Trafiku “shtetëror” i drogës

549
Trafiku “shtetëror” i drogës, prokuroria pret “kokën” e Tahirit, bashkëpunoi me trafikantët 
Prokuroria mësohet se ka pasur dijeni për veprimtarinë e ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri, por provat priteshin nga autoritetet italiane. 
Ish-ministri i brendshëm Saimir Tahiri, akuzohet nga prokuroria si njeriu që ka bashkëpunuar fort me trafikantët e drogës, i ka mbështetur ata në të gjitha format, ka vënë në shërbim të tyre policinë duke përfituar nga pozicioni. Ky skandal i përmasave të mëdha u zbulua vetëm pasi në duart e shtypit ra dosja voluminoze prej më shumë se 400 faqe e gjykatës së Palermos në Itali. Menjëherë pas këtij veprimi nisi edhe lëvizjet e saj Prokuroria Shqiptare. Dosja e Habilajve ishte e hapur prej vitit 2016. Por ajo ishte e paplotësuar. Priteshin informacione nga autoritetet Italiane, informacione këto që tronditën politikën në vendin tonë. Në këto kushte ditën e djeshme Prokuroria për Krimet e Rënda i ka kërkuar Kuvendit heqjen e imunitetit të deputetit Saimir Tahiri, me qëllim arrestimin e tij për dy akuza, trafik droge dhe korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë shtetërorë. Pritet autorizimi nga Kuvendi, pasi të jetë mbledhur më parë Këshilli i Mandateve, për t’i hapur rrugë veprimeve të mëtejshme të Prokurorisë. 
Në njoftimin zyrtar të organit të akuzës thuhet se aktualisht janë duke u kryer hetime për një grup kriminal që ka trafikuar sasi të mëdha kanabisi në drejtim të Italisë. Shkresa e Prokurorisë i referohet pikërisht materialeve të vëna në dispozicion nga drejtësia italiane për dosjen “Habilaj”. “Në bazë të të dhënave të përftuara në kuadër të këtij hetimi, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon nga Komisioni i Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë dhënien e autorizimit për “arrestimin, heqjen e lirisë dhe kontrollin personal e të banesës” për deputetin Saimir Tahiri”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë. 
Tahiri përmendet në bisedat e trafikantëve, mes tyre dhe Moisi Habilaj, i afërt me ish-ministrin e Brendshëm, se ka përfituar deri në 5 milionë euro në muaj nga trafiku i drogës Shqipëri-Itali. Habilaj u arrestua në Catania, Itali, së bashku e 7 trafikantë të tjerë italianë dhe shqiptarë, ndërsa në kërkim u shpallën 4 shqiptarë të tjerë. 
Kërkesa e plotë
Prokuroria për Krime të Rënda kërkon nga Kuvendi i Shqipërisë autorizimin për heqjen e imunitetit të deputetit Saimir Tahiri, në vijim të një hetimi të nisur për veprat penale të “Trafikut të narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal dhe “Korrupsionit pasiv të zyrtarë të lartë shtetërore dhe të zgjedhurve vendorë”, parashikuara nga nenet 283/a/2 dhe 260 të Kodit Penal.
Prokuroria për Krime të Rënda po zhvillon hetime, në bashkëpunim me autoritetet italiane, për një grup kriminal, i cili ka trafikuar sasi të mëdha lënde narkotike kanabis sativa nga Shqipëria në drejtim të Italisë. Në bazë të të dhënave të përftuara në kuadër të këtij hetimi, Prokuroria për Krime të Rënda kërkon nga Komisioni i Mandateve në Kuvendin e Shqipërisë dhënien e autorizimit për “arrestimin, heqjen e lirisë dhe kontrollin personal e të banesës” për deputetin Saimir Tahiri.
Bllokimi i pasaportës, SHISH vëzhgon Tahirin
Për shkak të hetimeve për dosjen e Habilajve ku rezulton i përmendur edhe vetë ish-ministri i Brendshëm në përgjimet e bëra nga drejtësia italiane, Saimir Tahirit i është bllokuar pasaporta. Bëhet me dije se pasaporta e Tahirit është bllokuar që ditën e mërkurë. Po ashtu partnerët ndërkombëtarë kanë kërkuar të mbahet nën vëzhgim nga agjentë të Shërbimit Informativ Shtetëror për të parandaluar ndonjë tentativë arratisjeje të ish-Ministrit të Brendshëm jashtë vendit.
———————–
Ish-Ministri i Brendshëm nën hetim, ja 4 udhëtimet drejt Italisë me makinën e shitur tek Habilaj
Procedimi penal ndaj Tahirit është regjistruar në datë 17 tetor, menjëherë pas arrestimit të Moisi Habilaj në Itali dhe publikimit të përgjimeve. Ndërkohë organi i hetimit thotë në materialin përmbledhës dërguar në kuvend se kishte nisur prej vitit 2016, hetimet ndaj grupit të organizuar dhe drejtuar nga Habilaj. Prokuroria njofton se janë tre procesime për të njëjtën çështjen dhe në këto kushte hetimet e tanishme, pra të dhënat e nxjerra nga dosja Habilaj në Itali dhe të dhëna të tjera kanë bashkuar me procedimin e nisur në vitin 2016 dhe që mban numrin 134. Pra për llogari të këtij procedimi rezulton të jetë shënuar emri i personit nën hetim Saimir Tahiri për akuzat e trafikut të lëndëve narkotike dhe për korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetëror. Në materialin e dërguar në Kuvendin e Shqipërisë dhe që më pas i është vënë në dispozicion edhe ish-ministrit Saimir Tahiri thuhet se prokuroria Italiane ka nisur hetimet për Mojsi Habilaj, si person që drejton një grup të strukturuar Kriminal. Sipas prokurorisë Italiane, hetimet kanë nisur pas kapjes së një sasie prej 3.5 tonë kanabis sativa që Habilaj i ka trafikuar drejt Italisë i ndihmuar dhe nga funksionarë të lartë të Republikës së Shqipërisë. Është arritur të vërtetohet se grupi i drejtuar nga Habilaj ka bashkëpunuar me zyrtarë të lartë të policisë së shtetit që në këtë rast është edhe ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Prokuroria thotë se Tahiri me anë të veprimeve të tij ka arritur të sigurojë paprekshmërinë e grup[irt kriminal, i cili ka bërë kultivimin, trafikimin e sasisë së lëndës narkotike drejt Italisë. Në dosje thuhet gjithashtu se Tahiri kishte vënë në dispozicion të grupit gjithë efektivat e policisë. Deri tani rezulton se nga drejtësia Italiane janë kapur rreth 3.5 tonë kanabis sativa të trafikuara nga grupi i strukturuar kriminal i Habilajve. Ndërsa në datë 18 tetor, pra dy ditë më parë u kapën në Babicë të Vlorës 3.978 tonë kanabis, e cila ishte bërë gati të trafikohej nga grupi i Habilajve. Prokuroria thotë gjithashtu në material se Habilaj gjatë përgjimit kanë nxjerrë të dhëna komprometuese dhe përfshirë në trafikun e drogës edhe personin nën hetim Saimir Tahiri. Gjatë bisedës së tyre, thotë akuza, ata pasqyrojnë me detaje shpërblimet që i japin Saimir Tahirit. Subjekti nën hetim Saimir Tahiri në datë 05.11.2013 ka realizuar shitjen e makinës së tij me targë AA003 GB, tek personi në hetim Artan Habilaj, vëllai i Moisi Habilaj. Më datë 16 gusht 2014, 30. 08. 2014, 29.08.2014, 08.08.2014, personi nën hetim Saimir Tahiri udhëton dhe përdor mjetin me targë AA003GB, në një kohë që nga akti rezulton të jetë shitur në tetor të vitit 2013. Në këto udhëtime drejt Italisë, Tahiri rezulton të ketë qenë i shoqëruar nga artan Habilaj, vëllai i Moisi Habilaj. Rezultojnë të gjitha të dhënat e përftuara nga sistemi TIMS, ku tregohen lëvizjet e Tahirit jashtë vendit. Prokuroria thotë se nga detajet e analizuara ka dyshime se ndodhemi para elementëve të figurave të veprave penale të “Trafikimi i narkotikëve” kryer në bashkëpunim, në formë të posaçme të grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 283/a/2 dhe 333/a të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë’’, parashikuar nga nenet 260 të Kodit Penal, dhe “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë’’, parashikuar nga nenet 245 i Kodit Penal, për të cilat është në hetim shtetasi Saimir Tahiri, deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, për nenet 283/a/2, 333/a dhe 260 të Kodit Penal. Më tej ajo thotë në materialin e referuar në Kuvendin e Shqipërisë se në këto kushte është e domosdoshme që në kuadër të ushtrimit të ndjekjes penale, dhe kur shihet e nevojshme që ndaj një deputeti duhet të caktohet masa e sigurimit të arrestit në burg, ose në shtëpi, heqja e lirisë në çfarëdo lloj forme, kontrolli personal ose i banesës, konform nenit 288 të Kodit të Procedurës Penale, prokurori kërkon autorizim nga Kuvendi.
Sigal