Tushaj: Jam përpjekur gjatë këtyre viteve t’i jap vëmendje që meriton gruaja

579
Kandidati i përbashkët i “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, z. Viktor Tushaj, zhvilloi një takim me përfaqësuese të shoqërisë civile në Lezhë. Në këtë takim , z. Tushaj shoqërohej nga deputetja e Qarkut të Lezhës, znj. Monika Kryemadhi dhe nga Ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli. 
Gjatë takimit me to, kandidati z. Viktor Tushaj vlerësoi rolin e gruas në shoqëri dhe përshëndeti rritjen e angazhimit të saj në politikë, jetën publike apo intelektuale. Z. Tushaj tha se ka ende nevojë për të bërë akoma më shumë, pasi gratë janë burimi i një shoqërie të emancipuar. 
“Jam përpjekur që gjatë këtyre viteve të mandateve të mia në krye të bashkisë së Lezhës të adresoj atë vëmendje që meriton gruaja, jo vetëm për të qenë pjesë e administratës, por edhe në vendimmarrje. Dy janë elementët nëse do të vlerësosh një qytet. Nëse do të vlerësosh nëse një qytet jeton mirë dhe i qeshur, shiko fëmijët. Nëse do të shikosh nëse një qytet është i emancipuar, shiko gratë se sa aktive janë, sa pjesëmarrëse janë në jetën publike. Unë ndjehem krenar që në harkun e këtyre viteve pjesëmarrja e gruas në administratën publike dhe në administratën e Bashkisë së Lezhës ka ardhur në rritje, gjë që tregon se emancipimi i gruas në qytetin e Lezhës është një fokus i vëmendjes sonë për të ndikuar në fund të fundit në cilësinë e jetës sonë. Besoj se duhet të ketë më tepër vend në vendimmarrje për shkak të gjithë këtyre elementëve që janë shumë të rëndësishëm në ndërtimin e një shoqërie të emancipuar”, tha z. Tushaj. 
Ministrja e Mbrojtjes, znj. Mimi Kodheli dhe deputetja znj. Monika Kryemadhi u kërkuan grave të jenë më të pranishme në jetën politike, si e vetmja mënyrë për të ndryshuar mentalitetin e hershëm dhe për të sjellë një tjetër frymë zhvillimi në vend.
“Të pasurit e një qeverie mendjehapur, ku një pikat kyçe ka vënë gra, që drejtojnë është hapi i parë drejt një të ardhme totalisht të ndryshme nga ajo e djeshmja. Kjo është një frymë që vjen deri te qeverisja vendore. Kjo është një frymë që do të vijë akoma më shumë në Lezhë. Sigurisht involvimi i tyre me më shumë pushtet është hapi i parë si shëmbëlltyrë, si model i qeverisjes. Por ky do të ishte vetëm fillimi. Projektet, programet, përmirësimi i cilësisë së çerdheve, kopshteve dhe shkollave sepse në fund të ditës përtej gjithë sakrificës që bëni, keni më shumë përzemër atë çka fëmijët tuaj nesër do të kenë si të ardhme, mënyrën se si do të rriten, mënyrën se si do të edukohen. Por nuk është e mjaftueshme nëse qeveria, pushteti lokal që është më pranë jush, nuk ua jep këtë shans dhe këtë mundësi”, tha znj. Kodheli. 
Një tjetër takim u zhvillua me shoqatën “Dibra”, e cila vlerësoi kontributin e deritanishëm të z. Tushaj për Bashkinë e Lezhës.
Mbështetjen për kandidatin Viktor Tushaj, tek komuniteti dibran që jeton në Lezhë e kërkoi edhe deputetja Monika Kryemadhi. Znj. Kryemadhi theksoi se dibranët me mençurinë dhe fisnikërinë që kanë, do të dinë të zgjedhin alternativën e duhur, jo vetëm për ta, por për të gjithë të tjerët që i rrethojnë. 
“Ne kemi ardhur dhe kërkojmë votën për Viktorin, jo për t’jua imponuar. Por qytetarët dibranë ka qenë të kujdesshëm për të dëgjuar të gjithë kandidatët, programet dhe alternativat e tyre. Unë jam e bindur se mençuria, fisnikëria, do të shkojë në vendin e duhur sepse dibranët kanë ditur të zgjedhin, kanë ditur të vendosin”, theksoi znj. Kryemadhi. 
Kandidati Viktor Tushaj, i cili është anëtar nderi i kësaj shoqate, garantoi dibranët se me resurset që Lezha ka dhe me projektet që do të implementohen, zhvillimi ekonomik dhe urban është i sigurtë. 
Një tjetër ndalesë ishte takimi me banorët e fshatit Grash, ku kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për Bashkinë e Lezhës është pritur me një entuziazëm. Në takimin me banorët, kandidati Tushaj pranoi se situata në këtë fshat është tejet e vështirë dhe se ka nevojë për ndërhyrje imediate. 
“Gjendja e shkollës është e mjeruar, qendra shëndetësore është në funksionet minimale, infrastruktura lë shumë për të dëshiruar, ndërsa uji i pijshëm mungon totalisht”, tha ndër të tjera z. Tushaj, teksa garantoi banorët se nëse do të ketë mbështetjen e tyre, standardi i këtyre shërbimeve do të ndryshojë totalisht. “Kundërshtari im politik merret me investimet që kemi bërë në qytet, e me të cilat krenohet gjithë Lezha, por unë nuk kandidoj me kundërshtarin, por me qytetarët, që të jem pranë halleve dhe problemeve të tyre, dhe të jap kontributin tim për zhvillimin e Grashit dhe çdo zone tjetër që vuan pasojat e sistemit të tranzicionit, tha z. Tushaj.
Sigal