Valentin Macaj: Ja si zhvat Drejtoria e Burgjeve punonjësit e saj

1053
Kryetari i Sindikatës së Policisë së Burgjeve, Valentin Macaj denoncon në gazetën “Telegraf” një shkelje të rëndë që është konstatuar me kontratën e telefonit
Kryetari i sindikatës së Policisë së Burgjeve, Valentin Macaj i është drejtuar me një denoncim konkret gazetës “Telegraf”. Prej disa kohësh ka kryer hetime administrative si sindikatë dhe në përfundim, pasi ka marrë edhe ankesa të shumta të punonjësve të policisë së burgjeve, ka dalë me një deklaratë konkrete, ku kërkon zgjidhjen e çështjes mes Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe kompanisë celulare, që, sikundër shprehet Macaj, drejtohet nga gjermanët. Macaj thotë në materialin e dërguar, se prej viti 2015 pa dëshirën e tyre, punonjësit e burgjeve kanë firmosur kontrata për numra telefoni të lidhura me kompaninë. Kontratat sipas Macaj janë lidhur mes Drejtorisë së Burgjeve dhe kompanisë, ndërkohë që punonjësve u është servirur si një gjë e domosdoshme dhe e detyrueshme. Ai shprehet se të ndodhur përballë presionit të drejtuesve, kanë pranuar të firmosin, ndërkohë që prej dy vitesh vazhdojnë të paguajnë afrofe për numra të cilët nuk janë në përdorim. 
Pagesat afrofe në favor të kompanisë
Si gjithnjë, prej shumë vitesh, hallet dhe problemet për Gardianët nuk kanë të sosur, si me mungesën e kushteve të punës, ashtu dhe me pagën e suplementet e saj! Prej dy vitesh , si pasojë e një kontrate diskriminuese, të lidhur mes DP Burgjeve dhe kompanisë, të gjithë punonjësit e burgjeve si civilë dhe me uniformë, u detyruan të pajisen me numra të rinj telefoni të kësaj kompanie. Në çdo institucion penitenziar u dha urdhër që të gjithë punonjësit të nënshkruajnë një format kontrate për kushtet e shërbimit dhe pagesat e faturës së kompanisë. Si gjithmonë, kur gjërat jepen me urdhër “nga lart”, punonjësi ndihet nën presion dhe nënshkruan çdo formular që u vihet para tyre! Të gjithë punonjësit u pajisën me dy-tre numra telefoni. Kushtet e kësaj marrëveshje shërbimi në mes punonjësve dhe kompanisë celulare, që në fillim ishin diskriminuese, pasi u përcaktua detyrimi si abone prej 290 ; 390 apo deri dhe 800 lekë në muaj në IEVP Fushë/Krujë e disa të tjerë. Duke parë ofertën e ulët në minuta komunikimi, internet e sms, shumica e punonjësve kërkuan nëpër IEVP ,mbylljen e numrave që kishin marrë, pasi ndiheshin të zhgënjyer me shërbimin . Por ndodhi e kundërta. Jo vetëm që nuk u mbyllën këto numra nga kompania, por u merret “abonoja” mujore çdo punonjësi. Diskriminuese është, të paguash për një shërbim që nuk e merr, pasi paguajnë për numra telefoni jashtë shërbimi. Çdo sektor finance është përballur me ankesa të shumta të punonjësve për pagesat ndaj kompanisë, por të gjendur para një kontrate që është firmosur në vitin 2015 nga “kapot” e burgjeve në Tiranë që me “qetësi e dashuri” i rrjepin çdo muaj vartësit nëpër IEVP, si folën apo jo, e kur numrat janë jashtë shërbimit, ata nuk kanë se çfarë përgjigje të japin. Kulmi arrin në burgun e Fushë/Krujës, kur fatura mujore nga 290 lekë arrin në 800 lekë, sipas punonjësve që janë ankuar në sindikatë. Disa herë, Sindikata është ankuar pranë D.P.Burgjeve për zgjidhjen e këtij problemi, pasi “aboneja-telekom” merret çdo muaj ndërsa të drejtat nuk i njihen abonentit në burgje. Është urdhëruar drejtuesi i sektorit të IT që të zgjidhte këtë problem të krijuar nga kompania, por siç duket , duke qenë „kumbarë” i kësaj kontrate, ka preferuar më mirë lojë fjalësh, sesa zgjidhje problemi. Tani problemi ka marrë përmasa alarmante, sidomos në sektorin e policisë së burgjeve. Me qindra punonjës po ankohen në sindikatë për abuzimin që u behët nga “fatura afrofe” e kompanisë dhe ish-drejtuesve të D.P. Burgjeve. Gjejmë rastin që t’i kujtojmë kompanisë celulare, se duhet të rikthejë faturat e paguara padrejtësisht për gjithë numrat jashtë shërbimit e të mbyllur në sistemin e burgjeve dhe të ofrojë klimën e mirëkuptimit me abonentët e klientët e saj, pasi në të kundërt jemi të detyruar që t’i drejtohemi Gjykatës për zhdëmtim e zgjidhje kontrate. Ne jemi të bindur se pala gjermane e kompanisë, nuk ka informacion për këto “pelivanllëqe” që bëjnë specialistët shqip-folës me abonentët shqiptarë, ndaj besojmë se verifikimi i këtij rasti abuzimi me punonjësit e burgjeve do të marrë zgjidhje pozitive. Sindikata ka gjithë mbështetjen e policisë së burgjeve, që t’i shkojë deri në fund zgjidhjes së padrejtësisë së krijuar që nga viti 2015.
Sigal