Vangjel Tavo: Ministria e Shëndetësisë duhet të tërhiqet nga politika e testimeve.  Është anti-ligjore, denigruese

667
Sigal

Vangjel Tavo, ish ministri i Shëndetësisë dhe deputeti i LSI-së, në intervistën për gazetën “Telegraf” flet edhe si mjek në profesion dhe argumenton, përse është problematikë shëndetësia, por nuk është testimi reforma që e kuron nga gjendja kome. Sipas zotit Tavo, mjekët janë heronjtë e heshtur, pasi përditë përballen me sëmundjet dhe shpëtojnë jetë dhe nuk duhet një testim i tillë që ti denigrojë, derisa është edhe anti ligjor. Këshilla e zotit Tavo, është që Ministria e Shëndetësisë, të tërhiqet nga politika e testimeve të bluzave të bardha.

–  Zoti Tavo, a munden reformat në shëndetësi, që ka ndërmarrë deri tani qeveria, t’i japin zgjidhje problematikave  të shëndetësisë shqiptare?

– Shëndetësia është një sektor jetik për vendin dhe kërkon një vëmendje të veçantë nga çdo qeveri. Qeveria i ka dhënë vëmendjen e duhur shëndetësisë dhe kjo tregohet tek rritja e buxhetit të alokuar për shëndetësinë. Për vitin 2015, buxheti u rrit me 6%, duke shkuar në 410 milionë dollarë, duke bërë që për herë të parë në Shqipëri, buxheti i Shëndetësisë të kalojë shifrën prej 400 milionë dollarësh. Por, sigurisht, shëndetësia është një sektor me problematika dhe kjo jo vetëm në vendin tonë, por edhe në vendet më të zhvilluara. Asnjë buxhet nuk është asnjëherë i mjaftueshëm për të menaxhuar me sukses sektorin e shëndetësisë. Në vendin tonë, ne kemi trashëguar problematika të hershme, që nga sistemi i kaluar, të cilat u thelluan gjatë tranzicionit. Nuk kam asnjë dyshim, që qeveria shqiptare i ka kushtuar vëmendjen e duhur shëndetësisë dhe me qëllimin e mirë, po ndërmerr një sërë hapash për të zgjidhur problematikat tejet të vështira, që mbart ky sektor.

A mund të cilësohen reformë në shëndetësi testimet që kërkon të bëjnë, kështu siç i bëjnë?

– Jam optimist për përkushtimin e qeverisë ndaj shëndetësisë, por në lidhje me testimin e mjekëve dhe infermierëve jam shprehur dhe do vazhdoj të shprehem kundër kësaj nisme. I qëndroj mendimit, që testimi i bluzave të bardha nuk përbën reformë. Përkundrazi, është një iniciativë anti-ligjore, denigruese për profesionin e mjekut dhe infermierit, selektive, që në vend që ta forcojë sistemin shëndetësor e cenon atë. U jam shprehur disa herë, dhe kjo është një bindje e palëkundur e imja, që bluzat e bardha janë heronjtë e heshtur të këtij vendi. Janë heronj, pasi kanë zgjedhur dhe praktikojnë një profesion vetëmohues. Bluzat e bardha e kanë përkushtuar jetën e tyre në shërbim të njerëzve. Punojnë prej vitesh me orare të vështira, në kushte të vështira, me rroga të ulëta dhe me një përkushtim të pashoqë në shërbim të qytetarëve. E meritojnë të quhen heronj, por fatkeqësisht të heshtur, pasi jetët që shpëtojnë çdo ditë nuk bëjnë bujë në televizione dhe gazeta, familjet që lumturojnë, duke i rikthyer të dashurit e tyre shëndoshë e mirë në shtëpi nuk reklamohen, por janë gjithmonë në shënjestër të kritikës, përgjithësohen sa herë ndodh ndonjë rast i izoluar abuziv, dhe targetohen si problemi i shëndetësisë shqiptare, ndërkohë që ata vetë janë shëndetësia. Ata janë imazhi dhe shembulli i përkushtimit profesional dhe sakrificës njerëzore. Thuhet se kush shpëton një jetë shpëton një botë, bluzat e bardha kanë shpëtuar botë pa fund, duke mos pritur të marrin lëvdata, por vetëm duke bërë detyrën dhe zbatojnë profesionin e tyre fisnik. Jam kundër testimit të bluzave të bardha edhe sepse thyen besueshmërinë midis pacientit dhe mjekut, raport i cili është themelor në besimin që ka qytetari apo pacienti me sistemin, pasi profesionalizmi i bluzave te bardha janë sistemi. Sigurisht, që apdeitimi i bluzave të bardha me zhvillimin e shpejtë të shkencës së mjekësisë është mëse i domosdoshëm. Mjekësia është një shkencë në ndryshim dhe ka dinamika të shpejta me studime dhe zbulime të reja, por ky edukim i domosdoshëm i bluzave të bardha sigurohet nga Qendra Kombëtare e Edukimit në Vazhdim. Ndaj, nëse duhet të përqendrohemi tek rritja profesionale e bluzave të bardha duhet të mbështesim Edukimin në Vazhdim.

– A është koncept politik, por edhe ligjor, që udhëheqja aktuale e politikës shëndetësore, të cilësojë diplomat, kualifikimet, përvojën e fituar të mjekëve dhe infermierëve, të pamjaftueshëm, derisa u kërkon t’i testojë?

– Ministria e Shëndetësisë bën politikat e saj, të cilat i duken të arsyeshme për këtë sektor, por në rastin e testimit të bluzave të bardha, po vërtetojnë atë që përmenda më lart, që i shohin bluzat e bardha si problematikë dhe jo si meritë, mendojnë që bluzat e bardha janë problemi i problematikave të shëndetësisë, ndërkohë që në të vërtetë ata janë zgjidhja dhe aseti më i mirë që ka shëndetësia shqiptare. Më vjen mirë që kjo çështje është shndërruar në një debat shumë larg politikës, por është mbështetur në teza profesionale dhe parimore. Kësaj nisme të Ministrisë së Shëndetësisë nuk i janë pozicionuar kundër vetëm vetë bluzat e bardha, Urdhri i Mjekut dhe i Infermierit, por edhe shumë kolegë deputetë të të gjithë spektrit politik, qoftë të opozitës ashtu edhe të maxhorancës. Për këtë arsye, Ministria e Shëndetësisë duhet të tërhiqet nga kjo iniciativë.

-Faleminderit!

Jakup B. GJOÇA