Tritan Shehu: 25 qershori i afërt me zgjedhjet e 22 marsit 1992, qytetarët do përmbysin arrogancën

552
Alma Çuka
“Ministria e Kulturës përmes ndërkombëtarëve u përpoq të organizonte në Libohovë, në kuadër të fushatës elektorale një panair. Pas denoncimit tonë, aktiviteti u anulua” 
Tritan Shehu, një prej deputetëve më të vjetër në Partinë Demokratike, i cili ka qenë pjesë e Kuvendit që prej vitit 1991, për zgjedhjet e 25 qershorit, kryeson listën e kandidatëve në Qarkun e Gjirokastrës. Ne folëm me Shehun, ndërsa ai vazhdonte bisedat me banorët e Gjirokastrës. Është optimist se në këto zgjedhje Partia Demokratike, sikundër thotë ai, do të dalë forcë e parë në Qarkun e Gjirokastrës, ndërsa shton se në gjithë vendin do të marrë mandatet e mjaftueshme për të qeverisur e vetme. Shehu pak ditë më parë iu drejtua me një letër të hapur dhe ambasadorëve të huaj në vendin tonë, duke iu kërkuar të mos bëhen pjesë e fushatës elektorale në qarkun ku ai kandidon. Në intervistën e dhënë për gazetën “Telegraf”, Shehu argumenton se statusin e kishte kryesisht për Ministren e Kulturës Mirela Kumbaro, që sikundër thotë, u mundua të përdorë institucionet ndërkombëtare për të organizuar një panair në Libohovë. Por në fund, Shehu thotë se panairi u anulua. 25 qershorin e sheh të afërt me 22 marsin e vitit 1992. Thotë se Partia Demokratike do të marrë një rezultat pozitiv në këto zgjedhje. Ndërkohë që programin e saj e konsideron si çelësin që do të bëjë të mundur afrimin e Shqipërisë me standardet Evropiane. 
Zoti Shehu, keni dhënë një mesazh pak ditë më parë për ndërkombëtarët. Cili është qëllimi i vërtetë i tij?
Nuk është ashtu nuk kam akuzuar ndërkombëtarët. Kam akuzuar ato institucione shtetërorë të cilat janë përpjekur të përdorin institucionet ndërkombëtare për të realizuar aktivitete me mbështetjen e tyre në Gjirokastër. Unë pikërisht fola për Ministrinë e Kulturës, e cila kishte planifikuar të zhvillonte një aktivitet me ndihmën e ndërkombëtarëve në Libohovë, por në fund ai nuk u realizuan, e anuluan. I bëra thirrje që të mos bëheshin pjesë e fushatës elektorale në Gjirokastër duke u vënë në krahë të Ministres së Kulturës Mirela Kumbaro dhe të ndikonin në fushatën e saj. 

Ju tashmë jeni çdo ditë në terren. Si ndihet qytetarët e Gjirokastrës pas katër vite qeverisje nën drejtimin e të majtës?
Është e vërtetë. Unë jam çdo ditë në terren dhe shoh dy gjëra. E para shoh zhgënjimin e madh, problemet sociale që kanë qytetarët, varfëria, papunësia. Dhe së dyti shoh frymën e fitores së Partisë Demokratike në 25 qershor, optimizmin për fitoren dhe për ndryshimin që do të vij. 

Ditët e fundit është vënë re ashpërsimi i gjuhës së politikanëve në fushatë?
Unë të them të drejtën nuk e kam ndjekur fushatën në tërësi. Këtu në Gjirokastër është fushatë etike, normale dhe jo me element ofendues. Jam përpjekur të jem konstruktiv dhe parimor, të flas me qytetarët për problemet e qeverisjes, ti jap atyre idetë tona ato për të cilat po punohet për qeverisjen e ardhshme.

Ju kryesoni listën e kandidatëve për Qarkun e Gjirokastrës. Si mendoni, sa deputet do të marr CD në këtë qark?
Unë parashikoj që Partia Demokratike në Gjirokastër të jetë parti e parë dhe mendoj që këtë do të arrij.

Po 25 qershorin se e shihni?
25 qershorin e shoh si datën e ndryshimeve të mëdha. E shoh të afërt me 22 marsin e vitit 1992. E shoh si një datë çlirimi nga një qeveri e papërgjegjshme, arrogante që e ka parë qytetarin si mjet shfrytëzimi duke mbjell varfërinë, pasigurinë, rënien e prodhimit dhe papunësinë. Shqipëria do futet në rrugën e zhvillimit ekonomik, dinjitetit dhe mbrojtjes së qytetarëve. Të gjitha këto do të bëjnë që Shqipëria të ec shumë shpejt në rrugën e integrimit Evropian. 

Zoti Shehu, nëse Partia Demokratike del forcë e parë, por nuk merr mandatet e mjaftueshme për të qeverisur e vetme, me kë mund të jetë në koalicion?
Unë gjykoj dhe mendoj që CD do ketë mandat të mjaftueshëm për të qeverisur e vetme. Populli do të votojë gjerësisht programin e saj.

Tashmë të gjithë partitë që janë në garë kanë shpalosur programet. A mund të bëni një krahasim të tyre?
Programi i Partisë Demokratike është i zhvillimit i rritjes ekonomike të vendit në dobi të qytetarëve. Është programi i uljes së papunësisë, zhvillimit të sektorëve social si mjekësi, arsim, i mbështetjes së gjerë të sektorëve ekonomik si bujqësia, industria, por dhe në infrastrukturë, energji elektrike. Partia demokratike do të krijojë premisat dhe bazën për përmirësimin e gjendjes ekonomike të qytetarëve, jetës dhe dinjitetit të tyre, duke i bërë të afrohen me standardet Evropiane. 

Ju jeni mjek në profesion. Si e keni parë shëndetësinë falas gjatë qeverisjes së kryeministrit Edi Rama?
E kam thënë që në 2103, slogani “shëndetësi falas” ishte gënjeshtër dhe mashtrim për t’i hedhur hi syve njerëzve. Sot kemi shëndetësi të shkatërruar dhe jo falas, njerëzit paguajnë shumë për këtë shëndetësi. Ne do ndërtojmë shëndetësi moderne të përputhshme me standardet Evropiane, për të gjithë qytetarët dhe duke investuar shuma të mëdha në të. 

Kryeministri Edi Rama fushatën e tij e ka përqendruar tek kërkesa ndaj qytetarëve për të marrë votën me qëllim që të drejtoj timonin i vetëm, pa pasur nevojën për të ndarë qeverinë në tepsi?
Rama mendjen e ka te timoni. Por dhe sot Ramës i ka mbetur vetëm timoni në dorë sepse nuk ka as rrotat dhe as motorin.

Si e konsideroni marrëdhënien e tensionuar mes PS dhe LSI?
Ky është një problem i të majtës nuk është problemi ynë. Është i atyre që qeverisën bashkë 4 vjet në mënyrë shumë negative për vendin.
Sigal