USAID-Albania prezanton projektin për Shtetin Ligjor

376
Drejtuesit e USAID-Albania kanë prezantuar sot gjatë një takimi me Ministrin e Drejtësisë, Ylli Manjani, projektin për Shtetin Ligjor, i cili do të jetë kryesisht i përqendruar në përmirësimin e performancës së gjykatave në vendin tonë. Në një deklarate për mediat Ministria e Drejtësisë bën te ditur se “në këtë takim, Marcus Johnson, Drejtor i USAID/Albania, e njohu Ministrin Manjani me koordinatorët e këtij projekti të ri, ndërsa bëri me dije se ky projekt do të ketë një kohëzgjatje prej pesë vitesh dhe pritet të ndërhyjë në disa çështje specifike në sistemin gjyqësor”.
Ministri Manjani e ka vlerësuar mjaft pozitivisht këtë projekt të ri të USAID/Albania dhe njëkohësisht i cilësoi mjaft premtues termat e referencës së këtij projekti. 7Manjani ka shprehur vullnetin për ta përkrahur maksimalisht këtë projekt të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ndërsa theksoi rendësinë që kanë çështjet që lidhen me dhënien e një drejtësie pa vonesa, transparencën në vendimin e gjykatës, etj, që do të trajtohen nga ky projekt, probleme që kryesisht kanë krijuar një perceptim negativ apo edhe mungesë besimi në sistemin gjyqësor.
Përmirësimi i shërbimeve ndaj qytetarëve është vlerësuar nga Ministri Manjani si reforma e vërtetë, duke theksuar se ky duhet të jetë objektivi i të gjithë aktorëve të sistemit të drejtësisë. Gjithashtu për Ministrin e Drejtësisë, Ylli Manjani një rëndësi të veçantë ka edhe përmirësimi i klimës së raportimit të medias, si një instrument me mjaft ndikim në rritjen e transparencës. E pranishme gjatë këtij takimi ishte edhe Anne Trice, drejtuese e projektit “Për Përmirësimin e Punës së Gjykatave në Shqipëri”, e cila u shpreh se, krijimi i një bashkëpunimi të afërt me Ministrinë e Drejtësisë dhe ekspertët e saj do të ishte një garanci më shumë në suksesin e rezultateve të këtij projekti.
Sigal