Turqit gllabërojnë minierat, Soros naftën, shqiptarët marrin arratinë

629
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Kompanitë e Erdoganit gllabërojnë minierat, Soros naftën, shqiptarët marrin …arratinë

Turqit e TETE Albania marrin me koncesion minierën e bakrit Gurth 3, por nuk e hapin

Shumë herë kryeministri Rama ka bërë me dije se Turqia, si vend strategjik i Shqipërisë do të investojë në Shqipëri shumë projekte, duke filluar që nga aeroporti i Vlorës, dhe deri tek AIR ALBANIA. Mirëpo, në këto 5 vite, Turqia nuk ka investuar asnjë qindarkë investimesh, përveçse ka përfituar dhjetëra koncesione, të cilat janë thjesht shfrytëzim i hidrocentraleve, Metalurgjiku, si edhe miniera.

Kompanitë e Erdoganit gllabërojnë minierat

Miniera e bakrit dhe zinkut, Gurth 3, e cila mbetet e mbyllur nga vitit 1992 do të riaktivizohet sërish. Një kompani turke, do të marrë me koncesion minierën e bakrit në Gurth, Orosh të Mirditës. Turqit e Tete Albania kanë dorëzuar së fundmi pranë institucioneve shqiptare dokumentacionin, ku kërkojnë lejen e radhës për procesin. Kjo vjen vetëm pak muaj pas kryerjes së të njëjtës procedurë të Gurth 2, një tjetër minierë kjo e lokalizuar në të njëjtën zonë. Kompania u njoftua si fituese për garën e hapur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, në 19 shtator 2018 për minierën Gurth 3, e cila ndodhet në Orosh dhe Fan, në bashkinë e Mirditës, “Kapaciteti vjetor nxjerrës do të jetë rreth 30 000 ton/vit mineral bakri e zinku dhe zgjidhja e sistemit të shfrytëzimit në këtë minierë do të jetë me shembje nënkati. Sipërfaqja e zonës minerare do të jetë 0.680 km2” thuhet në raport. Bëhet fjalë për një nga vendburimet më të pasura me bakër, një nga mineralet më të çmuara që ka nëntoka shqiptare dhe shumë i kërkuar edhe në tregjet e Botës. Minerali i bakrit, përveç vlerës së tij, ka edhe një përqindje shumë të konsiderueshme floriri. Jo më kot, kompanitë turke, sidomos në kohën që qeveris Erdogani, i cilësuar “vëlla” nga kryeministri Rama, po marrin me koncesion nëntokën shqiptare, kromin, bakrin, hekurin etj. Në Shqipëri deri në 1990 kishim edhe uzina të përpunimit të mineraleve, ku prodhohej edhe produkte nga ato, sikurse nga përpunimi i bakrit prodhoheshin edhe telat. Kompanitë turke po gllabërojnë nëntokën e Shqipërisë, duke shfrytëzuar vetëm mineralin bruto, të cilin e transportojnë me anije në vendin e tyre, ku aty përfitojnë edhe mineralet e tjera të shtrenjta, të cilat nxirren nga përpunimi, sikurse flori, platin etj, ndërkohë që Shqipëria nuk përfiton asgjë nga përqindja e këtyre mineraleve të çmuara.

Mungesa e industrisë përpunuese të mineraleve, humbje e madhe e vendeve të punës

Koncesionet e shfrytëzimit të mineraleve duhet të shoqëroheshin domosdoshmërish edhe me hapjen e uzinave dhe fabrikave të përpunimit të tyre në vend. Kështu, përveç fitimeve që do përfitoheshin nga taksat, nga pagesat e sigurimeve shoqërore për punëtorët, do të hapeshin edhe qindra dhe mijëra vende pune në zonat e vendndodhjes së mineraleve, që aktualisht janë edhe të varfra ekonomikisht dhe me papunësi shumë të lartë. Në 3 vitet e fundit janë larguar nga Shqipëria më shumë se 400.000 shqiptarë, për shkak të papunësisë, humbjes së shpresës se në Shqipëri mund të mbijetojnë nga varfëria. Në Shqipëri papunësia rritet, ndërkohë që popullsia është zvogëluar. Sipas një studimi të fundit, mbi 50 % e shqiptarëve të grupmoshës 16 – 49 vjeç nuk punuan asnjë ditë gjatë 2018-s, sepse nuk gjetën gjëkundi punë. Nëse kompanitë që fitojnë koncesionet e minierave, të naftës, do të hapnin uzina dhe fabrika të përpunimit të mineraleve dhe naftës, atëherë shqiptarët do të punësoheshin në vendin e tyre dhe nga pasuritë e nëntokës do të jetonin të lumtur.

Uzina e përpunimit të naftës në Ballsh mbetet e mbyllur. Nuk ka ..naftë ta përpunojë

Qeveria jonë ka dhënë me koncesion për një kohë të gjatë shfrytëzimin e naftës në Marinzë një nga kompanie të interesit të miliarderit amerikan Xhorxh Soros, i cili e shfrytëzoi shumë vite, pa paguar asnjë taksë, me pretendimin se, për më shumë se 10 vjet, kjo kompani kishte më shumë humbje, sesa fitime. Më vonë ky koncesion u shit nga kjo kompani një kompanie tjetër të huaj. Sipas kontratës të koncesionit, qeveria jonë ka lejuar që kompanitë e huaja të shfrytëzojnë vendburimet e naftës në Shqipëri, duke marrë sasinë e naftës të nxjerrë bruto dhe ta dërgojnë për rafinim ku të duan ata, gjithë sasinë jashtë Shqipërisë. Mirëpo kjo ka sjellë pasojë, që uzina e rafinerisë të naftës në Ballsh të mbetet pa punë, sepse nuk ka sasi nafte. Qindra punëtorë të kësaj rafinerie në Ballsh mbetën shumë muaj pa punë, madje kanë protestuar, por kompania naftë-nxjerrëse ka deklaruar se ka nënshkruar me qeverinë shqiptare klauzolën, që naftën e nxjerrë nga nëntoka shqiptare do të përpunojë jashtë Shqipërisë.