Trafiku i drogës, sekuestrohet 1.5 tonë në Velipojë, në rrjet edhe një punonjës policie

380
Sekuestrohet drogë në Velipojë dhe në pranga sërish bie një punonjës policie. Bëhet fjalë për një operacion të realizuar në Velipojë të Shkodrës, ku në një magazinë, pronë e një hoteli, u sekuestruan 1.5 ton kanabis sativa, e bërë gati për t’u nisur drejt Italisë. Drejtori i policisë së Shkodrës, sqaroi përpara medias të gjithë dinamikën e operacionit, të koduar “Viluni Beach”. “Rreth orës 02.45 minuta, pas mesnate, në vendin e quajtur Plazh Velipojë, konkretisht në oborrin e hotelit në pronësi të shtetasit P. V, rezident në Itali, në një automjet Furgon me targa AA 386 CE, në përdorim nga shtetasit, J. B, 20 vjeç, u gjet një sasi e madhe lëndë narkotike”, sqaroi kryepolici e Shkodrës. Po ashtu, kontrollet kanë vijuar edhe brenda hotelit, ku në katin e parë është konstatuar një sasi tjetër lënde narkotike e paketuar dhe e futur në 6 çanta shpine. Në përfundim rezultoi se pesha totale e drogës, kanabis sativa, ishte 1502 kg. Ndërkohë, në këto operacion u arrestuan edhe shtetasit e mëposhtëm: Sokol Ujka, 42 vjeç, banues në Velipojë Shkodër, Enriko Zyle, 42 vjeç, lindur në Shkodër banues në Tiranë, Punonjës Policie në DRKM Tiranë, Arbër Bozhanaj, 30 vjeç, banues në Orikum Vlorë, Genti Dano, 35 vjeç, banues në Selenicë Vlorë, Dervish Gjolekaj, 32 vjeç, banues në Dukat Vlorë. Ndërkohë vijon puna për kapjen e tre shtetasve të shpallur në kërkim: F.M, 32 vjeç, banues në Përmet, J. B, 20 vjeç, banues në Orikum Vlorë, GJ. N, 44 vjeç, banues në Lezhë. Sa i përket punonjësit të policisë, ka rezultuar se ai ishte i implikuar në trafikun e drogës. Në afërsi të hotelit ku u gjet droga, u konstatua edhe një mjet tip “Golf”, me targa AA 355 SL, që drejtohej nga shtetasi Enriko Zyle, punonjës policie në DRKM Tiranë, i cili në përpjekje për t’u larguar, nga shpejtësia ka humbur kontrollin e mjetit dhe për pasojë ka dalë jashtë rrugës. Nga hetimet paraprake të kryera rezulton se ky punonjës policie është i implikuar në këtë veprimtari kriminale. Në automjetin që drejtohej nga punonjësi i policisë, ka mundur të largohet shtetasi GJ. N, 44 vjeç, banues në Lezhë. Bëhet me dije se polici i arrestuar është vëllai i drejtorit të policisë së Kufirit në Shkodër. Ndërkohë që emri i policit u përmend edhe nga Partia Demokratike, si person me precedent të mëparshëm penal në Itali, ku kishte marrë edhe një dënim.
Sigal