Turp, Partia Socialiste tani njofton se filloi rikonstruksioni i shkollës në Mengël, ku nxënësit protestojnë!

478
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Nxënësit dhe prindërit në fshatin Mengël të Elbasanit kanë ditë të tëra që protestojnë fuqishëm, duke kërkuar hapjen e shkollës së tyre. Mirëpo MASR dhe Bashkia e Elbasanit nuk u jepnin asnjë përgjigje nxënësve, pse shkolla e tyre është e kyçur, por u thoshin që nxënësit duhet të bëjnë përditë 10 km rrugë e të shkojnë në Elbasan dhe të bëjnë mësim në shkollat kolektive. Nxënësit dhe prindërit, u ndjenë të braktisur nga shpërfillja e qeverisë ndaj kërkesës së tyre të ligjshme, që të hapej shkolla në fshatin e tyre, protestuan duke bllokuar për disa orë edhe rrugën nacionale Elbasan – Librazhd. Policia ndërhyri në protestën e tyre, duke përdorur edhe dhunë. Madje, Policia e Shtetit dërgoi edhe forcat speciale të RENEA-s në shkollë, që të mos lejonte nxënësit të hynin e të bënin mësim. Ka pamje filmike, ku policia dhunoi edhe nxënës, edhe prindër protestues. Të ndodhur përballë revoltës së fortë të nxënësve dhe prindërve, qeveria u detyrua që dje të fillonte rikonstruksionin e shkollës, madje, këtë e propagandoi si sukses, dhe, deputeti i zonës, Taulant Balla shkoi dhe preu shiritin e inaugurimit të restaurimit të shkollës, kur gjithë kohën e protestave, Taulant Balla u fsheh dhe i shpërfilli. Përse nuk u bë restaurimi i shkollës në muajt e verës? Kjo pyetje tregon që qeveria, Taulant Balla dhe kryebashkiaku Qazim Sejdini u detyruan të bëjnë tani rikonstruksionin e shkollës vetëm e vetëm nga revolta dhe protestat e vazhdueshme të nxënësve dhe prindërve në fshatin Mengël. Ndërkohë, që policia dje paditi edhe deputetin Luçiano Boçi për protestë, si edhe shumë banorë dhe nxënës protestues, duke dashur të mbjellë frikën, që të mos protestojnë më.