Tradhtarët nuk ngjiten dot në piedestalet e heronjve

420
Sigal

Nesër Këshilli Bashkiak i Tiranës vendos për heqjen e emrit të sheshit “Avni Rustemi” në kryeqytet

Në emër të rishikimit dhe rivlerësimit të historisë, po ndodh pikërisht ajo që nuk duhej të ndodhte: Përmbysja e historisë! Ajo që ndodhi dje me rivarrimin e eshtrave të Ahmet Zogut, pikërisht në ditën e Çlirimit të Tiranës, ishte një sfidë e hapur që i bëhej historisë dhe të vërtetës së madhe mbi Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare. Ndërkaq nesër do të kemi një përplasje tjetër të madhe, që sërish lidhet me emrin e ish-mbretit: Do të diskutohet në Këshillin Bashkiak të Kryeqytetit heqja e emrit të sheshit “Avni Rustemi”, për pasojë edhe të bustit të tij që ka qëndruar për dekada me radhë në mes të atij sheshi. Pse ndodh kjo? Arsyetimi mund të jetë i thjeshtë: Meqë në një shesh tjetër në Tiranë do të ngrihet përmendorja e Ahmet Zogut, duhet me doemos të hiqet Avni Rustemi. Sepse, nuk mund të qëndrojnë këta të së bashku në një qytet. Ose njëri ose tjetri… Ose vrasësi, ose heroi. Sepse për Avni Rustemin perceptimi popullor është rrënjosur prej më shumë se 80 vjetësh se kemi të bëjmë me një hero që shkoi deri në Paris dhe vrau një tradhtar të deklaruar si Esat Toptani. Për Zogun perceptimi është se ai mban mbi vete tradhtinë kombëtare, pasi i është vërtetuar arratisja nga vendi në ditën e pushtimit fashist, vrasja e patriotëve si Bajram Curri, Luigj Gurakuqi, Hasan Prishtina, Avni Rustemi e deri tek Riza Cerova e të tjerë. Do të jenë nesër para provës së madhe të historisë këshilltarët demokratë dhe ata socialistë për faktin se cilin krah do të zgjedhin të mbajnë. Një provë e vërtetë është edhe për këshilltarët e LSI-së, përderisa kjo forcë politike, pavarësisht se është në koalicionin aktual qeverisës, është deklaruar se do të mbrojë Luftën Antifashiste, heronjtë dhe dëshmorët e rënë për liri. Mirëpo ne kemi faktin e pakontestueshëm se kjo përmbysje e historisë nuk po ndodh vetëm tani kur edhe pak ditë na ndajnë nga 28 Nëntori i madh i 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Ofensiva antihistorike ka kohë që ka nisur. U hoq nga qendra e Shkodrës Monumenti i 5 heronjve të Vigut dhe përfundoi në periferi të qytetit, aty ku hidhen plehrat. Gjesti ishte kuptimplotë. Më tej, u sulmua Qemal Stafa. Çfarë nuk po bëhet që emri i tij të mos figurojë asgjëkund. Iu hoq emri Qemalit nga bulevardi kryesor i Elbasanit dhe po kërkohet t’i hiqet edhe nga stadiumi në Tiranë. Disa muaj më parë iu hoq emri rrugës “Dëshmorët e 4 shkurtit” dhe në vend të tij u vu emri i Ibrahim Rugovës, një pinjolli të Xhaferr Devës, autorit të masakrës së 4 shkurtit 1944. Pak më vonë u hoq në Tiranë emri i rrugës “Pashko Vasa”, autorit të shprehjes lapidare “Feja e shqiptarit është Shqiptaria”. E kështu me radhë… Historia po kthehet përmbys. Nga piedestalet po zbriten heronjtë, për t’u ngjitur tradhtarët. Edhe më i shëmtuar bëhet ky akt në këtë vit të madh të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë Kombëtare.