe të ekonomisë kombëtarë. E lënë në
rrënim, thuajse e pakalueshme nga gropat ishte edhe rruga Vrinë-Fshati Rinia,
çka kishte vështirësuar jetesën e përditshme të banorëve dhe ndërlidhjen e
fermerëve me tregun. Rruga lidhet me bregdetin dhe vitet e fundit është rritur
frekuentimi i kësaj zone nga pushuesit. Edhe aty u hap kantieri i punës për
rikonstruksionin e saj, një investim prej 81 milionë lekë.  “Kjo është një rrugë 5.5 kilometra, që i
shërben afro 5 mijë banorëve të kësaj zone. Kjo është zonë jo vetëm industriale,
bujqësore por dhe zonë turistike, sepse përfundimi i kësaj rruge lidh
autostradën me bregdetin. Pra, është një plazh i ri, një zonë e re për të
zhvilluar dhe këtë vit ka pasur shumë pushues”, u shpreh kryetari i Bashkisë,
Vangjush Dako. Rikonstruksioni i rrugës u realizua një vit pasi iu premtua
banorëve të zonës, të cilët Kryetari i Bashkisë i siguroi për investime të
tjera në infrastrukturë.  “Ka një
popullim shumë të madh dhe të banorëve të rinj, por dhe të turistëve ditor nga
Durrësi, sepse është një plazh shumë i pastër, ka një rërë shumë të mirë. Këtu
janë gjithë qytetarë të rinj, të ardhur nga përmbytja e Fierzës, në vitin ’94
-’95, bashkia i ka ardhur goxha në ndihmë, si me përmirësimin e infrastrukturës
dhe me legalizimet, por dhe me urbanizimin në përgjithësi. Rrugën ua premtuam
në fushatë dhe pothuajse në një vit e realizuam”, u shpreh kryetari i Bashkisë.