Unaza/ Balliu: Po bëhet vjedhja më e madhe në histori

467
Sigal

Ish-deputeti i PD, Klevis Balliu duke folur te Unaza e Re, tha se Rama e Veliaj pastrojnë paratë e krimit në këtë zonë, teksa po kryejnë vjedhjen më të madhe në histori. Balliu u shpreh se Edmond Bego pastron paratë e drogës duke ndërtuar pallate, në bashkëpunim me Erion Veliajn.

“Ku keni parë ju që 1.8 kilometër rrugë të shkojë 40 milionë euro? Askund. Paguajnë shqiptarët e ndershëm qindra miliona lekë për të mbushur xhepat Rama dhe Veliaj. Rama është ai që përpara disa kohësh deklaronte se nuk ka shtëpi, ka vetëm 3000 euro, kurse sot ka shtëpi të madhe dhe i bëri befasisht, kaq shpejt. Këta nuk bëjnë gjë tjetër, përveç se i shërbejnë Edmond Begos për të pastruar para duke ndërtuar pallate. Po bëjnë vjedhjen më të madhe në histori”, tha Balliu.

Klevis Balliu theksoi se ministrat, deputetët dhe drejtorët e Ramës bëjnë çfarë t’ju thotë kryeministri, pasi në të kundërt ata përjashtohen. “Ministrat, deputetët, drejtorët, vetëm i lëpihen Ramës. Ata i thonë ditë e natë ‘Urdhëro shef’, duke mos folur për asnjë padrejtësi që ndodh. Këta janë të bindur ndaj një njeriu, ndaj Ramës, duke kthyer parlamentin shqiptar sot në parlament të krimit të organizuar dhe jo të qytetarëve shqiptarë”, deklaroi Balliu.

Për Klevis Balliun, te Unaza e Re ka goxha rrugë dhe nuk sheh arsye të madhe për ndërhyrje, përpos se babzisë për të grabitur. Ai hodhi akuza në drejtim të Kryeprokurores së Përkohshme Arta Marku, ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj, duke i akuzuar se përdoren nga Rama.

“Këtu te Unaza e Re mund të bëhet vjedhja më e madhe në histori. Unë kam një apel ndaj Kryeprokurores së Përkohshme Arta Marku. Ti zonjë po qëndron aty dhe po i bindesh verbërisht Ramës, shefit tënd dhe do të mbahesh mend se ke dhënë urdhër-arreste për protestues të thjeshtë, në të drejtën e tyre. Ndërsa ministri Lleshaj, ministri Kimiku, do të mbahet mend si ministri që arrestoi protestuesit. Një turp i vërtetë”, u shpreh Balliu. Ai shtoi se sot edhe drejtësia ka rënë, duke nënvizuar se nuk ka Gjykatë Kushtetuese, as Prokurori e as gjykatë.