Trafiku i drogës, “fronti opozitar” deklaratë të përbashkët: Të ikë Rama

521
Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim dalin me deklaratë të përbashkët pas përfundimit të tryezës së partive opozitare të thirrur nga Lulzim Basha, pjesë e së cilës u bë dhe Monika Kryemadhi. Në deklaratën e dalë mesditën e djeshme nga “fronti opozitar” kërkohet largimi i Edi Ramës si kreu i qeverisë. Në vijim kërkohet që të krijohet një qeveri antimafia, deri në zgjedhjet parakohshme. Më tej Edi Rama bëhet përgjegjës për lidhjet e krimit me shtetit. “Demokracia në Shqipëri ndodhet në një moment kritik dhe në një udhëkryq tepër të rrezikshëm pasi qeveria është bërë frymëzuese dhe mbështetëse kryesore e trafiqeve dhe veprimtarisë kriminale duke tronditur nga themelet sigurinë individuale të çdo qytetari dhe të shtetit në tërësi. Ky moment shumë i vështirë që po kalon vendi dhe qytetarët shqiptarë na imponon: Krijimin e një Fronti të Përbashkët Opozitar kundër krimit me të gjithë partitë politike, që kanë këtë vetëdije për rrezikun madhor, që po kalon vendi”, thuhet në deklaratë. Më tej shprehet bindja se drejtuesi dhe përgjegjësi kryesor i lidhjeve të krimit të narkotrafiqeve me kupolën e lartë të shtetit dhe përfaqësuesi kryesor i interesave të oligarkisë dhe të korrupsionit është Kryeministri Edi Rama. Fronti kërkon largimin e kryeministrit nga drejtimi i qeverisë si përgjegjës kryesor i lidhjeve të krimit me kupolën qeverisëse. Tryeza opozitare konkludoi se kriminalizimi i zgjedhjeve u provua me fakte. Pjesë e tryezës përveç Bashës dhe Kryemadhit, ishte Fatmir Mediu i Partisë Republikane, Vangjel Dule i PBDNJ, Agron Duka i PAA, Dashamir Shehu i LZHK, Nard Ndoka i PDK dhe Koço Kokëdhima i lëvizjes Zgjidhja. Qysh me nisjen e sesionit të ri parlamentar, kauzat e trajtuara nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim ishin thuajse të njëjtat, ku fokusi kryesor ishte lufta ndaj krimit.

Por kur ditën e djeshme nga përgjimet e autoriteteve italiane për dy të ndaluar për trafik droge përmendej emri i ish-ministrit Saimir Tahiri si i përfshirë, kryedemokrati Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi u afruan dhe më shumë. Ishte Basha ai që lajmëroi se këtë të mërkurë do të mblidhte një tryezë të gjithë spektrin opozitar.

Tryeza e partive opozitare, Rama: Asgjë e re nga fronti i vjetër, sot janë të gjithë në çadër
Kryeministri Edi Rama ka reaguar me anë të një statusi në Facebook ku ka ironizuar tryezën opozitare të mbledhur gjatë ditës së djeshme. Zhvillimet e fundit politike në vend, ku implikimi i emrit të ish-ministrit Saimir Tahiri nga Moisi Habilaj e Sabaudin Çelaj, dy trafikantët e drogës të arrestuar në Itali kanë nxitur sulmin frontal të partive opozitare në vend. Kështu pas takimit që kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi e shoqëruar nga Petrit Vasili zhvilloi urgjent me kreun e demokratëve Lulzim Basha mbrëmjen e së martës, ditën e djeshme partitë opozitare u mblodhën sërish në një tryezë. “Asgjë e re nga fronti i vjetër, përveç faktit që sot nuk janë më ca në çadër e ca me çadrën, po janë të gjithë brenda në çadër, me po ato maska që as skuqen as zverdhen kur i marrin shqiptarët për budallenj; me po atë paaftësi për të marrë përgjegjësi mbi vete, për katandisjen e institucionit të opozitës në një sharëtore publike; me po atë hipokrizi të skajshme të tërë këtyre viteve, si në pushtet e si në opozitë, ku vazhdojnë me po atë këngë të vjetër, të cilën e dëgjojnë vetëm shurdhët me veshët në rregull!”, -tha Rama. Rama thotë se nuk është ai që përcakton se kush është e vërteta e kush jo. “Sot, kur e tërë opozita me kuç e me maç, u zhyt si front në çorbën e dy kriminelëve të arrestuar në Itali, është dita të kujtojmë se në 20 vitet e fundit, ka pasur plot raste kur politikanë, deputetë e familjarë të tyre janë përfshirë në akuza publike. Disa herë akuzat kanë dalë të vërteta, disa herë jo. Por, ndryshe nga paraardhësi im, nuk mund të jem unë ai që përcakton fajin apo pafajësinë. Kjo është detyrë e sistemit të drejtësisë dhe është drejtësia që duhet të zbardhë deri në fund të vërtetën”, tha Rama.
Sigal