Turqia: Aeroporti, ta vlerësojnë vëllezërit shqiptarë

487
Turqia mbrojti zyrtarisht projektin e ndërtimit të aeroportit të Vlorës. Ambasadori i ri i Turqisë në Tiranë, Ahmet Yoruk, gjatë një komunikimi me mediat, u shpreh se marrëdhëniet tregtare mes dy vendeve janë shumë të mira, por jo të mjaftueshme. Sipas tij, në të ardhmen do të synohet që investimet turke në Shqipëri të kapin vlera dyshifrore. “Shuma e gjithë investimeve të biznesit turk këtu në Shqipëri, përfshirë edhe atë në infrastrukturë është aktualisht rreth 2.7 miliardë dollarë. Mesa jam në dijeni Turqia është investitori i dytë këtu në Shqipëri, dhe falë veprimtarive tregtare që kanë nisur dhe po vazhdojnë të bëjnë firmat turke këtu, aktualisht 10 mijë vëllezërit tanë shqiptarë janë të punësuar”, tha diplomati i Ankarasë. Ndërsa pyetjes mbi projektin e aeroportit të Vlorës dhe konsorciumit që ka bërë ofertën, Yoruk iu përgjigj: “Aeroporti i tretë i Stambollit, i cili tani po ndërtohet. Kur të përfundojë ndërtimi i këtij aeroporti, ai do të jetë aeroporti më i madh në botë. Në fund të vitit 2018 do të përfundojë faza e parë e ndërtimit të tij”. “Ky konsorcium i cili po ndërton këtë aeroport të Stambollit i ka bërë propozimin zyrtar qeverisë shqiptare për të ndërtuar aeroportin e ri të Vlorës. Vlerësimin le ta bëjnë vëllezërit tanë shqiptarë, miqtë tanë shqiptarë”, tha diplomati. Ambasadori u shpreh se, Turqia do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë drejt zhvillimit, por njëkohësisht edhe do të rrisë bashkëpunimin mes bizneseve të dy vendeve. Aktualisht, vlera e investimeve turke në vendin tonë arrin në 2.7 miliardë dollarë.
Sigal