Totozani-Toubon: Mbështetje e projekteve të ndryshme në kuadër e frankofonisë

445
Sigal

Avokati i Popullit z.Igli Totozani, gjatë një vizite pune në Francë ka pasur një takim të veçantë me homologun e tij francez z. Jacques Toubon. Gjatë këtij takimi u diskutua dhe u shkëmbyen mendime dhe eksperienca mbi marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy institucioneve, si dhe sfidat me të cilat përballen. Takimi me homologun francez kishte një qëllim të dyfishtë, pasi z. Totozani kryeson Organizatën e Ombudsmanëve të Mesdheut (Association of Mediterranean Ombudsmen), ndersa z. Toubon është Sekretar i Përgjithshëm i kësaj Organizate. Pjesë e vizitës së Avokatit të Popullit ishte edhe një takim me përfaqësues të Organizatës Botërore të Frankofonisë (Organisation Internationale de la Francophonie). Gjatë këtij takimi u shkëmbyen ide rreth rolit dhe kontributit të Avokatit të Popullit në respektimin e të drejtave të njeriut në Shqipëri, si një aktor kyç në shtetin e së drejtës. Po kështu u diskutua mbi mundësinë e mbështetjes së projekteve të ndryshme në kuadër e frankofonisë. Gjithashtu, Avokati i Popullit u prit edhe nga përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme Franceze, ku u diskutua gjendja e lirive dhe të drejtave të njeriut në Shqipëri, si dhe mbi shtetin e së drejtës. Në të gjitha takimet u dhanë vlerësime pozitive mbi punën e deritanishme të institucionit të Avokatit te Popullit, si dhe u premtua mbështetje për aktivitetin e institucionit në mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të njeriut në Shqipëri. Gjithashtu u theksua në mënyrë të veçantë rëndësia dhe roli i institucioneve të pavarura si elementë të shtetit të së drejtës.