Vangjush Dako: Kryebashkiaku i Durrësit takohet me presidentin e Senatit çek Milan Stech dhe delegacionin që ai kryeson

692
Kryebashkiaku Vangjush Dako takohet me presidentin e senatit çek Milan Štěch dhe delegacionin që ai kryeson

Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka pritur në takim një delegacion nga Republika e Çekisë i kryesuar nga presidenti i senatit çek Milan Štěch. Anëtarë të këtij delegacioni ishin edhe senator Miroslav Nenutil, Anëtar i Komitetit për Çështjet Ligjore dhe Kushtetuese, senator František Bradáč, anëtar i Komitetit për Ekonominë Kombëtare, Bujqësinë dhe Transportin, senator Zdeňka Hamousová, anëtar i Komitetit për Administratën Publike, Zhvillimin Rajonal dhe Mjedisin, senator Petr Holeček, anëtar i Komitetit për Ekonominë Kombëtare, Bujqësinë dhe Transportin, zv/ministri çek i tregtisë dhe industrisë, Vladimír Bärtl, kryetarja e akademisë së shkencave, Eva Zažímalová, zv/President i Konfederatës së Industrisë Stanislav Kázecký, ambasadori i Çekisë në Shqipëri Jaroslav Ludva etj. Ky delegacion shoqërohej edhe nga ambasadori i Shqipërisë në Çeki, Riza Poda. Bashkangjitur këtij delegacioni ishin edhe një grup sipërmarrësish nga Çekia. Kryetari i Bashkisë Vangjush Dako i bëri presidentit të senatit çek dhe delegacionit një ekspoze të hollësishme në lidhje me qytetin e Durrësit dhe historinë e tij, stadin aktual të zhvillimit si dhe me punën e Bashkisë në drejtim të përmirësimit të jetesës së qytetarëve të Durrësit në sajë të investimeve. Kryebashkiaku Dako është ndalur veçanërisht në sektorin e turizmit duke e njohur presidentin e senatit çek me llojet e turizmit që ofron Durrësi, jo vetëm për plazhin, por edhe turizmin arkeologjik, kulturor etj. Dako deklaroi se turizmi është një prioritet i Bashkisë ku synohet nxitja e investimeve vendase dhe të huaja. Nga ana e tij presidenti i senatit çek Milan Štěch u shpreh mjaft i kënaqur me vizitën e tij në Durrës dhe fillimisht konfirmoi mbështetjen e plotë të Republikës së Çekisë përsa i përket integrimit të Shqipërisë në BE. Më tej presidenti i senatit çek u shpreh se duhet thelluar bashkëpunimi ekonomik e tregtar midis Shqipërisë dhe Çekisë dhe konkretisht edhe midis Durrësit dhe qyteteve çeke. Po kështu ai shprehu bindjen se pas kësaj vizite të këtij delegacioni të zgjeruar në Durrës do të rritet interesimi sidomos i turistëve por edhe i biznesit çek për të drejtuar vëmendjen drejt Durrësit dhe krejt vendit tonë. 
Sigal