Vangjush Dako: Bashkia e re, më shumë mundësi për investitorët kinezë

462
Kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako priti delegacionin kinez në mjediset e bashkisë ku me homologun e tij Zheng RenHao nënshkruan “Memorandumin e shkëmbimeve miqësore mes qyteteve”. Zheng Renhao u shpreh në takim se në Shqipëri ndjeu miqësinë e shqiptarëve ndaj popullit kinez si dhe pa konkretisht vitalitetin dhe potencialin e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të saj. “Shantou dhe Durrësi kanë të përbashkëta pasi janë qytete port dhe nyje të rëndësishme transporti. Shantou ndodhet në vijën e parë të hapjes dhe reformave kineze, ka të zhvilluar transportin detar, industrinë tekstile dhe të veshmbathjeve, të prodhimit të lodrave, parkun industrial dhe infrastrukturën”, theksoi kryebashkiaku Zheng. Ai shprehu dëshirën për forcim të shkëmbimeve me Durrësin, si dhe u ndal në nismën e qeverisë kineze “Një brez, një rrugë”, si një strategji zhvillimi. Ai theksoi se Shantou është portë e rëndësishme e brezit ekonomik të Rrugës Detare të Mëndafshit” dhe ftoi pjesmarrjen shqiptare në rindërtimin e këtij brezi të shekullit 21-të. 
Dako: Shqiptarët ruajnë ndjenja miqësore për kinezët
Ndërsa kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako tha se qytetarët durrsakë ruajnë një ndjenjë të thellë miqësie për popullin kinez. “Durrësi është një ndër qytetet më të lashta në Europë, ka pozicion strategjik dhe përveç kulturës së pasur është një kryqëzim i transportit rrugor dhe detar në Europën Juglindore”, theksoi zoti Dako. Si kryebashkiak i Durrësit, ai u shpreh për avantazhin dhe karakteristikat e qytetit, duke nënvizuar nxitjen e shkëmbimeve miqësore me qytetin kinez Shantou, sidomos në fushën e përmirësimit dhe rindërtimit të portit, zhvillimit turistik, bashkëpunimit në ndërtimin e parkut industrial, me synim që miqësia tradicionale kino-shqiptare të ketë rezultate reale, në dobi të të dy popujve. Ambasadorja Jiang Yu u shpreh se shkëmbimet miqësore midis qyteteve jo vetëm janë të rëndësishme për nxitjen e zhvillimit të marrëdhënieve, por dhe një aspekt i ri i tyre. Ajo vlerësoi nënshkrimin nga ana e dy kryebashkiakëve të “Memorandumit të shkëmbimeve miqësore mes qyteteve”, i cili zgjeron bashkëpunimin, duke ndërtuar një urë të re miqësore dhe bashkëpunuese midis portave të brezit detar euro-aziatik të Rrugës së mëndafshit. Zonja Jiang premtoi se Ambasada e Kinës në Shqipëri do të vazhdojë rolin e vet koordinues për nxitjen e shkëmbimeve dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm midis dy qyteteve, që pasurojnë më tej marrëdhëniet kino-shqiptare.
Sigal