Tryeza e përbashkët, Eriol Braimllari: Aksioni i opozitës shumë i qartë, fokusi jonë shteti shqiptar dhe integrimi në BE

901
Sigal

Eriol Braimllari në një intervistë për Shijak Tv, ka folur në lidhje me mbledhjen e tryezës së përbashkët në lidhje me Reformën Zgjedhore.
Sipas Braimllarit, opozita ka qenë shumë e qartë kur ka theksuar se fokusi i saj është shteti shqiptar dhe shqiptarët, teksa ka vijuar fjalën duke thënë se nga ana e LSI do të ketë më shumë monitorim dhe kontrollim të fushatave zgjedhore të partive politike.
Pjesë nga intervista

-Një pikë po shkon drejt plotësimit, janë dhe 8 të tjera nga Bundestagun. Flasim për Kodin Zgjedhor Braimllari. Dëgjuam znj. Kryemadhi që tha se Shqipëria është e para dhe vijnë të tjerat më pas.

Shqipëria është e para dhe integrimi i saj në BE nuk duhet të ketë asnjë pengesë. Ky ka qenë qëllimi i LSI që prej themelimit të saj, por edhe në Parlament apo në ekzekutiv, apo tani në opozitë këtë kanë pasur si fokus kryesor.
Dje kemi pasur për një vizitë zyrtare edhe Komisionerin për Zgjerim të BE-së. Ne si opozitë kemi qenë shumë të qartë gjatë gjithë aksionit tonë që fokusi jonë në këtë situatë ku është shteti shqiptar, në këtë shkatërrim të institucioneve nga ana e qeverisë, kemi marrë përgjegjësinë për ti thënë qytetarëve që kemi një alternativë tjetër për të ndërtuar institucione të forta, të cilat rrisin standardet demokratike drejt integrimit europian të vendit. 9 kushtet e Bundestagut gjerman janë detyrime për t’u plotësuar nga ana e Republikës së Shqipërisë. Në vetëm një nga ato kushte duhet edhe angazhimi i opozitës. Reforma Zgjedhore është kusht që ajo të jetë gjithëpërfshirëse, pra Kryeministri nuk e bënte dot vetëm Reformën Zgjedhore siç propagandonte.
Zgjedhjet e 30 qershorit janë votime, për të cilat është një nga kushtet e Bundestagut që gjykata të shprehet mbi ligjshmërinë e këtyre zgjedhjeve. Ato janë votime pa dekret Presidenti, pa kandidat, OSBE-ODHIR i ka rrëzuar komplet si zgjedhje të ligjshme. Ne jemi shumë të qartë në qëndrimet tona. Opozita ka marrë përgjegjësinë e saj përpara qytetarëve që të përshpejtojmë rrugën europiane të vendit, por edhe për tu garantuar një proces zgjedhor të lirë, pa impaktin e kriminelëve, të presionit të administratës apo të qeverisë. Kështu që me të gjithë ekspertizën tonë jemi angazhuar deri më 15 mars që është edhe afati përfundimtar që është vendosur nga tryeza e përbashkët. Shqipëria do të ketë një Reformë Zgjedhore ku i gjithë kontributi jonë është për të liruar njëherë e përgjithmonë fenomene të tilla si shitblerja e votës, kriminalizimi i zgjedhjeve, impakti që kanë bandat e ndryshme në zgjedhje apo fenomene të tjera, të cilat i ndalojnë qytetarët për të parë programin politik dhe për të zgjedhur atë që përfaqëson më mirë interesat e tij dhe i vendos në presionin e elementëve të tjerë kriminalë.
Nga ana tjetër, për sa i përket kushteve të Bundestagut, kushti i radhës është implementimi i Reformës Zgjedhore. Ne jemi të përgatitur që pas konkludimit të kësaj reforme, do ti shpalosim qytetarëve alternativën tonë për të kaluan në zgjedhje.

-Më kryesorja mbetet ndarja e krimit nga politika. Vetëm këtë s’dini të na thoni se si do ta bëni Braimllari. Si do të ndahet krimi nga politika?
Ndarja e politikës nga krimi ka disa elemente. Është vullneti personal i personave që kanë në dorë hartimin e listave, apo përfshirjen e personazheve të ndryshme në funksionet ndërtuese. Ju e shikoni që Kryeministri Rama e ka të pamundur një gjë të tillë, sepse edhe në ato votimet që ne sapo thamë, doli një kryetar tjetër bashkie që ishte i kriminalizuar. Edhe në ato votime që ai emëronte kë të donte ai, mund të merrte një mësuese, një pedagog, një ekonomist shumë të mirë që kishte vlera për qytetin e ta vendoste kryetar bashkie, sepse nuk kishte kandidat alternativ. Ai shkon dhe sërish vendos njeriun e kriminalizuar. Një aspekt është vullneti personal, ku nga ana e kryeministrit është parë që vullnet për këtë çështje ai nuk ka.
Nga ana tjetër janë garancitë që na vijnë përmes ligjit, sepse ne po flasim për një shtet të së drejtës, ku rregullat e lojës janë të përcaktuara qarta në ligj. Ligji i Dekriminalizimit është njëri prej tyre që përbëjnë kuadrin ligjor, i cili ka treguar që të jetë i efektshëm pasi ka nxjerrë përpara syve të publikut dhe jashtë nga skena politike shumë prej këtyre personazheve. Nuk është i mjaftueshëm dhe ka nevojë akoma më shumë për ta forcuar kuadrin ligjor, ku edhe Reforma Zgjedhore që do të kryhet deri më 15 mars, por edhe diskutimet që do të vijojnë absolutisht nuk kanë të kufizuar mënyra të ndryshme dhe ne do të shikojmë nga drafti që do të na vijë për mënyra të ndryshme se si do të realizohet kjo gjë.