Toska: Bashkia e re e Cërrikut, prioritet punësimin e grave dhe vajzave

54
Kandidati i majtë për Bashkinë e Cërrikut, z. Altin Toska i shoqëruar nga Kryetarja e Lëvizjes së Gruas për Integrim, znj. Mesila Xhelili, si dhe personalitete të së majtës, ka zhvilluar një bashkëbisedim me vajzat dhe gratë e këtij qyteti. Në fjalën e tij, z. Toska shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjen që këto gra në të gjithë bashkinë e re po i japin atij si kandidat gjatë këtyre ditëve. Toska garantoi se ai do të jetë një mbështetje për ato, duke i qëndruar më pranë problemeve të tyre.
Kandidati i ASHE-së u shpreh se Bashkia e re do të ndjekë politika të qarta të cilat do të synojnë gjenerimin vendeve të reja të punës dhe veçanërisht për rritjen e punësimit për gratë dhe vajzat. Duke vlerësuar nismën për forcimin e rolit të gruas në vendimmarrje dhe përfaqësimin e saj me 50 % në Këshillin Bashkiak, z. Toska premtoi për një vëmendje më të madhe ndaj problematikave dhe për zgjidhjen e tyre. 
“Gratë do të marrin atë që meritojnë,sepse ato janë heroina. Do të dëgjohet zëri i tyre, do të merren vendime në interes të tyre dhe do të më kenë mbështetje për çdo problem. Bashkia e re e Cërrikut do të ketë shumë projekte dhe plane konkrete, dhe padyshim do të jetë një prioritet punësimi i grave dhe vajzave”, theksoi z. Toska. 
Ndërkohë, në vijim të takimeve elektorale, kandidati i ASHE-së, i shoqëruar nga drejtori i Drejtorisë së Bordit të Kullimit, z. Astrit Xhelili, si dhe personalitete të së majtës, zhvilluan një takim me banorët e fshatit Shtëpanjë, në komunën e Gostimës. Z.Toska inspektoi nga afër kanalin vaditës të Banjës, i lënë në harresë prej vitesh. Gjatë bashkëbisedimit, kandidati i ASHE-së u premtoi banorëve të kësaj zone, se do të ndërhyjë urgjentisht për restaurimin e këtij kanali vaditës, madje dhe para zgjedhjeve të 21 qershorit.