Trafikantët dhe kushërinjtë pushtojnë administratën

58

Njerëzit e Berishës që shërbyen si “kolonë e Pestë” për rrëzimin e PD-së, po shpërblehen me poste drejtorësh

Emërimet  e nëpunësve të lartë janë pritur me interesim nga publiku i gjerë duke shpresuar te administrata e re, me refleksin e njeriut që kërkon shpëtim, për të mos përsëritur gabimet e kaluara. Por gjatë këtyre ditëve, qytetarët kanë zbuluar brenda këtyre listave të emërimeve edhe zhgënjimin, për ngritjen në poste të larta të njerëzve të paaftë, të njerëzve të korruptuar, apo të trafikantëve të ndryshëm, duke përfshirë këtu edhe disa prej atyre që janë dënuar me burg. Në disa raste, emërimet skandaloze dhe jashtë kritereve të përcaktuara, kanë habitur edhe vetë përkrahësit rozë, sepse këto emërime  kanë nëpërkëmbur ligjin dhe parametrat kryesorë të statusit të nëpunësit civil. Çdo profesion ka karrierën e vet dhe gradën e vet, që kërkon eksperiencën dhe përgatitjen përkatëse. Nëse karriera dhe grada respektohen, ato duan kohën e tyre të profesionalizimit dhe përsosjes. Kjo dihet prej të gjithëve, përveç atyre që kanë  urdhëruar këto emërime. Të gjithë e dimë, se gjatë kohës kur merret grada maksimale në profesionet civile, të ndryshme për nëpunësit, si në: administratë, ekonomi, diplomaci, ushtri, polici, art, kulturë, sport, etj., supozohet që vetë personi ka krijuar edhe përvojën e domosdoshme  dhe vitet e mjaftueshme te punës. Pra, ka krijuar figurën e tij, që përmbushet pastaj edhe me kërkesat e figurës morale, apo me korrektësinë e tij. Por vallë, si janë bërë emërimet këtë radhë dhe a ka kritere në përzgjedhjen e disa të emëruarve? Duke mos folur në përgjithësi, si edhe duke përmendur postulatin se, “historia pa data dhe emra, është përrallë”, po ju themi se sipas investigimeve të “Telegraf”-it, e vërtetat rezulton me probleme. Të gjithë kemi dëgjuar këto ditë që shumë drejtuesve të emëruar, nuk u ka thënë askush, “puna e mbarë”. Dhe emërimi i tyre në poste qendrore përbën pa asnjë rezervë një turp. Gjithashtu, në Qarkun e Vlorës, që mbulon njëkohësisht edhe Sarandën, është emëruar në një post drejtori, një person që është  dënuar për trafik droge. Dhe pas disa viteve burg, në Greqi, mesa duket me lekët e grumbulluara, ka siguruar një post të rëndësishëm, duke mundësuar edhe heqjen e “njollës” nga partia.  Por puna nuk mbaron këtu. Kështu në Qarkun e Elbasanit që mbulon  edhe Peqinin, një i afërm, në deputetin demokrat të qarku dhe njëkohësisht kryetar i komisionit zonal, zgjedhor, (në zgjedhjet e fundit) emërohet drejtor. Këto burime thonë se personi ka shitur votat, në këmbim të një posti, duke luajtur me të dyja krahët. Pra, të dalë ku të dalë. Dhe kjo vetëm për të gllabëruar në fund, postin e drejtorit. Por edhe kjo përbën një turp. Sepse makina e reformave të PS-së do të punojë tani e tutje edhe me “pjesët e këmbimit” të PD-së. Por përsëri puna nuk mbaron me kaq. Sepse në Tiranë, njerëz të dënuar për trafiqe armësh, janë emëruar si drejtorë. Ndërsa disa të dënuar të tjerë, nga ana e KLSH-së, abuzimin e miliona eurove, në kohën e PD-së  kanë kapur përsëri poste të larta  shtetërore. Lind pyetja: “si kanë arritur këta drejtorë të manipulojnë, biografinë profesionale dhe shkeljet ligjore duke i mbijetuar verifikimit të dy koalicioneve? Dhe përgjigja është e thjeshtë dhe e dhimbshme: Mbijetesa e tyre është garantuar me urdhër nga lart”. Por ka edhe më akoma: Sepse njerëz jashtë kritereve dhe madje, të niveleve ordinere kanë kapur poste të larta, duke diskredituar kështu imazhin e vërtetë të shtetit që rezulton i kapur, që në metrat e para të udhës së gjatë.

Nepotizmi

Nepotizmi është si lagështira e mureve të brendshme që rrëzon nga brenda ngrehinën shtetërore. Kështu, disa të afërm të ministrave dhe drejtuesve të lartë të shtetit, kanë zaptuar postet më të rëndësishme të administratës. Kjo tregon qartë, se kriteri bazë është miqësia dhe të qënurit mik i miqve të të mëdhenjve. Një pjesë e njerëzve të implikuar në qeverisjen e mëparshme, të cilët kanë punuar nën rrogoz, për të rrëzuar atë qeveri, janë  ringjitur edhe më fuqishëm në poste  të larta. Të gjithë këta kanë emra, të cilët do bëhen publikë shumë shpejt. Sepse, vetëm strucët dhe këta lloj drejtorësh mbulojnë fytyrën, duke kujtuar se të tjerët nuk i shohin. Ndërsa të tjerët shohin gjithçka dhe dinë gjithçka. Pra, trafikantët dhe shkelësit e ligjit, po rikthehen, ose po rivendosen me një shpejtësi magjike. Duke u kamufluar poshtë mantelit të falsifikuar. Por ka edhe një hollësi të vogël, sepse njeriu i cili ishte caktuar si përgjegjës, apo koordinator, i partive të vogla, në kontaktet me PS-në, pra zoti Ndoi ka kapur postin e drejtorit të Arkivit. Një vend, i cili i shkonte për shtat, një dijetari të tillë si fjala vjen, zotit Moikom Zeqo. Por ç’t’i bësh, kështu e solli fati!

Drejtori i ri, Gjeto Ndoi, një “Gines” i ri në historinë e Arkivës së Shtetit

Pas emërimit të Gjeto Ndoit, në postin e ri të Drejtorit të Arkivës së Shtetit, ka ardhur një reagim i menjëhershëm, nga intelektualët shqiptarë dhe sidomos nga bota akademike. Ata kanë vënë duart në kokë, përpara këtij emërimi të drejtorit të ri, i cili do të konsiderohet si rekordi “Gines” i spekulimit politik, para universit intelektual. Deri tani në histori ka pasur drejtorë doganash pa shkollë, ose edhe drejtorë të tjerë të shërbimeve publike, por nuk ka ndodhur kurrsesi që të ketë pasur drejtorë të Arkivit të Shtetit, nga radhët anonime. Por ngjarja tanimë është bërë realitet dhe ky është një rast më shumë për t’u tallur me emërimet e fundit të qeverisë. Ky institucion, ku kanë punuar figurat e shquara dhe të ndritura të mençurisë shqiptare, nuk e meriton kurrsesi një politikan anonim. Prof. Nevila Nika, Drejtorja, e cila është detyruar t’i lërë vendin para pak ditësh një anonimi dhe që s’ka lidhje më këto figura në këto 70 vitet e fundit  dhe për më tepër është turpi i kësaj maxhorance. Gjatë kohës që e Majta ishte në opozitë deklaroi se do zhvillonte konkurse, por tani ka harruar. Një konkurs të tillë kërkoi PS-ja, kur ishte në opozitë, për Avokatin e Popullit. Por tani, e Majta, pasi ka ardhur në pushtet na solli si produkt në institucione, modele të tipit, Gjeto Ndoi

Disa nga drejtorët në vite

– Veli Dedi, që në vitet e para të pas çlirimit, Ai është “Hero i Popullit” dhe Luftëtar i Spanjës

– Spiro Rusha, ish-Ambasador, figurë e shquar ose për kujtesë, gjyshi i Tedi Papavramit

– Në vitet 1970, Skënder Hajro, njeri shumë i ditur për historinë shqiptare

– Prof. Thoma Murzaku, profesor i madh rreth viteve 1980

– Prof. Gazmend Shpuza  një personalitet i shquar

– Dr. Zamir Shtylla,  rreth viteve  1988

– Prof. Shaban Sinani, një nga ikonat e historisë të vendit tonë

-Prof. Nevila Nika një studiuese e shquar