Turku në Shushicë: Elbasani ka vendosur largimin e modelit Qazim Sejdini

411
Kandidati për kryetar i bashkisë në Elbasan Ardjan Turku, ka zhvilluar një takim me banorë të fshatit Shushicë. Ai theksoi se do të bëjë maksimumin për të përmirsuar jetën e këtyre banorëve, kryesisht në projektet infrastrukturore dhe në shërbimet që do të ofrojë bashkia e Elbasanit. 
Z. Turku tha se nuk do të bëjë asnjëherë premtime boshe, por ka garantuar banorët se prioritet i bashkisë në 4 vitet e ardhshme, do të jenë periferia dhe zonat rurale, atje ku dhe nevojat e njerëzve për investime janë emergjente.
Më pas Kandidati ardjan Turku ka zhvilluar një takim me banorë të fshatit Gjergjan. Duke folur në këtë takim deputeti i PD Ridvan Bode, u bëri thirrje banorëve të distancohen nga modeli aktual i qeverisjes së bashkisë së Elbasanit, nga kreu i saj dhe kandidati për një mandat të tretë Qazim Sejdini.
“Një monark anadollak, që kujton që i ka gjithë njerëzit të vetët dhe duhet të kenë frikë përpara tij. Nuk duhet të qeshë njeri pa lejen e tij, nuk duhet të flasë njeri pa lejen e tij, dhe ai duhet të bëjë vetëm me shenja të komandojë botën. 
Jo nuk jemi me këtë. Ne do të votojmë në datën 21 qershor, për të hequr nga qafa një sundimtar, një sundimtar të pakulturuar, anadollak, të etur për pushtet personal dhe të një grupi të caktuar, për të vendosur një njeri që është në funksion të interesave të qytetarëve, që do të bëjë maksimunim e mundshëm, për të zbutur gjithë dhimbjet, ato problem që kanë të gjithë qytetarët, në tërë bashkinë e re të Elbasanit.
Ndërkohë kandidati Ardjan Turku u ka bërë thirrje banorëve ti bashkohen votës së qytetarëve të Elbasanit, që tashmë kanë refuzuar modelin e kreut aktual të bashkisë.
“Nuk ka më shpresë për zotin Sejdini, se do të jetë edhe për katër vjet të tjera, gjatë viteve të pensionit, kryetar i bashkisë së Elbasanit. Është shumë e vërtetë ajo që tha dhe z. Bode dhe që kemi thënë edhe ne. 70 e ca miliardë lekë ka përdorur në 8 vjet. Shumë pak impakte ka pasur në Elbasan. Kryesisht janë përdorur paratë në qendër. 
Aq më tepër e ka vrarë mendjen për rrethinat, për zonat informale të Elbasanit. Më keq se rruga këtu kanë mbetur, në Fushë-Mbret, në Zaranikë, në Krastë, kudo që shkon, në zona të ndryshme. As ka për ta vrarë mendjen ai për fshatrat. I thoni miqve tuaj, i thoni njerëzve tuaj të shtëpisë, i thoni fqinjëve tuaj. 
Mos u gënjeni nga një fadromë që vjen atje 3 ditë para zgjedhjeve vetëm për t’ju gërvishur pak rrugën. Mos u gënjeni nga ca lista që po bëhen formalisht për ndihmën ekonomike. Kurrë s’keni për t’i marrë ato para. Problem është tek koka, tek politika, se si ndiqet dhe çfarë ndiqet atje lart. Si do ju shpëtojë nga pagesa e ndihmës ekonomike z. Sejdini pas datës 21, kur ai vetë nga 4200 familje në Elbasan ka hequr 2000 para vitit të ri. E çfarë do të bëjë ai për ju, për Gjergjanin. I thoni gjithë miqve tuaj. 
Bëhuni pjesë e asaj që po bën Elbasani. Elbasani e ka menduar tashmë. Elbasani po e hedh votën në krahun tjetër nga ç’e hodhi në vitin 2013, sepse është zhgënjyer totalisht. Miq të mi, të gjithë anëtarë të Partisë Demokratike dhe të majtë pa fund më çojnë mesazhe. 
Ardjan votën e kemi për ty se durojmë dot më Qazimin. Nuk e durojmë dot më sepse po na shkatërron. Edhe PS e ndjen se po shkatërrohet nga brenda. Edhe ajo ka nxjerrë dy alternativa. Vetë ata mendojnë. O rri Qazimi dhe shpartallohet PS, o bie Qazimi dhe PS do vazhdojë të ekzistojë si subjekt, siç ka qenë, në ato pozita që ka qenë dhe më përpara.
Sigal