Trilateriali Shqipëri-Serbi-Itali, Bushati pret Daçiç e Gentiloni

420
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati ka pritur në një takim homologët e tij, atë serb Ivica Daçiç dhe atë Italian Paolo Gentiloni.
Takimi vjen në kuadër të konferencës së dytë tripalëshe Shqipëri-Serbi-Itali.
Sigal

Bushati me Paolo Gentiloni, diskutojnë për refugjatët 

Në takimin që Bushati pati me homologun italian Paolo Gentiloni u diskutua për agjendën evropiane të Shqipërisë, masat e vendeve anëtare dhe atyre kandidate për përballimin e krizës së refugjatëve, si dhe koordinimin më të mirë në përgjigjen ndaj sfidave të sigurisë. Dy Ministrat u ndalën në intensifikimin e bashkëpunimit ekonomik, ku Ministri Bushati e falënderoi homologun Gentiloni për angazhimin e ndërmarrë për heqjen e taksës së transportuesve.
Nisma u iniciua më shumë se një vit më parë nga diplomacia italine për të nxitur dialogun në Ballkan, ku ajo sheh te Tirana dhe Beogradi, dy faktorët më të rëndësishëm për stabilitetin e rajonit.
Mësohet se në takim, tre shefat e diplomacisë do të diskutojnë projekte të përbashkëta konkrete me interes të ndërsjellë në fushat e ekonomisë, infrastrukturës, energjisë, turizmit, arsimit, kulturës, bashkëpunimit rinor etj, duke u fokusuar në identifikimin e metodologjive të reja për realizimin konkret të tyre, por edhe në zgjerimin e mëtejshëm të nismave rajonale.
Duke mbajtur në vëmendje proçesin e Berlinit dhe Konferencat e Ballkanit Perëndimor në Paris 2016 dhe Romë 2017, si edhe çështje që kanë të bëjnë me sfidat e përbashkëta që po përballemi sot, takimi do ketë në fokus përforcimin e urave të komunikimit konstruktiv mbi baza mirëkuptimi.
Takimi trilateral do të paraprihet nga takime të veçanta të Ministrit të Jashtëm Bushati me Ministrat Gentiloni dhe Daçiç, ndërsa në 15:00 do të zhvillohet konferenca e përbashkët për shtyp.
Qendrimi i Ministrit të Jashtëm italian në Tiranë vjen edhe në kohën kur Shqipëria është etiketuar nga mediat vendase si vendi nga ku kalojnë armët që përdoren nga Shteti Islamik dhe mendohet se edhe kjo çështje do të zërë vend në biseda, por edhe në komunikimin me median.

Axhenda

Ora 10:00 – 10:55 Takim bilateral ndërmjet Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, SH.T.Z. Ditmir Bushati dhe Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës Italiane, Sh.T.Z Paolo Gentiloni me prezencën e dy delegacioneve, Vendi: Ministria e Punëve të Jashtme.
Oa 11:05 – 11:55 Takim bilateral midis Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë, SH.T.Z. Ditmir Bushati dhe Zëvendëskryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Serbisë, Sh.T.Z. Ivica Dacic, me prezencën e dy delegacioneve; Vendi: Ministria e Punëve të Jashtme
Ora 13:00 Drekë pune Trepalëshe: Shqipëri – Itali – Serbi/ Vendi: Pallati i Brigadave – Salla Skënderbej
Ora 15:00 /Konferencë e përbashkët për shtyp, Ministri Bushati prezanton rezultatet e takimit, pasuar nga pyetje dhe përgjigje; Vendi: Holli i Pallatit të Brigadave