Sigal

Pardje, në votimin e Ligjit për prishjen e Teatrit Kombëtar, u regjistrua si votë “pro” edhe deputeti i LSI-së Vangjel Tavo, në një kohë, që deputeti Tavo nuk ka qenë jo i pranishëm fizikisht fare në Shqipëri. Dikush nga deputetët e maxhorancës “u përkujdesua” që të votojë edhe për deputetin që mungon fizikisht në seancën plenare të Parlamentit. Është e dyta herë që maxhoranca socialiste trafikon votën në sallën e parlamentit. Ky është morali politik i maxhorancës socialiste, ndërkohë, që pretendon se e ka kryer reformën në drejtësi

Trafikimi i votës në parlament, sikurse edhe trafikimi i drogës dhe i Qenieve të Gjalla

Shqipëria është cilësuar si “Kolumbia” Evropiane, për shkak të trafikimit ndërkombëtar jo vetëm të hashashit, por edhe të kokainës nga Amerika Jugore drejt Evropës Qendrore. DASH, në raportin vjetor të 2018 theksoi se Shqipëria nuk ka asnjë standard të luftojë trafikimin e Qenieve Njerëzore. Tashëm Shqipëria është kampione edhe e trafikimit të votës, brenda në parlament. Në 21 dhjetor 2017, në momentin kur në seancën plenare të parlamentit maxhoranca votonte për kryeprokuroren e Përkohshme, Opozita protestonte brenda sallës, duke bllokuar foltoren e Parlamentit. Taulant Balla, kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së u fotografua, teksa ishte në ndenjëset bosh të deputetëve të opozitës dhe votonte me kartën e tyre elektronike, “Pro”, në vend të tyre. Ky trafikimi i hapur i votës, i drejtpërdrejtë edhe në sallën e Parlamentit shqiptar, nga kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla nuk u dënua fare nga parlamenti, por, përkundrazi, vota e trafikuar, u numërua…. Byroja Parlamentare nuk e dënoi këtë trafikim të votës. As Prokuroria nuk hapi padi penale ndaj deputetit Taulant Balla, për trafikim të votës…

Kur deputetët socialistë, që kanë maxhorancën në parlament trafikojnë kaq hapur votën, atëherë, mund ta konceptojmë më mirë, sa është trafikimi i vjedhjes (masive) të votave në zgjedhjet parlamentare dhe vendore, kur PS-ja ka shumicën e anëtarëve në gjithë piramidën e Administratës Zgjedhore. Theksojmë se të gjitha organizmat ndërkombëtarë mbikëqyrës të zgjedhjeve në Shqipëri, edhe në zgjedhjet e 2015- edhe në zgjedhjet parlamentare të 2017-s shkruan raste, ngjarje të vjedhjeve masive të votave, të manipulimit të votës nga anëtarë të komisioneve të numërimit, të presioneve dhe shantazheve që u bënë ndaj elektoratit, etj, dhe asnjëherë policia e shtetit, prokuroria nuk vunë përpara ligjit shkelësit, dhunuesit dhe trafikantët e votave, sepse, sikurse edhe deputeti që trafikon votat brenda sallës së Kuvendit, kanë mbrojtjen ligjore nga vetë pushteti ekzekutiv, të cilit i shërbejnë me votat e trafikuara.

 

Reflektimi i Opozitës, pas kritikave të gazetës “Telegraf”

Opozita, sidomos deputetët e PD-së, kishin strategji politike, që në komisionet parlamentare dhe në seancat parlamentare herë të mungonin, në shenjë proteste, por edhe ato herë që merrnin pjesë, nuk lejonin debatet, diskutimet e projektligjeve, por protestonin fuqishëm për kauzat politike të ditës, deri sa ndërprisnin fare punimet e komisioneve parlamentare, dhe bllokonin edhe foltoren e sallës së Parlamentit. Në kësi rastesh, maxhoranca, duke përfituar edhe nga mjegulla politike e opozitës, kalonte në heshtje, pa asnjë debat të gjitha projektligjet që ajo dëshironte, sa opozita nuk dinte fare çfarë ligjesh miratohen. Opozita e kuptoi faullin politik. Këtë javë, mori pjesë rregullisht, edhe ne debatet dhe diskutime në komisionet parlamentare, por edhe me debate dhe diskutime në seancën plenare. Burime konfidenciale për gazetën “Telegraf” bëjnë me dije se Berisha dhe Kryemadhi kanë vendosur kartonin e kuq në këtë strategji opozitare dhe mendohet që opozita ta bojkotojë për 6 muaj këtë parlament, ku trafikohet vota pa u ndëshkuar kurrë. Me bojkot, opozita duhet të japë mesazhin, që këtij parlamenti të trafikimit të votës, të dhunimit të vullnetit të popullit me vjedhjen e shitblerjen votave në 2017-n , i është skaduar edhe votëbesimi, prandaj zgjidhja e vetme janë zgjedhja e parakohshme. Viti 2019 është vendimtar për Shqipërinë për hapjen e negociatave dhe Evropa nuk mund të pranojë Shqipërinë me një parlament monist, pa opozitën. Edhe disa deputetë të maxhorancës, sipas burimeve konfidenciale, mund të dorëhiqen, për të ruajtur kokën e tyre, përballë lobimit të fuqishëm të Soros në Shqipëri, për të mbajtur peng politikën.

Flasin për “Telegraf”

Dashamir Shehi, deputet: Opozita të afrojë një platformë të madhe shtet-formuese

Opozita duhet të vazhdojë betejën për denoncimin e krimit, korrupsionit të kësaj qeverie dhe në vjeshtë, opozita paralele me këtë, duhet të japë një platformë alternative. Opozita të afrojë një platformë të madhe shtet-formuese shqiptarëve. Një platformë të madhe ekonomike, ku shqiptarëve t’u rritet shpresa për të qëndruar në Shqipëri të thyhet ky grup prej 10 oligarkësh dhe protestë të pandalur, deri në rrëzimin e Ramës si kryeministër

Arian Starova: Opozita është në gjendjen më të dobët që ka përjetuar ndonjëherë në këta rreth 25 vjet

Më vjen keq të them se opozita është në gjendjen më të dobët që ka përjetuar ndonjëherë në këta rreth 25 vjet. Tipare të politikë-bërjes së saj janë, pavendosmëria, mbështetja mbi të pavërtetat, mungesa e largpamësisë, ose vizionit, politikë-bërja sipas interesave të grupeve të veçantë dhe larg interesave të masës së gjerë të votuesve tradicionalë të qendrës së djathtë, mungesa e vijimësisë logjike të veprimeve të saj, mungesa e orientimit në marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë, etj. Kështu siç është, ajo nuk mund të bëjë asgjë

Jakup B. GJOÇA