Urdhri i Ramës, ministrat zhvendosen në veri

553
Kryeministri Rama ka porositur ministrat të organizojnë një seri takimesh me qytetarët dhe grupet e interesit në qytetet veriore të vendit. Pas problemeve dhe tensioneve me vendosjen e tarifës, protestën dhe arrestimet për Rrugën e Kombit, strategjia qeveritare i ka orientuar anëtarët e kabinetit drejt veriut të vendit. Në fokusin e takimeve janë Kukësit, Tropoja dhe Shkodra, ku edhe gjatë ditëve të fundit është shtuar prania e zyrtarëve të lartë të qeverisë. Ndërsa temat që do të trajtohen në këto takime do të jenë vendosja e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për biznesin e vogël dhe e tarifës për përdorimin e Rrugës së Kombit. Ministri Ahmetaj ka qenë pak ditë më parë në Kukës, ndërsa zv/ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Artan Shkreli, ka zhvilluar takime edhe në Tropojë. Gjithashtu, ministrat Ahmetaj dhe Bushati ndodheshin të shtunën në Shkodër në një panair për punësimin dhe aktivitete të tjera. Ndërsa ministri Gjiknuri ka qenë dje në Kukës për të diskutuar pikërisht për investimet në Rrugën e Kombit dhe tarifën. Rruga e Kombit, investimi më i madh infrastrukturor në vend, është ende një kantier i hapur dhe sipas ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, dublimi i urave të mbetura të papërfunduara dhe elementët e sigurisë rrugore do të mbyllen brenda këtij viti. Gjiknuri, i shoqëruar nga drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Afrim Qendro, inspektuan në Kukës kantierin e hapur në një prej urave që po dublohen. Ministri ka prekur edhe çështjen e tarifës që do t’i paguhet koncesionarit për kalimin në rrugë. “Jemi duke negociuar me koncesionarin, por njëkohësisht duke u konsultuar edhe me popullatën për të gjetur një zgjidhje për një tarifë të reduktuar për banorët e këtyre zonave, sidomos për transportin publik dhe qytetarët që e përdorim më shpesh rrugën Kukës-Tiranë. Nga ana tjetër, dua të them që kemi filluar edhe me evidentimin e të gjitha mjeteve që janë të targuara në Kukës. Jemi duke bërë krahasimet me banorët që janë pjesë e këtij komuniteti dhe që i zotërojnë këto mjete, në mënyrë që të trajtohet ajo fashë e njerëzve që preken nga ky koncesion dhe që jetojnë në Qarkun e Kukësit. Është një proces i filluar mirë dhe besoj brenda një periudhe shumë të shkurtër, përpara se të fillojë dhe njëherë funksionimi i pagesave të Toll-it, ne do të kemi një zgjidhje. Besoj do jetë shumë e pranueshme por njëkohësisht nuk cenon edhe efektivitetin e kontratës, nuk cenon mbarëvajtjen e kontratës për mirëmenaxhimin e kësaj rruge”, nënvizoi Gjiknuri. Gjithashtu, një ditë para fillimit të “Javës së Tokës”, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, së bashku me të rinjtë aktivistë të Ecovolis dhe Ekomendje pastruan skajin më verior të detit Adriatik. Në grykëderdhjen e lumit Buna, në fillim të plazhit të Velipojës bashkë me ujërat vijnë edhe mbetjet që shpërndahen më pas në rërë. Klosi apeloi qytetarët dhe bizneset që të përfshihen në “Javën e Tokës”. Kreu i Turizmit dhe Mjedisit theksoi se aksioni do të vijojë edhe pas datës 22 prill përgjatë gjithë sezonit turistik.
Sigal