Universitetet nisin protestat Mbarëkombëtare/ Asambleja e pedagogëve dhe këshillat studentore vendosin të fillojnë grevën pa afat, pasi qeveria nuk anulon ligjin për Arsimin e Lartë. Ministrja e Arsimit braktis takimin me studentët në Shkodër, sepse i trembet medias

518
Sigal

Ministrja e re e Arsimit braktis takimin me studentët në Shkodër, ngaqë nuk pranon median të jetë e pranishme

Pedagogët paralizojnë me grevën pa afat universitetet publike

Jakup B. GJOÇA

Dje skadoi edhe afati një javor që pedagogët i kishin vendosur qeverisë për plotësimin e 5 kërkesave të tyre. Ditën e djeshme pedagogët e UT-së  patën takim me ministren e Arsimit, Besa Shahini por negociatat nuk dhanë  asnjë rezultat.

Prof. Dr. Mark Marku: Ministrja e Arsimit nuk ka vullnetin për t’u përgjigjur

Pas takimit, pedagogët u shprehën pse dështuan negociatat e tyre me ministren e Arsimit Besa Shahini: Prof. Dr. Mark MarkuDiskutuam për gjendjen në universitet dhe i qëndruam bisedave rreth kërkesave që takimi i asambleve të Universitetit të Tiranës ka mbajtur. Nuk pati qëndrim konkret. Në terma të përgjithshëm ministrja Shahini tentoi ta çojë diskutimin në një diskutim jo rezultativ. U diskutua shumë por nuk ramë dakord për asgjë. Ministrja nuk ka vullnetin për t’u përgjigjur për gjendjen adekuate në të cilën ndodhet universiteti.  Do i drejtohemi trupës akademike për një grevë të përgjithshme të pedagogëve. Sa u përket Paktit për Universitetin, pedagogët shprehen se ai nuk sjell plotësimin e kërkesave të tyre. Mark Marku: Ministrja u përpoq të na mbushte mendjen sesa i mirë ishte pakti i qeverisë për arsimin, gjë që në një njëfarë mënyre ishte fyese për ne, sepse ne e kuptojmë shumë më mirë se ajo.

Senati i UT kundër VKM-ve për studentët: Të papranueshme ligjërisht dhe kushtetutshmërisht

Dje  Senati i Universitetit të Tiranës është shprehur kundër VKM-ve për studentët, të datës 26 dhjetor 2018 , duke i shpallur të papranueshme ligjërisht dhe kushtetutshmërisht, me përjashtim të asaj të tarifës studentore.

Asambleja e pedagogëve: Grevë pa afat

Asambleja e pedagogëve, pra shumësia e të gjithë atyre që përbëjnë fakultetin e Shkencave Sociale , pas dështimit të negociatave me ministren e Arsimit, morën vendimin që shpalljen e grevës së përgjithshme të mësimit, deri sa qeveria të anulojë ligjin për Arsimin e Lartë dhe të plotësojë 8 kërkesat e studentëve. Edhe këtë radhë protagonistë të kësaj lëvizjeje me nerv qytetar u bënë mësimdhënësit e shkencave sociale, që i kanë dhënë që në fillim tonin lëvizjes brenda universiteteve, duke mbledhur për herë të parë asamblenë dhe duke dalë, pas një ushtrimi të demokracisë perfekte me anë të votimit, me kërkesa të hapura për qeverinë.

Ministrja e Arsimit Shahini braktis takimin me studentët

Pardje ministrja e Arsimit Besa Shahini braktisi Komisionin Parlamentar të Medias, për t’iu shmangur dhënies së llogarisë për protestat e vazhdueshme të studentëve dhe pedagogëve në universitetet publike. Ndërsa dje, ministrja e Arsimit Shahini, braktisi edhe takimin që kishte organizuar me studentët e Universitetit të Shkodrës. Shkaku: Ministrja Shahini kërkoi që takimi të bëhej pa praninë e medias, sepse i trembet transparencës. Ndërsa ministrja Shahini e braktisi sallën e takimit, studentët e shoqëruan me thirrjet : “Turp,Turp!”. Pas dështimit të mbledhjes së ministres së Arsimit, Besa Shahini, studentët u shprehën, se ata kishin kërkuar transparencë për këtë takim, ndaj ishin thirrur edhe mediet, por kjo nuk është pranuar nga ministrja Shahini, e cila ka braktisur sallën. Studentët e akuzojnë Shahinin si një “shërbëtore” të ish-ministres Lindita Nikolla.  Vetë ministrja e Arsimit, e pranon që shkoi në takimin me studentët  “për të diskutuar për  paktin për universitetin me kushtin që takimi të bëhej pa media, e që nuk erdhën sepse salla ishte mbushur me kamera. Jam në dispozicion për takim tjetër kurdoherë.”

5 kushtet e pedagogëve

Mbështetje për kërkesat studentore

Anulimi i ligjit për arsimin e lartë dhe fillimi i procedurave për hartimin e një ligji të ri

Rritja e buxhetit për arsimin publik

Anulimi i menjëhershëm i VKM-ve, të cilat bien në kundërshtim me autonominë universitare dhe lirinë akademike

Ndalimi i fushatës denigruese të figurës së pedagogut dhe miratimi i statusit të pedagogut