Truket e Ministrit Tahiri ndaj kundërshtarëve politike, me paditë penale, për çështjet që flejnë në sirtarë

409
Mazhoranca rrëzoi gjatë seancës së të enjtes dy projektligjet e propozuara nga Partia Demokratike për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar dhe për Taksat Kombëtare. Më konkretisht, projektligji për “Për një shtesë në ligjin nr. 92/2014 ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’” u votua me 29 vota pro opozita dhe 77 vota kundër nga mazhoranca. Ndërsa projektligji tjetër “Për një ndryshim në ligjin nr. 9975, datë 28.07.2008, ‘Për taksat Kombëtare’”, mori 28 vota pro nga opozita dhe 77 vota kundër nga mazhoranca. Të dy projektligjet u rrëzuan pas një seance maratonë debatesh në Kuvendin e Shqipërisë. Kuvendi rrëzoi gjithashtu edhe dekretet e Presidentit Bujar Nishani për emërimin e dy anëtarëve të rinj të Gjykatës së Lartë: Fuat Vjerdha dhe Markelian Koça.
Padia e Saimir Tahirit nda Lulzim Bashën, truk politik
Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri tha në parlament se dje është dorëzuar një padi penale në Prokurori ndaj kreut të opozitës, Lulzim Basha, për shpërdorim detyre si Ministër i Brendshëm për ngjarjet e 21 Janarit. Sipas Tahirit, nga një rishikim që u është bërë regjistrave të Gardës së Republikës është vënë re një urdhër i Ministrit Basha, që kërkonte nga kreu i Gardës së Republikës të ngrihej një helikopter dhe të hidhte lëndë homogjene mbi protestuesit përpara Kryeministrisë.
Përse kujtohet tani ministri Tahiri?
Ministri Tahiri ka 21 muaj që është Ministër i Brendshëm, që do të thotë se ato që tha dje në parlament, si akuzë ndaj ish Ministrit të Brendshëm dhe sot kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i ka lexuar dhe i ka mësuar me kohë. Dhe logjika ta thotë, që meqë ka patur kohën e mjaftueshme, në këto 21 muaj, përse Ministri Tahiri nuk e ka çuar çështjen që më përpara në prokurori? Dhe, sidomos kur 21 janari u bë kauzë e opozitës dhe premtimi i madh i saj, ishte që, sa të vinte në qeverisje, do të sillte drejtësi për ngjarjet e 21 janarit 2011. Ndaj kjo vonesë e Ministrit Tahiri, që të ngrinte padinë penale kundër kundërshtarit politik për 21 janarin, ka shumë hije dhe pikëpyetje, që venë në dyshim jo vetëm të vërtetën, por edhe vetë qëllimin që shpalli Ministri Tahiri dje nga foltorja e parlamentit, gjoja se do të zbardhë të vërtetën dhe kërkon drejtësi për 21 janarin. Ministri Tahiri, provat dhe faktet i mban të mbyllura në sirtarë dhe i nxjerr ato, sa herë kërkon që t’i përdorë si presion e shantazh ndaj kundërshtarit politik. Dhe jo vetëm Ministri Tahiri, por edhe deputeti Balla, dje në parlament, të njëjtën instrument shantazhi ndaj kundërshtarit përdor, derisa pyeti kryetarin e PD-së, nëse i ka kërkuar favore gjyqtarit që gjykon kryetarin e Bashkisë së Kamëz Xhelal Mziu. Derisa deputeti Balla është informuar për këto afere që ka kërkuar kryetari i PD-së ndaj gjyqtarit, përse më parë nuk i ka denoncuar? Këto pyetje të çojnë te e njëjta hipotezë. Që, si Ministri Tahiri, edhe deputeti Balla, ose këto i kanë akuza të pambështetura dhe i bëjnë për konsum politik, ose nëse janë të vërteta, i përdorin për shantazh e presion politik ndaj kundërshtarit, për të përfituar politikisht. Por, gjithsesi, nuk duan të zbardhin të vërtetën dhe të ndihmojnë drejtësinë.
Paradoksi i maxhoranxës: Dje kërkoi uljen e TVSH për energjinë elektrike, sot e hedh poshtë 
Dje opozita, me një projektligj, kërkoi që të ulej TVSH e kilovatorit të energjisë elektrike. Mirëpo maxhoranca e rrëzoi këtë projektligj. Këtu qëndron paradoksi politik. Dje, në opozitë, PS-ja kishte kërkuar që të ulej TVSH e energjisë elektrike, madje kjo ishte një nga premtimet elektorale të PS-së. Mirëpo sot në qeverisje, PS-ja jo vetëm që nuk e uli TVSH dhe çmimin e energjisë elektrike, por pasi u votua për premtimet që dha, në qeverisje PS-ja e rriti çmimin e kilovatorit 25%, hoqi fashën mbrojtëse të 300 kilovatorëve. Një tjetër maskë e hiprokrizisë politike të maxhorancës së PS-së, ra dje me mosvotimin e uljes të TVSH së energjisë elektrike
Sigal