Tusk: Sfida e radhës, bindja e vendeve anëtare

498
Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, tha dje në Tiranë se Shqipëria e meriton hapjen e bisedimeve për anëtarësim dhe se ajo çfarë ka arritur është më se e mjaftueshme për këtë. Tusk megjithatë paralajmëroi se sfida e radhës është që të binden të gjitha vendet anëtare. Presidenti i Këshillit Evropian nisi një tur në vendet e Ballkanit në kuadër dhe të përgatitjeve të takimit të nivelit të Lartë të Sofjes, më 17 maj mes udhëheqësve evropianë dhe atyre të Ballkanit. Rekomandimi nga ana e Komisionit Evropian javën e shkuar për hapjen e bisedimeve për anëtarësim me Shqipërinë, tregon sipas Presidentit të Këshillit Evropian, se vendi “ka bërë përpjekje të mëdha e se po bëhet gati të nisë” atë që ai e cilësoi “një prej projektet më pozitive politike në historinë e vet”. Presidenti Tusk ishte i drejtpërdrejtë në vlerësimin e tij për këtë proces, kur tha gjatë deklaratës me kryeministrin shqiptar Edi Rama se “ajo çka keni bërë dhe dua të jem shumë i qartë, është e mjaftueshme për të çelur bisedimet për anëtarësim, nuk ka asnjë dyshim. Nuk është vetëm thelbi i rekomandimit të Komisionit Evropian, por është dhe opinioni im dhe nuk jam i vetëm në këtë dhe kjo është ajo çka besoj thellësisht”. Megjithatë presidenti i Këshillit bëri gjithashtu të qartë se “një tjetër sfidë do të jetë që të binden të gjithë shtete anëtare të BE-së në qershor, për të nisur negociatat. Jam i vetëdijshëm që ky proces do t’i ngjajë më shumë një gare me pengesa sesa një autostrade, por nuk kam dyshim se integrimi i plotë mbetet fati ynë i përbashkët”. Edhe për autoritetet shqiptare është e qartë se fjala e fundit nuk është thënë ende. “Të gjithë shqiptarët presin me padurim të vazhdojnë në këtë rrugë dhe të kemi sa më parë të jetë e mundur, mbështetjen e plotë të të gjithë vendeve anëtare për këtë rekomandim”, u shpreh kryeministri Edi Rama. Më 17 maj në Sofje do të organizohet dhe takimi i nivelit të lartë mes Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor dhe vizita në Ballkan e Tusk lidhet me përgatitjet për këtë takim, i cili siç tha ai “duhet të rikonfirmojë perspektivën evropiane të rajonit e duhet të përcaktojë mënyrat dhe mjetet për të përmirësuar lidhjet me dhe brenda rajonit”, sepse siç theksoi Presidenti i Këshillit Evropian “për ta nxitur bashkëpunimin nuk është e nevojshme të pritet deri në zgjerimin e BE-së”.
Sigal