Trafiku i drogës dhe fati i politikës, ja çfarë thonë Klosi, Havari, Kikia, Zaimi

463
“Duhet të presim të flasin autoritetet ligjzbatuese. Nuk dimë se deri në çfarë pikë është përfshirë Tahiri dhe Rama. Qeveria duhet të vazhdojë punën e qetë”
Politika shqiptare është mbërthyer nga një skandal i përmasave jo të vogla. Prej katër ditësh, emri i Saimir Tahirit dhe i kryeministrit Edi Rama, janë kryefjalë e deklaratave për shtyp të kundërshtarëve. Kërkohet largimi i Ramës dhe arrestimi i Tahirit. Kërkohet nga opozita gjithashtu krijimi i një qeverie, e cila të garantojë drejtësi të paanshme. Flitet për përfshirjen e gjerë të qeverisë në aktivitetin kriminal të trafikut të drogës. Prokuroria e Krimeve të rënda ka dalë në një përfundim dhe kërkon imunitetin e Tahirit për t’i hapur rrugë hetimit. Në gjithë këtë situatë e cila e ka shndërruar vendin në betejë për drejtësi, ka mendime të ndryshme. Ish-kryetari i SHIK, Fatos Klosi pranon se qeveria është në pikën e saj më delikate dhe se përgjegjësia e politikës është tepër e madhe, por në të njëjtën kohë shprehet se, duhet të priten rezultatet e hetimit, pasi sipas tij nuk dihet se deri në çfarë pike është përfshirë Saimir Tahiri. Po kështu thotë edhe për Edi Ramën. Ndërkohë ish zyrtari i policisë së shtetit Mithat Havari deklaroi se qeveria nuk ka pse të tërhiqet, por ajo duhet të vazhdojë e qetë punë e saj, pasi ka marrë votat e mjaftueshme në zgjedhje. Gazetari Mentor Kikia shprehet se politika duhet të heqë dorë nga të bërtiturat dhe t’i lërë rrugë të lirë drejtësisë për të punuar dhe hetuar çështjen, të cilën ai e konsideron tepër të rëndë. 
Mendoni se qeveria ka rënë në këtë situatë?

Fatos Klosi, ish-shef i SHIK
Qeveria nuk mendoj se është gjunjëzuar. Kam bindjen se një sektor i saj mbase. Unë them se qeveria po kalon pozita të vështira. Policia po kështu është në një pozitë të vështirë. Në këto momente nuk mund të ngarkosh dot ministrin e ri. Gjithsesi mendoj se do të ishte e gabuar të hyja në gjëra konkrete. Unë jam duk e ndjekur situatën si një njeri i interesuar, por jo si profesionist. Politika është prekur shumë, se çështja është politizuar. Publikohet një dosje. Ajo duhet të ishte në duart e gjykatës së Palermos. Por ndodhet në duart e shefit të opozitës. Gjithsesi duhet t’ia lëmë organeve kompetente. Politika këtë punë ka. Ajo i vë damkat. Megjithatë të gjitha situatat e sotme janë rrjedhim i një historia 27 –vjeçare. 
Zoti Klosi, mazhoranca ishte katër vite në pushtet, i kishte të gjitha mundësitë për të vënë para drejtësisë ata që drejtonin shtetin para tyre, por nuk e kanë bërë. Pse? 
Është e drejtë. Unë them se ata e kanë shfrytëzuar situatën dhe ia kanë falur njëri-tjetrit. Gjithçka mund të ndodhë. Opozita është deri në fyt për vete. Megjithatë mbase kjo mazhorancë ka gabuar. Mbase është edhe kështu. Por unë nuk e di se deri ku është implikuar Saimir Tahiri dhe po kështu nuk e di se sa di Rama për këto implikime. 
Mithat Havari, ish-zyrtar i policisë
Kemi të bëjmë me një përgjim të Prokurorisë Italiane ku trafikantët implikojnë ish- ministrin e Brendshëm. Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar heqjen e mandatit të Tahirit e kjo s’do të thotë se arrestohet mund të ndiqet dhe i lirë . Ndërkohë ministri i ri i Brendshëm po kërkon një ristrukturim të Policisë së Shtetit , është normale. Qeveria vazhdon punë pa problem, ka fituar zgjedhjet dhe është në të drejtën e zotit ta bëjë këtë deri në 2021 .
Mentor Kikia: Gazetar 
Opozita nuk po e përmban euforinë e saj pas zbulimit të përgjimeve të trafikantëve të drogës që implikojnë Saimir Tahirin në këtë biznes kriminal. Po ashtu, ajo nuk po merr frymë së bërtituri e kërkuari prokurorisë që ta arrestojë Saimir Tahirin sa më shpejt. Pa humbur asnjë minutë, që tani, – siç tha Eduard Halimi. Është e drejta dhe detyra e opozitës të bëjë politikë dhe ky është një rast i artë për këtë gjë. Por nxitimi dhe presioni ndaj kuvendit dhe prokurorisë nuk bën asgjë tjetër veçse e komprometon hetimin e këtij rasti, që është më i rëndi në çerekshekullin postkomunist. Gjëja për të cilën ky rast nuk ka nevojë, është vetëm politizimi. Gjëja për të cilën ka nevojë sot publiku shqiptar është zbulimi i të vërtetës së ftohtë. Nuk bëhet fjalë për ryshfetin e një tenderi, korruptimi më masiv i zyrtarëve tanë, por për faktin e paprecedent, që një ministër i brendshëm dyshohet se ka drejtuar një kartel droge, në vend që ta luftonte. Nuk ka ndodhur kjo as në Kolumbinë e kohës së Eskobarit, kur selia e qeverisë gjendej në Bogota e vendimet merreshin në Medelin. Ndaj largohuni nga ekranet dhe lërini njerëzit që kanë marrë përsipër hetimin të bëjnë punën. Arsyetimi se Rama e Tahiri do të zhdukin provat gjatë natës së sotme nuk duket bindës. Provat, policia dhe prokuroria italiane ka 4 vjet që i mbledh dhe nuk i la për sonte. Nëse ka dyshime se Tahiri ka kasaforta apo thasë me para në shtëpi dhe mund ti nxjerrë gjatë natës, atëherë të mbahet shtëpia nën vëzhgim dhe kaq. Eshtë shumë e rëndësishme që ky proces të mos shndërrohet në politik. Nga asnjëra palë.
Pëllumb Zaimi, kolonel
Ende nuk ka prova të besueshme. Është herët akoma për të nxjerrë një provë bindëse. Opozita më shumë kakaris sesa sjell prova. Opozita është e sëmurë për pushtet jo për prova. Përgjimi nuk është provë. Përgjimi provon, por nuk është provë. Ka rregulla për konsiderimin e diçkaje si provë.
Sigal