‘Truke të dala boje’, Vasili kritikon Ruçin se s’i dha fjalën deputetit të LSI, si i përgjigjet kryeparlamentari

449
Kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili ka reaguar ashpër lidhur me fjalën që duhet të mbante sot në Kuvend, deputeti i Lezhës, Viktor Tushaj. Vasili i doli në mbrojtje deputetit, ndërsa nuk kurseu kritikat për kryetarin e Kuvendit, Gramoz Ruçit për rregulloren që po ndjek. Ai tha se këto truke janë të dala boje dhe se nuk i shkojnë sallës së parlamentit.
“Kur kërkohet fjala për procedurë jepet fjala, nuk kam pse të flas as pas Mimit dhe as pas 2 prillit dhe sqarimeve tuaja. Nuk besoj se keni asnjë dëshirë të tensiononi sallën për shkak të devocionit që keni marrë përsipër, nuk jemi këtu për të likuiduar detyrimet reciproke të njëri-tjetrit, edhe truket që sikur jeni të pavëmendshëm kur ngrihet dora, janë aq të dala boje dhe aq antipatike sa nuk i shkon kësaj sallë, kjo për procedurë, që të jetë e fundit që ta çlirojmë sallën nga tensionet. Salla është bërë një pronë e një mikrofoni të caktuar. Deputeti Tuashaj iu kalua fjala dhe kërkoj që t’i jepet fjala. Duhet të ketë listë. Ju ia keni dhënë folësve 2-3 folësve të PD apo dhe PS, kërkoj të bëhet listë renditje, dhe nëse deputeti nuk do jetë atëherë të mos e marrë fjalën. Në rastin konkret insistoj që zoti Tuashaj të marrë fjalët”, tha Vasili.
Kaq ka mjaftuar që Ruçi t’i kujtojë Vasilit rregulloren e Kuvendit dhe faktin se ai zbaton procedurat.

“Për asnjë lloj arsye nuk i ndërpritet fjala askush. Rregullorja kërkon tre gjëra, që deputetët të regjistrohen para se të flasin. Kryetari i Kuvendit është i detyruar që të lexojë listën e deputetëve që do të flasin. Lidhur me propozimin tuaj mund të keni të drejtë, por rregullorja e Kuvendit përcakton se kryetari i Kuvendit jep fjalën duke shpërndarë në mënyrë proporcionale midis grupeve parlamentare. Unë do zbatoj atë propozim, këtë pikë të rregullores që zbatohet prej 27 vitesh”, tha Ruçi.
Sigal