Tre skenarët e qeverisjes pas zgjedhjeve të 23 Qershorit

483
Sigal

Skenari austriak ndan pushtetin midis PD-së dhe LSI-së, ndërsa skenari gjerman synon një koalicion kombëtar dhe historik midis PS dhe PD

Zbulohet ekzistenca e një skeme të fshehtë, me disa projekte të ndryshme, për qeverisjen e ardhshme. Varianti i parë është  koalicioni, PD-LSI, ku Meta do të ulet në karrigen kryeministrore dhe Berisha do të marrë Presidencën. Skema është diskutuar gjatë në Tiranë dhe është konsoliduar në Vjenë, ku Martens është shprehur optimist, për gjetjen e një zgjidhjeje të pranueshme, ku Meta do të drejtojë qeverinë, ndërsa Berisha, do të zëvendësojë Presidentin Nishani. Ndërsa Meta do të marrë në dorë kabinetin qeveritar, me kusht që ai të mos kërkojë asnjë përqindje vendesh, më shumë se sa ka pasur gjatë këtij 4-vjeçari që po mbyllet. Procesverbali i skemës paraprake është shkruar më parë në gjuhën gjermane, (austriake) dhe pastaj, është përkthyer në shqip. Por deri tani, këtë të vërtetë e dinë shumë pak njerëz të kryesisë blu dhe akoma më pak, përfaqësues të kupolës së LSI-së. Gjithashtu, në këtë linjë është përgatitur edhe një variant rezervë, sipas së cilit, qeverisja 4-vjeçare do të ndahet në dy periudha, ku Berisha e Meta do të drejtojnë kabinetin nga dy vjet secili. Kjo do të bëhet në radhë të parë për të shpërndarë përgjegjësi të barabartë, por nga ana e PD-së, ky tolerim bëhet për të garantuar dhe joshur aleancën me Metën. Kështu, nëse vihet në funksionim varianti i parë, atëherëMetado të marrë menjëherë pas zgjedhjeve, frenat e pushtetit dhe Berisha do të zëvendësojë Nishanin. Por, nëse do të caktohet aplikimi i variantit të dytë, atëherë, Berisha do të jetë Kryeministër, Meta zv.kryeministër dhe pas dy vjetësh do të bëhet rokada kryeministrore, duke çuar Berishën në Presidencë. Kontaktet e shumta të Berishës dhe Metës, me krerët e partive Popullore Evropiane dhe sidomos komunikimi i fundit i Vilfried Martensit me liderët koalicionit qeveritar të vendit tonë ka konsoliduar shumë këtë skemë, e cila deri tani është konsideruar si më e përshtatshmja për bashkëpunimin dypalësh. Kjo zgjidhje i jep fund edhe ultimatumeve të Metës për të dalë nga koalicioni dhe për të shkuar drejt selisë rozë, ku Rama e pret me 40 përqindëshin e pushtetit, në dorë. Gjithashtu, në një farë periudhe nenet e Kushtetutës u konsideruan si barrierë për Berishën drejt kolltukut presidencial, por më vonë kjo u sqarua nga kostitucionalistët duke thënë se, Berisha ishte zgjedhur president, para miratimit të Kushtetutës dhe në këtë rast Kushtetuta nuk ka veprime, apo efekte prapavepruese.

Oferta selia Rozë dhe Reagimi i socialistëve

Selia rozë është krejtësisht në kontakt të plotë me lajmet që vijnë prej koalicionit qeverisës dhe për këtë arsye, krerët socialistë e kanë rritur shumë pazarin ndaj Metës. Megjithatë, deri tani, kupola e Ramës nuk ka pranuar të japë kostumin kryeministror për Metën, por ka rënë dakord të japë 40 për qind të vendeve të pushtetit qendror, duke përfshirë edhe kombinacionet mbështetëse për zgjedhjet parlamentare. Propozimi i fundit që qarkullon në kupolën rozë, ka të bëjë me përqindjen e lëshimit të pushtetit ndaj aleatëve të LSI-së, të cilët ende nuk kanë vendosur se në cilën pjesë të tryezës do të ulen: Majtas, apo djathtas? Sidoqoftë, oferta rozë e Ramës ndaj Metës e ka bërë kreun e LSI-së të rrisë pazarin ndaj Berishës dhe të kërkojë hapësira të sigurta në vendimmarrje, si edhe mbështetje të plotë nga PD-ja, në vendet që konsiderohen si bastione të forta, të LSI-së.  Pritja e Presidentit të Republikës për 100-vjetorin e Pavarësisë hapet me fjalimin e kryetarit të Partive Popullore Europiane, Vilfried Martens. Kjo ka qenë përshëndetja surprizë nga Pallati i Brigadave, ku një përfaqësues i partive të djathta, jo në rang Kryeministri nga shtetet e BE-së, flet në përvjetorin e 100 të shtetit shqiptar. Prania e Martens mund të shihet si një lëvizje politike e maxhorancës në prag të zgjedhjeve parlamentare të 2013-s. “Familja politike europiane, me anë të të cilit përfaqësoj sot PPE-në, është krenare që ka anëtare të saj edhe PD-në e Kryeministrit Sali Berisha”, -tha në fjalën e tij Martens. Kreu i PPE-së, ndërkohë, i ka “kujtuar” Kryeministrit Berisha, i pranishëm në këtë pritje, u zotua që të realizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme, luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit. Të gjitha këto u deklaruan publikisht, ndërsa për ekzistencën e skemës së re të pushtetit nuk u tha asgjë.

Skema gjermane PD-PS

Ndërkaq ekziston edhe skema gjermane për koalicionin qeverisës midis PS-së dhe PD-së. Kjo do të materializohet nëse kërkesat e tepruara të partive të vogla mund të rrezikojnë çuarjen e vendit në zgjedhje të reja. Dhe për të parandaluar çdo  rrezik prej të vegjëlve PD dhe PS do të materializojnë një koalicion historik me rëndësi kombëtare. Në këtë rast, njëra forcë politike do të marrë kryeministrin dhe tjera, do të përfitojë Presidentin. Ky variant është menduar, në rast se: Topi, Gjinushi, Spahiu, Mediu, Milo, Ndoka, Ngjela, etj., do të kërkojnë në koalicionet e tyre respektive, një peshë më specifike se sa përqindja e votave të tyre. Për këtë arsye duket se aktualisht janë shtruar në tavolinë të gjitha alternativat e mundshme, me përjashtim të zgjedhjeve të reja