Trump i shkruan Nishanit për Bajramin e Madh

522
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, ka marrë një mesazh nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump me rastin e Festës së Bajramit të Madh. Në mesazhin e publikuar nga zyra e shtypit e presidencës, Trump shkruan: “I dashur Zoti President, unë dhe Melania, në emër të popullit amerikan ju dërgojmë urimet tona të ngrohta për ju dhe popullin shqiptar teksa festoni Bajramin e Madh. Myslimanët në Shtetet e Bashkuara iu bashkëngjitën të tjerëve anembanë botës gjatë Muajit të shenjtë të Ramazanit të përqendruar në veprime besimi dhe bamirësie. Këtu në Shtetet e Bashkuara myslimanët e përkujtojnë Bajramin e Madh me familjet dhe miqtë, duke vazhduar traditën e ndihmës së fqinjëve dhe ndarjes së bukës me të tjerët, të cilët vijnë nga të gjitha fushat e jetës”. “Ndërsa festojmë këtë ditë të shenjtë së bashku, shprehet Trump, na rivjen ndërmend dhe rikujtohemi për rëndësinë e mëshirës, dhembshurisë dhe mirëdashjes.” Më tej shton, “Edhe njëherë ju uroj Ju dhe popullit të Shqipërisë një Ditë të shenjtë e të bekuar të Bajramit të Madh!” përfundon mesazhin Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump.
Sigal