Vangjel SAKO/ A ka ardhur koha të shembet bastioni i të majtës në Vlorë?!

520
Hoopa! Startoi dhe estrada. Jo ajo profesioniste. Ajo politike. Që ndryshon nga ajo profesioniste. Kjo e fundit, kur kalojnë vitet edhe konsumohet. Ajo politike… bëhet më profesioniste. “Aktorë” që vijnë nga hiçi. Nga rruga. Dhe bëhen ligjvënës. Ajo që ka mbi 20 vjet që gajas shqiptarët. Por edhe u shkakton shumë dhembje. Por që rikthehet. Ҫdo dy vjet. Me rotacion vendor dhe parlamentar. Me gjela që krekosen. Jo majë plehut. Majë parlamentit. Me anadollak që nuk dinë asgjë. As ku lidhet gomari. Por që shkojnë në parlament. Bëhen kryetar komune. Edhe kryetar bashkie. Pastaj bëjnë ligjin. Jo si shkruhet në fletoren zyrtare. Por siҫ e dinë vetë. Siҫ e di Maliqi. Dhe pastaj… Bëjnë vila. Bëhen biznesmenë. Kjo lloj estrade. Ka filluar. Dhe populli shikon. Përjeton. Pastaj voton. Dhe në fund e pëson. I dhemb. Po s’ka ҫbën. Kështu rrotullohet vota. Vetëm në Shqipëri. Që ziejnë nëpër tavolinat e kafesë. Të zhgënjyer. Të zëmëruar. Pastaj asgjë. Kokëulur shkojnë votojnë. Për atë që mbase nuk e duan. Por ua thotë partia. Ua thotë një thes miell. Një dorë e vogël lekësh. Që zgjidhin hallet për një muaj. Pastaj…vuajnë katër vjet. Kështu ka ndodhur. Mesa duket, kështu do të ndodhë edhe kësaj radhe. Ka filluar kjo estradë edhe në Vlorë. Në Vlorën, bastion i së majtës. I betonuar. Me histori fitoreje pothuajse të betonuar. Në gjithë këta vite demokracie. Me një përjashtim disa muajsh. Në vitet e trazuara 96-97. Pastaj vetëm me diktim “majtas”. Dhe me fitore të thella. Por…Mos ka ardhur koha e kthimit timonit djathtas?!. Askush nuk e vë dorën në zjarr. Por vetëm analizohet. Me atë që po ndodh këto ditë. Deri në 1 Prill… Atëherë kur do vendosen kandidatët. Por ne analizojmë ata që po përfliten këto ditë. Nëpër korridoret politike. Por edhe në opinionin e gjerë vlonjat. Por edhe tek ata që janë në mëdyshje. Jo për të votuar. Por për kë do votojnë. Atëherë fillojmë. Nga pushteti. Tek e majta që ka filluar ti lëviz toka nën këmbë. Sepse vetë po e bën lesh e li. Deri tani. Ka ravijëzuar tre – katër kandidatura. Ne po marrim vetëm dy të parët ata, që janë në pole position. Prefekten aktuale Etiona Hoxha dhe kryetarin e partisë, drejtorin aktual të portit të Vlorës, Xhevahir Ҫeloaliaj. E para me një karrierë të shpejtë. Jo vetëm politike. Por edhe profesionale. Ardhur nga Kuҫova. Me ndrojen normale. Të një provincialeje. Që vjen në një qytet gjigand. Si Vlora. Ku të gjithë e kanë gjoksin me gropë. Po ajo i kaloi “gropat”. E nisi si me “vrap” breshke. Si fillim asistente në universitet. Pastaj pedagoge. Më pas në Partinë Socialiste. Ashtu qetë e qetë. Në fillim u shërbeu të mëdhenjve. Të kësaj partie. Pastaj u bë vetë e madhe. Në këshillin bashkiak. Të gjithë e dinë. Suport kishte Shpëtim Gjikën. Ai i tregoi rrugën drejt politikës. Ai e mbështeti fillimisht. Sepse edhe vetë kishte mbështetje të madhe. Po ndryshuan situatat. Po Etiona i përballoi. U bë me Edi Ramën. Dhe u katapultua prefekte. Aty ku është edhe sot. Përfaqësuese e shtetit. Por ajo kërkon kolltukun e bashkisë. A do ta marrë? Përgjigjen e marrim shpejt. Në fillim në 1 Prill. Kur do shpallen kandidaturat. Pastaj po e kaloi këtë provim, ka tjetrin. Atë më të madhin. Më 21 Qershor. A do ta pranojnë vlonjatët? Askush nuk e di saktësisht. Ne do ti themi ca gjëra. Që e pengojnë të jetë në atë kolltuk. Jo se ja themi ne. Ja thonë edhe të sajët. Ata që ka rreth e rreth. Ajo s’ka hyrë kurrë në zemrën e socialistëve. Atyre të shumtit. Që venë në kutitë e votimit. Jo atyre që ka përreth. Përveҫ kësaj ka edhe të tjera. Sapo zuri kolltukun, u bë pak mëndjemadhe. Nuk begenis më shokët dhe shoqet e mëparshëm. Se e thotë populli. Do ta provosh një zonjë apo zotëri. Jepi para dhe pushtet. Ajo e ka pushtetin. Dhe do marrë votat që ia kanë nevojën këtij pushteti. Por jo të shumicës. Sepse nuk i ka qëndruar afër atyre. Dhe ata mesa duket do ta ndëshkojnë me votë. Kandidatura tjetër që përflitet. Ajo e Xhevahir Ҫeloaliajt. Edhe ky i katapultuar me parashutë. Thonë se ende nuk e ka teserën e partisë socialiste. Po me urdhër. U bë kryetar. Se e deshte moment. Po ngeli kryetar. Pa asnjë lloj zgjedhjesh. Në fillim u komandua. Dhe aty ngeli. Përfitoi edhe nga zgjedhjet parlamentare. U bë me Valentina Leskajn. Pastaj fati ishte me të. U bë drejtor i portit. Aty ku është edhe aktualisht. Por do bashkinë. Kush nuk do ta donte. Edhe atij. Do ti themi vetëm pengesat. Ato që do ja thonë të tjerët gjatë fushatës. Shkëlqen në paraqitjen fizike. Vjen nga shkollë ushtarake. Dhe dihet. Ata janë “kinga”. Të paktën në uniformë. Por pak ka bërë për vete. Nga socialistët e vërtetë. Ata që do e votojnë. Sepse nuk i ka punësuar. Ashtu siҫ u premtoi. Para fushatës. Punësoi…por më shumë nga Dukati. Nga vendlindja. Aq sa në Vlorë po thonë: iku Tërbaҫi dhe na erdhi Dukati. A thua se mbaruan vlonjatët e vërtetë. Se janë bërë tashmë edhe vlonjatët si shkodranët. S’të godasin vetëm me grusht. Por edhe me qyfyre. Po jo vetëm kaq. Në zyrat e PD Vlorë ruhet një kasetë. Nga ato që mbajnë politikanët shqiptarë. Për shantazh. Në atë kasetë ka diҫka kundër Ҫeloaliajt. Kur ka punuar në degën e punëve të brendshme. Ka qenë nga më agresivët. Ndaj socialistëve. Dhe ku? Në varrezat e dëshmorëve. Shikohet duke shqelmuar. Kë? Socialistët dhe komunistët e vërtetë. Atëherë ia donte puna. Ishte PD në pushtet. Por tani është ndryshe. Dhe socialistët dhe komunistët e vërtetë nuk ia kanë harruar. Do t’ia tregojnë kur të fillojë fushata. Të tjerët duket janë vetëlarguar. Sadrit Danaj po ashtu. Ashtu si edhe Arben Breshanaj. Këta mbeten deri në 1 Prill. Në krahun tjetër po ashtu do të analizojmë dy të parët. Kryetarin e partisë Moisi Meminaj dhe Vullnet Karalliun. I pari nuk ka munguar në gara. Është përballur dikur me Arben Malaj. Atëherë sa kthehej nga Europa. Ku e kishte ҫuar partia. Padyshim PD. Humbi. Ia ngarkoi humbjen partisë. Ndaj u hakmorr. Në zgjedhjet e mëparshme kandidoi i pavarur. Në komunë. Në Novoselë. Humbi përsëri. Përsëri ia ngarkoi partisë. Që nuk e mbështeti si duhet. Por ia gjeti telat kësaj partie. Përfitoi nga rrëmuja në zgjedhjet e bëra para pak kohësh. Zihen dy fiton i treti. U zunë të tjerët, fitoi Meminaj. Tashmë kërkon bashkinë. E vështirë. Pa hyrë në analizë të shumtë. Por po themi vetëm një argument. Atë që e tha njëri që i qëndron pranë. “Vlonjatët e kanë të vështirë. Ta zgjedhin atë kryetar bashkie. Sepse është e thjeshtë. Nuk duan qytetarët e vërtetë. Të shkojnë në zyrën e tij nesër. Dhe …të marrin një vërtetim që janë qytetarë. Nga kush? Nga një që vjen nga fshati”. Këtu mbaron. Mbyllet kapitulli. Kandidatura e dytë është shpresëdhënëse. Nga kjo kandidaturë morëm edhe ne shkas për titullin e shkrimit. Vullnet Karalliu nuk është ndonjë “dashnor” i madh i PD. Por di të ruajë ekuilibrat. Është sipërmarrës. Të një ndërmarrjeje me eksperiencë. Dhe me rezultate. Të mëdha. Me përvojë pozitive. Që do ti shërbejnë për të udhëhequr qytetin. Ka disa avantazhe. Së pari nuk është i përlyer deri tani. Në asnjë aferë. Ka parë punën e tij. Të biznesit. Ku ka patur sukes. Por ka qenë i kujdesshëm. Edhe në marrëdhëniet politike dhe shoqërore. Mjaftojmë të kujtojmë se është shok nga të afërmit e Shpëtim Gjikës. Në një llogari të thjeshtë. Do të marrë votat e PD. Ata që nuk kanë lëvizur asnjëherë nga istikami. Por do marrë edhe shumë vota nga krahu i Shpëtim Gjikës. Që përflitet se do të jetë pranë tij. Aq afër sa e kanë emëruar edhe “drejtor të fushatës elektorale të tij”. Sepse partia mëmë ia mbylli dyert e rikandidimit. Dhe kur? Pasi kishte fituar tre mandate. Për këtë parti. Por kështu e ka politika. “Hisja” e Karalliut. Po do marrë edhe votat gri. Të atyre që janë mërzitur nga të dy partitë. Ato kryesore. PS dhe PD. Po ka edhe ca vota të atyre që iu prishën shtëpitë. Edhe atyre që u futën në burg për dritat. Shto pak andej. Shto pak këndej. Dhe kaq mjaftojnë edhe matematikisht të barazojnë shifrat e marra në zgjedhjet e fundit vendore. Mesa duket kjo është shpresa e fitores. Por ajo do vendoset më 21 Qershor. Kaq nga e djathta. Ka edhe nja dy emra të tjerë. Njëri prej tyre një nip i Kreshnik Ҫipit. Po pa shumë gjasa të jenë në konkurrencë. Në Vlorë ka edhe një alternativë të sigurtë. Në favor të së djathtës. Që të vijë të konkurrojë …Bujar Leskaj. Kryetari aktual i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Të majtë e të djathtë shprehen se vetëm ai i kthen buzëqeshjen së djathtës në këtë bastion të majtë. Por burimet tona shprehen ndryshe. Bujar Leskaj është shprehur kategorikisht kundër kandidimit. Për shumë arsye. Që i di ai vetë. Më mirë se ne, por edhe një gjë unë e di sa e di edhe vetë Bujari: ai nuk heq dorë nga detyra që ka aktualisht. Jo vetëm se ndjehet komod. Por se e ka detyrim kushtetues. Do, në mos gaboj edhe 4 vjet ta përmbyllë atë. Atë rrugë të mbarë që ka nisur dhe vazhdon në KLSH. Kështu që ne analizojmë situatën pa Bujar Leskajn. Ne analizojmë me ata që janë aktualisht në “tepsi”. Që edhe vetë ata presin. Se nuk vendos në Shqipëri as logjika, as dëshira. E njërit apo tjetri. Vendos vetëm dëshira e liderit. Madje liderëve. Që nga të dy anët janë po ashtu dy. Rama e Meta nga e majta e Berisha e Basha nga e djathta. Dhe renditjen nuk e kemi gabim. Aspak me dyshim tek e djathta se Lulka do bëjë çdo thotë ‘ujku i vjetër’, Berisha. Tek të majtët renditja është në mëdyshje. Se në pamje duket kapedan Rama. Por edhe Meta është jo më pak kapedan. Varet kush do rezistojë më shumë… Që jo gjithmonë ka dalë dita e gënjeshtrave… Që është zgjedhur edhe kësaj here. Sepse mund të ndodh që vërtetë 1 Prilli të jetë dita e gënjeshtrave. …Se është deh çështja ‘Doshi’… Ndaj edhe shkrimi ynë vlen vetëm deri pa ardhur 1 Prilli. Mbas tij…nuk e dimë. Zoti qoftë me …të gjithë.
Sigal