Urdhri i Ministrisë së Brendshme: “Pa paguar taksat, nuk bëhet martesa”

489
Sigal

Nga Maksim  TUFA

Një urdhër i
firmosur nga kreu Ministrisë Brendshme Sajmir Tahiri,  dhe i (keq) përdorur nga institucionet e
tjera vendore, duket se ka lënë pa martuar qindra çifte të reja, që kanë
trokitur në dyert e Gjendjeve Civile dhe Njësive Administrative të Bashkive për
të kryer celebrimin. Burime nga mjaft bashki dhe Njësi Administrative të vendit
i thanë “Telegraf” se “prej 1 muaji nuk
kemi mundësi të bëjmë zyrtarisht martesat ose siç njihen ndryshe celebrimet mes
çifteve, pasi na ka
ardhur një urdhër nga Ministria e  Brendshme, ku thotë se duhet që çdo banor
përpara se të firmosë martesën të jetë “Ok” me pagesën e taksave, kjo vlen për
banorët e qyteteve dhe ish-komunave”. Situata ka qenë sa qesharake aq edhe
dramatike, sepse me qindra çifte janë kthyer “duarbosh”, nga Gjendjet Civile
pasi ashtu janë kthyer edhe nga Njësitë Administrative të bashkive respektive,
pasi u është kërkuar “paguani taksat e
tokave, banesave, plehrave
,” dhe lloj-lloj taksash të tjera pastaj
celebrohuni. Afrimi  festave  të Fundvitit, ka rritur edhe numrin e
martesave (celebrimeve) në  Gjendjen
Civile në bashkitë e vendit, pasi lidhet me ardhjen e emigrantëve, fejesat dhe
martesat e tyre. Mjaft  çifte kanë pasur
probleme me punonjëset e Gjendjeve Civile dhe Njësive Administrative, sepse në
çdo rast ato kërkonin pagesat e taksave, duke mos marrë asgjë parasysh. Pavarësisht
se fjala e tyre ka qenë e prerë, edhe në rastin kur nga çiftet është kërkuar
konstatimi zyrtar, pasi taksat paguhen çdo muaj bashkë me faturat e OSHEE dhe
Ujësjellës-Kanalizimeve nga familjarët e tyre, duket se sportelet e Gjendjeve
Civile dhe Njësive Administrative në bashkitë e vendit, e kanë kthyer në biznes
ndoshta edhe urdhrin e ministrit. Sipas disa informacioneve nga disa bashki të
vendit mësohet, se “në mjaft  raste urdhri ministrit po përdoret si shkak
për të zhvatur para nga emigrantët dhe çiftet e reja që kërkojnë celebrimin
legal, pasi kërkojnë largimin drejt 
vendeve ku janë rezident prej vitesh, duke paguar jo vetëm 5 mijë lekë
të reja taksa, por edhe duke dhënë bakshishin 50 euro ose edhe 100 euro kur
kanë urgjencë”.
Kthimi në biznes dhe kthimi në aferë korruptive i një urdhri  ministri, qoftë ky edhe absurd tregon, se
institucionet e shtetit, jo vetëm në qendër, por edhe në rrethe, kanë
degjeneruar plotësisht. Kapja pas një urdhri, keqpërdorimi i tij, duket se ka
kthyer në vatra korrupsioni Njësitë Administrative dhe zyrat e Gjendjeve Civile
në mjaft bashki të vendit. Realisht taksat e bashkive në çdo Njësi
Administrative, paguhen bashkë me faturat e OSHEE dhe Ujësjellës-Kanalizimeve,
ku përfshihen edhe taksat e plehrave, gjelbërimit, arsimit dhe gjithçka tjetër.
Ndaj reagimi dhe kapja pas një urdhri absurd, është vetëm sebepi për të zhvatur
ca para (lekë ose euro) nga qytetarët dhe emigrantët që dynden në festat e Fundivitit
për të celebruar martesat e tyre. Probleme emigrantët  kanë pasur edhe me nxjerrjen e pasaportave të
reja, (ose rinovimin)  pasi kanë nisur radhët
e gjata në sportelet e tërheqjeve të tyre. Gjithë kjo histori, përsëritet
rëndom sa herë vijnë festat e Fundivitit, sa herë afron sezoni veror, sa herë
dynden emigrantët  drejt  vatrave 
të tyre edhe për t’u  martuar e
gëzuar, por pritja që u rezervohet nga institucionet e shtetit shqiptar  është më e keqe, se harbute, duke iu kujtuar
atyre se ky vend  nuk ka gjasa të
ndryshojë asgjë për mirë.