TVSH-ja pa përjashtim do të rrisë presionin për rritje të çmimeve

559
Administrata tatimore do të ketë një angazhim administrativ të konsiderueshëm për shqyrtimin dhe analizën e qindra mijë deklaratave të TVSH-së të shtuara në sistem nga biznesi i vogël, si dhe për analizat e riskut dhe kontrollet tatimore.
Nga Sherefedin Shehu
Projekti për përfshirjen e të gjitha bizneseve të vogla në skemën e TVSH-së është zgjidhja e gabuar e një shqetësimi të drejtë. Bizneset e mesme dhe të mëdha hasin në rezistencë për pranimin e faturave të shitjes nga një pjesë e bizneseve të vogla dhe për këtë pjesë, ata nuk mund të kreditojnë TVSH-në e paguar gjatë prodhimit ose në blerje. Por, supozimi se me përfshirjen pa dallim të bizneseve të vogla në skemën e TVSH-së do të imponohet marrja e faturave të shitjes, është i gabuar.
Mospranimi i faturës nuk lidhet me faktin se ata nuk paguajnë TVSH, por me hapësirën për informalitet. Sot kemi biznese të paregjistruara dhe ato do të vazhdojnë të mos paguajnë edhe nesër kur të zgjerohet skema e vjeljes së TVSH-së. Kemi biznese që nuk pranojnë fatura kur edhe sot ligji i detyron që të marrin faturë në blerje dhe të lëshojnë kupon tatimor në shitje, dhe ato t’i regjistrojnë në librin e të ardhurave dhe të shpenzimeve. Fakti që nuk e zbatojnë ligjin sot tregon se ata kanë mundësi të fshihen dhe situata do të vazhdojë të jetë njëlloj edhe kur të futen në skemën e TVSH-së.
Zbatimi i TVSH-së pa përjashtim është një manovër për të rritur barrën fiskale. Formalisht do të përdoret justifikimi se bizneset do të jenë të interesuara për kreditimin e TVSH-së në blerje. Por, në të vërtetë, ato do të paguajnë një tatim që nuk e kanë paguar deri sot, sepse TVSH-ja që do të paguajnë në shitje është më e madhe se kreditimi i TVSH-së që ata kanë paguar në blerje. Kështu futja e TVSH-së do të rrisë barrën fiskale dhe do të nxisë tendencën për informalitet.
Zbatimi i TVSH-së pa përjashtim do të rrisë presionin për rritje të çmimeve. Praktikisht do të kemi një kosto fiskale të shtuar për bizneset e vogla dhe një argument të ri për rritjen e çmimeve. Dihet që TVSH-ja paguhet nga konsumatorët, por shitësit e transferojnë tek ata nëpërmjet çmimit. Tendenca për rritje të çmimeve do të jetë më e madhe tek bizneset e mesme dhe të mëdha mbasi më shumë se 95% të çmimit e marrin ato. Por edhe bizneset e vogla do të tentojnë t’i rrisin çmimet për të transferuar sa të mundin koston e shtuar fiskale te konsumatorët.
Aplikimi i TVSH-së do të rrisë kostot e tjera të biznesit dhe të administratës tatimore. Bizneset e vogla, përveç librit të të ardhurave dhe shpenzimeve, do të jenë të detyruar që të mbajnë edhe librin e TVSH-së. Ndërkohë duhet të bëjnë deklarimet dhe rakordimet mujore për TVSH-në, të sistemojnë dhe mbajnë gjendjen e mallrave dhe të inventarëve dhe t’i nënshtrohen burokracisë administrative për kreditimin dhe rimbursimin e TVSH-së. Nga ana tjetër, administrata tatimore do të ketë një angazhim administrativ të konsiderueshëm për shqyrtimin dhe analizën e qindra mijë deklaratave të TVSH-së të shtuara në sistem nga biznesi i vogël, si dhe për analizat e riskut dhe kontrollet tatimore.
Shkallëzimi i mëparshëm i tatimit mbi të ardhurat e bizneseve të vogla dhe zbatimi i TVSH-së nuk përputhen me praktikat më të mira fiskale dhe rekomandimet e FMN-së. Në deklaratën e fundit, FMN-ja rekomandon që “Struktura e TVSH-se dhe e tatimfitimit per bizneset e vogla duhet te marre ne konsiderate nje regjim te thjeshtuar per ta minimizuar barrën per administratën tatimore”. Prandaj, zgjidhja e problemit do të ishte përmirësimi i administrimit tatimor dhe rivendosja e skemës së dikurshme të tatimit të thjeshtuar mbi fitimin./Monitor
Sigal