Urdhëri i Haritos: 105 mijë nëpunës, për 10 ditë të pajisjen me dëshmi penaliteti

542
Një javë më parë është lëshuar një urdhër prej zonjës Milena Harito, Ministre e Inovacionit dhe Administratës Publike, lidhur me dëshmitë e penalitetit të punonjësve të administratës publike. Sipas këtij urdhëri, gjithë punonjësit që paguhen nga buxheti i shtetit, duke nisur nga kupola e administratës publike e deri tek roja i çerdhes së fëmijëve, duhet që brenda muajit mars 2015, të dorëzojnë në zyrat e burimeve njerëzore, apo në administratat e drejtorive të institucioneve dëshmitë e penalitetit dhe vërtetimet e gjendjes aktaule të penalitetit. Ky është një kusht ligjor, për t’u zbatuar nga të gjithë punonjësit dhe nëpunësit e çdo niveli që punojnë në administratën publike, në institucione e shërbime shtetërore. Anormal është urdhëri që ka lëshuar ministrja “inovatore” Milena Harito, që punonjësit e dhe nëpunësit e administratës të pajisjen me këto dokumente pastërtie penale të figurës personale, brenda 10 ditësh! A mund të arrihet zbatimi i këtij urdhëri brenda 10 ditësh, kur dihet që në Shqipëri ka vetëm një shërbim publik, që pajis qytetarët me dëshmi penaliteti?! Kur dihet që pajisja me këtë dokument ka afat lëshimi deri në 15 ditë për 1 person! Po sa qytetarë kërkojnë dëshmi të tilla në ditë? Në Shqipëri janë 88 mijë nëpunës të administratës së ministrive. A ka kapacitet zyra e penaliteteve të pajisë këtë numër të madh punonjësish me dëshmi brenda 10 ditësh, siç urdhëron ministrja Harito?! A e di ministrja Harito, se aplikimi për dëshmi penaliteti bëhet nëpërmjet zyrave postare dhe, që të kryesh këtë shërbim në sportelet e zyrave postare, sidomos në Tiranë, duhet të qëndrosh 1 ditë në rradhë?! Në gjithë Shqipërinë, janë 105 mijë e 265 zyrtarë, mësues, policë, ushtarakë, mjekë, infermierë, oficerë tatimesh, doganash, punonjës të sektorëve ndihmës, punonjës portesh e aeroportesh, që paguhen nga shteti. Të gjithë këta, sipas urdhërit të ministres Harito, duhet të zënë radhë për orë ditë të tëra nëpër sportelet e postës, të prokurorive, policive e gjykatave, për t’u pajisur me dëshmi penaliteti dhe me vërtetime, që janë ose nuk janë në gjykim, ose ndjekje penale! Përse duhet të shkojnë e të rropaten punonjësit nëpër radha sportelesh, kur çdo institucion, apo shërbim publik, ka një ushtri me nëpunës administrate, që mund të dërgojnë listat e punonjësve e nëpunësve të tyre, në zyrat e peanliteteve, prokurorisë, gjykatave e policisë, për t’u kërkuar “pastërtinë” e punonjësve të vetë?! Sipas urdhrit “Harito”, pajisja e me këto dokumente, që nuk kushtojnë pak, do të bëhet në çdo 3 muaj, aq sa ka dhe afatin e “skadencës” vërtetimi i penalitetit. Pra, në çdo 3 muaj punonjësit shtetërorë, do të zënë radhë e do të paguajnë! Po përse bëhet kjo? Burime të gazetës “Telegraf”, thonë se ky urdhër nuk ka dalë për të verifikuar gjendjen penale të punonjësve të shtetit, por për të zhvatur lekë prej tyre për llogari të mbushjes së arkës së Postës e të shtetit, nëpërmjet pagesës mijëra vërtetimeve, që do të lëshohen çdo ditë! Sepse, nëse urdhri “Harito” do të kishte lidhje me “merakun dhe zbatimin” e ligjit për pastërtinë e figurës së nëpunësve dhe punonjësve të shtetit, kjo zgjidhje, do të ishte bërë qysh kur ministrja Harito e mbushi ministrinë, që drejton me individë pa paraqitur dëshmi penaliteti, qysh kur organizoi konkurset fantazma për nëpunësit dhe qysh nga dita e parë e pushtetit “Rilindja”, kur lejoi gjithë ministrat e drejtorët, të mbushnin zyrat me persona të penalizuar e të dënuar burg, madje ende në kërkim në shumë vende të BE-së.
Sigal