Ushtarakët pozicionohen në dy llogore

Përçahen ish- ushtarakët, ja akuzat për njëri-tjetrin pas Kuvendit të djeshëm

Prej muajsh ish-ushtarakët u përpoqën të gjejnë gjuhën e përbashkët dhe të jenë në të njëjtin front. Sot ndihen të “copëtuar”. Flasin Zaimi, Kroi dhe Isufi

Prej muajsh ish-ushtarakët ishin futur në bisedime për t’u bashkuar në një konfederatë. Por dita e djeshme faktoi se mes më të vjetërve, pjesë e shoqatave të ushtarakëve, në lirim, rezervë, pension dhe shumë të tjera, nuk është gjetur gjuha e përbashkët. Nga ajo që është thënë dhe vepruar deri më sot, duket qartë se shoqatat mbrojnë të drejtat e tyre duke u mbështetur tek disa parime të vendosura ndër vite. Ditën e djeshme 16 shoqata të ndryshme ushtarakësh në lirim mbajtën Kuvendin e parë Mbarëkombëtar. Në këtë Kuvend ishin të ftuar edhe përfaqësuesit e katër shoqatave të tjera njëra prej të cilave është ajo e ushtarakëve në rezerve drejtuar nga Thoma Konduri. Por katër shoqata e refuzuan bashkimin në të njëjtën konfederatë, me argumentin se ato janë me një përvojë mbi 20-vjeçare dhe nuk mund të pranojnë të bëhen pjesë e një bashkimi të tillë që sipas tyre bëhet vetëm për interesa ekonomike dhe asgjë më shumë. Pavarësisht debateve, kundërshtive dhe akuzave të forta mes njëri-tjetrit, 16 shoqata e mbajtën dje Kuvendin dhe në fund dolën me një rezolutë. Në këtë rezolutë ata kanë renditur të drejtat dhe detyrimit. Shprehen se do t’i drejtohen qeverisë me qëllim që kjo e fundit të detyrojë ISSH t’u kthejë ushtarakëve borxhin në shumën prej 12.3 milionë euro. U miratua Statusi dhe pritet t’i drejtohen gjykatës për regjistrim. Më pas do të organizojnë një protestë për të kërkuar largimin e kryetarit të Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori. 

Pëllumb Zaimi, ish-kolonel
Ushtarakët tashmë janë të bashkuar. Nga sot ne do të luftojmë për të fituar Statusin e Ushtarakut, i cili që nga viti 2004 mungon. Do të përballemi me çdo gjë në përpjekje për të rifituar të drejtat e mohuara. Madje kemi vendosur që të zhvillojmë dhe një protestë para Gjykatës së Lartë, ku do të kërkojmë largimin prej andej të Xhezair Zaganjorit. Është ky që me anë të një vendimi unifikues, mohoi të drejtat e ushtarakëve. Ai është armik i ushtarakëve. Në Kuvendin e mbajtur ditën e djeshme u bashkuan të gjitha shoqatat pa përjashtim, përfshi dhe atë të UÇK-së. Ndërsa u vetë përjashtua Thoma Konduri dhe Zyhdi Kroi. Të dy këta persona kanë qenë nën mburojën e Ministrisë së Mbrojtjes dhe vazhdojnë ta bëjnë një gjë të tillë. U vendos që Shoqatat e bashkuara do të drejtohen nga një bord kolegjial ekzekutiv ku u zgjodh automatikisht çdo kryetar i 16 shoqatave të bashkuara.

Zyhdi Kroi, ushtarak
Kuvendin e mbajtur ditë e djeshme nga një numër ushtarakësh unë quaj një bashkim fallco. E konsideroj një farsë, sepse të gjithë ata ushtarak që sot luftojnë për bashkimin në një konfederatë të vetme, kanë qenë pjesë e shoqatave tona. Ata janë larguar nga shoqata jonë dhe tashmë kërkojnë të bëjnë një tjetër shoqatë, ku duan të jemi edhe ne të përfshirë. Por ata i kanë përçarë ushtarakët. Një Kuvend të tillë ne e quajmë të panevojshëm. Misioni i shoqatës së përbashkët është të mbrojë të drejtat e ushtarakëve. Por në fakt këtë mision shoqata e Kujtim Çakos e përmbushte në saj të marrëveshjes së bërë me shoqatën tonë SHKUSH. Madje dhe padia në Gjykatën Kushtetuese është bërë nga të dyja shoqatat. Bashkimin e shoqatave të ushtarakëve e kanë braktisur katër të tilla. Në Kuvend nuk ishin të pranishëm, 
Shoqata e aviacionit, me kryetar Astrit Jaupi, Skënderbegasi, kryetar Mikado Shakohoxha, Shoqata e forcave detare dhe shoqata jonë që është e ushtarakëve në rezervë. Të gjitha këto shoqata kanë mbi 20 vjet aktivitet dhe të gjithë ushtarakët janë grumbulluar te këto shoqata. Shoqata Skënderbegasi është shoqatë kulturore
Këto e kanë refuzuar sajesën e tyre. 

Ismet Isufi, ish -ushtarak
Të hënën, në orën 11.00 zhvilloi punimet Kuvendi Mbarëkombëtar i Bashkimit të Ushtarakëve, në praninë e mbi 600 pjesëmarrësve, nga të gjitha shoqatat e armëve e shërbimeve, si të ushtarakëve jashtë tyre në vend, si dhe përfaqësues nga trevat shqiptare jashtë vendit! Njëzëri, me vullnet të lirë pjesëmarrësit vendosën Bashkimin e Ushtarakëve nën moton "Vetëm të Bashkuar Fitojmë të Drejtat Tona!". Përfundimisht, nuk doli "OROSKOPI" i parashikuesve për dështimin e tij , si edhe të përpjekjeve të gjithfarëllojshme për sabotimin e këtij Bashkimi!
Ujojmë forumet drejtuese të këtij Bashkimi: Suksese në detyrën e vështirë për realizimin e aspiratave dhe të drejtave kushtetuese e ligjore të ushtarakeve!

Rezoluta e dalë nga Kuvendi i Ushtarakëve 
Ne, Ushtarakët Veteranë në rezerve, aktivë, në pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, në lirim si dhe në pension të plotë pleqërie, të mbledhur së bashku , pasi zhvilluam me sukses të plotë Kuvendin e Parë Historik të Bashkimit Kombëtar të Ushtarakëve të Shqipërisë, sot më 30 tetor 2017, me vullnet të plotë dhe të lirë, njëzëri vendosëm; Të shpallim “de facto” publikisht të themeluar Shoqatën tonë Mbarëkombëtare të dominuar “Bashkimi Kombëtar i Ushtarakëve të Shqipërisë”, me shkronja nistore BKUSH. 

Ky kuvend, si forumi më i larë vendimmarrës, vendosi që drejtimi midis dy Kuvendeve zgjedhorë të jetë kolegjial dhe të ushtrohet nga Bordi Ekzekutiv Drejtues i Shoqatës Bashkimi Kombëtar i Ushtarakëve të Shqipërisë. Ky i fundit ka të drejtë të zgjedhë kryesinë të përbërë nga presidenti, zv/presidenti dhe sekretari i përgjithshëm, që japin llogari dhe zbatojnë të gjitha vendimet kolegjiale që merr bordi ekzekutiv i BKUSH me shumicë të thjeshtë votash. 

Bazuar në nenin 13 të ligjit numër 8788 datë 07.05.2001 “për organizatat jofitimprurëse”, ky kuvend miraton aktin e themelimit dhe statutin e shoqatës së BKUSH, të hartuar nga Komisioni Nismëtar me kryetar z.Aleksandër Mihali dhe nënkryetar Hysni Mullalli. Ky Kuvend autorizim zotërinjtë Aleksandër Mihali, Ismet Isufi, Nezir Neziri të kryejnë të gjitha veprimet procedurale, duke depozituar në Gjykatën e Shkallës së parë të Rrethit Gjyqësor Tiranë, aktin e themelimit, statutin si dhe kërkesën zyrtare për regjistrimin de jure të Shoqatës sonë “Bashkimi Kombëtar i Ushtarakëve të Shqipërisë”

Kuvendi i Bashkimit Kombëtar të Ushtarakëve Atdhetarë, Patriotë dhe besnikë deri në vdekje ndaj nënëmadhes Shqipëri dhe Sovranit Popull synon ta bëjë të pathyeshme Mbrojtjen Ushtarake të Atdheut dhe garantojë në mënyrë permanente Sigurinë tonë Kombëtare, ndaj mbështet pa rezerva principet shtetërore dhe atdhetare për organizimin e strukturave të Forcave të Armatosura të Policisë së Shtetit, SHISH dhe organeve të Sigurisë Kombëtare të republikës , të cilat duhet të jenë plotësisht të departizuara dhe të pavarura nga ndikimet ose influencat negative të pushteteve të përkohshëm politikë të çdo ngjyre , me ndërgjegje shoqërore dhe moral të pathyeshëm luftarak kombëtar, të pajisura me besnikëri të pasosur ndaj republikës dhe idealeve të shtetit tonë ligjor, të jenë vazhdimisht nën kontrollin strategjik dhe civil të shtetit dhe jo si gjer më sot, nën komandën e pushteteve politikë të partive politike destruktive. 

Shoqata Bashkimi Kombëtar i Ushtarakëve të Shqipërisë do të mbrojë pa rezerva interesat ligjore dhe të drejtat e ushtarakëve veteranë dhe aktivë, në rezervë, në pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi, në lirim ose në pension të plotë pleqërie . Në këtë kuadër, së shpejti , pas regjistrimit de jure të saj, do të organizojmë një tubim protestues kundërvendimit antikushtetues numër 3/2016 të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, z.Xhezair Zaganjori. Ky tubim do të bëhet me qëllim që ushtarakëve t’u jepet pensioni i parakohshëm për vjetërsi shërbimi konform statusit të ushtarakut 2004, në përputhje me nenin 14 të ligjit numër 10142 datë 15.05.2009, që de jure nuk është ndryshuar nga VKM-ja dhe absolutisht e pavlefshme numër 5, datë 10.11.2010, sepse Gjykata Kushtetuese në mbrojtje dhe zbatim të nenit 81, pika 2, shkronja “d” të Kushtetutës, me vendimin numër 10 datë 06.03.2014 e ka shpallur antikushtetues dhe absolutisht të pavlefshëm ligjin numër 10367 datë 23.12.2010, “Për miratimin e aktit normativ me fuqinë e ligjit numër 5, datë 10.11.2010”. Ndaj Shoqata Bashkimi Kombëtar i Ushtarakëve të Shqipërisë , referuar nenit 116/1 të Kushtetutës, do t’i kërkojë publikisht Këshillit të Ministrave të Republikës që të formojë urgjentisht një vendim administrativ për ta detyruar ISSH-në, për t’u kthyer ushtarakëve borxhin në shumën 12.3 milionë euro, minus 3 milion USD të kthyera.

Shoqata Bashkimi Kombëtar i Ushtarakëve të Shqipërisë mëton se Shteti duhet të njohë ligjërisht detyrimin për të trajnuar në profesione të tjera integruese për ekonominë e tregut ushtarakët e nxjerrë në rezervë dhe lirim, të cilët janë në moshë pune dhe nuk njohin profesion tjetër, përveç atij të ushtarakut, duke i ndihmuat të punësohen. Deri në momentin e punësimit t’u plotësojë atyre në masën 100% rrogën që kanë pasur në profesionin e ushtarakut. Pagesat transferuese, për plotësimin e pagave të ushtarakëve deri në punësimin e tyre të plotë, të jenë të garantuara nga shteti.

Ushtarakëve duhet t’u krijohen kushte lehtësuese dhe përparësi për të punësuar familjet e tyre, që mund të kenë mbetur pa punë.

Dikasterit të Ministrisë së Mbrojtjes, Policisë së Shtetit dhe Enteve të Sigurisë Kombëtare t’u njihet e drejta e pronësisë dhe menaxhimit të Spitalit Ushtarak, të Shtëpisë Qendrore të Ushtarakëve në Tiranë, të shtëpive të shërbimit dhe enteve të pushimit në 12 qarqet e vendit, të cilat duhet të jenë në dispozicion të aktiviteteve të ushtarakëve. 

Ushtarakët në rezervë, në lirim, në pension të parakohshëm për vjetërsi shërbimi dhe veteranë në pension pleqërie, të pajisen me letërnjoftim ushtarak si dhe me uniformë ushtarake me gradat përkatëse, e cila të jetë e posaçme, ceremoniale e tipit paradë dhe e ndryshme nga ajo e ushtarakëve aktivë.