Topalli paralajmëron Bashën: Do provosh zemërimin e demokratëve, nëse nuk liron partinë

462
Partia Demokratike ka hyrë në një cikël të ri. Humbja në zgjedhje ka krijuar një lëvizje të brendshme. Kërkohet largimi i Lulzim Bashës dhe futja në një garë të drejtë për kreun e ri 
Jozefina Topalli, një nga zërat më kritikë ndaj Lulzim Bashës brenda Partisë Demokratike, sidomos pas humbjes në zgjedhje, në një dalje për mediat rreth mesditës së djeshme ka paralajmëruar kryetarin Basha për atë se çfarë e pret, nëse nuk zbaton statutin e Partisë. “Nuk pranon barazi në garë. Nuk pranon rregulla të barabarta, nuk pranon konkurrentë idesh e personalitetesh. Nuk pranon debat. Basha tmerrohet nga forumi, se tmerrohet nga e vërteta. Ne kërkojmë një garë të barabartë, rregulla të ndershme, proces të hapur, konkurrencë të vërtetë, ballafaqim e debat. Këto janë kushte të panegociushme. I bëj thirrje Bashës të çlirojë pengmarrjen e partisë para se të provojë zemërimin e demokratëve. U bëj thirrje demokratëve të bëhemi bashkë të mbrohemi nga pengmarrësit. I them që është koha të mbrojmë të drejtën tonë për të mbrojtur demokracinë dhe vlerat demokratike që na lidhin prej dekadash,” tha Topalli në konferencë. Konferenca e saj pritej me interes të madh pas situatës së krijuar në PD, që pasi kryetari Basha hapi garën për kryesimin e partisë. Kujtojmë këtu se pas humbjes së thellë të PD-së, Topalli shpërtheu me një status kundër Lulzim Bashës, duke bërë thirrje për protesta deri në largimin e tij nga kreu i PD-së. Ajo e akuzon Bashën se po e çon PD-në në greminë.

Në një kohë tej kritike për PD, pas rezultatit dramatik të zgjedhjeve, ku munguan 200 000 vota çdo gjë që po pason po shkon në drejtim të kundërt të bashkimit dhe shpresës aq jetike në një moment si ky. “Lulzim Basha ka urdhëruar nisjen e një procedure antistatutore për t’i imponuar Partisë Demokratike një garë të rreme për drejtimin e ri. Duke e bërë procesin zgjedhor në Parti antistatutor, të nxituar, jo serioz dhe të papërgjegjshëm. Zoti Basha po kërkon jo thjesht të mbajë peng partinë dhe të grabisë një mandat të ri drejtues, por së pari po kërkon që t’i shmanget dhënies llogari dhe marrjes përsipër të përgjegjësisë për humbjen katastrofale në zgjedhjet parlamentare”, tha Topalli në fjalën e saj. Më pas ajo e akuzoi Bashën duke thënë se ai shpreson që përmes garës së tij të rreme mund të shndërrohet nga humbës në “fitimtar”. “Disa qindra mijë vota që Basha ia hoqi Partisë Demokratike nuk i asgjëson dot me një proces të manipuluar zgjedhor brenda partisë. Demokratët nuk ia falin kurrë edhe sikur të manipulojë 100 për qind të rezultatit të garës. Zoti Basha është katastrofa e PD-së. Falë strategjisë së gabuar dhe taktikave elektorale të ngritura mbi glorifikimin e personalitetit të tij të rremë, ai rrëzoi në gjunjë Partinë Demokratike dhe i dha ndihmën më të madhe zotit Rama, bashkudhëtarit dhe mikut të orëve të vona të kësaj verë, për fitoren e tij dërrmuese. Rama i kërkoj marrëveshje që të bëhej timonier, Basha e desh aq shumë sa e bëri “kondotier”. Ringritja e PD-së dhe revanshi i saj politik fillon vetëm me largimin e zotit Basha. Demokratët e dinë shumë mirë këtë, prandaj zoti Basha kërkon me çdo kusht të manipulojë procesin duke shkelur brutalisht statutin e Partisë”, tha ajo. Ish-kryetarja e Kuvendit ishte tepër e ashpër në fjalën e saj kundër Bashës. “Unë u bëj thirrje të gjithë demokratëve të bëhemi bashkë, të mbrojmë partinë nga pengmarrja, të refuzojmë grabitësit. Ky është obligim i të gjithëve funksionarë e militantë, anëtarë forumesh e drejtues, përfaqësues degësh dhe koordinatorë. Është koha të ngrihemi, të mbrojmë statutin dhe të drejtën tonë për të zgjedhur drejtuesit. Është koha të mbrojmë demokracinë dhe vlerat demokratike që na lidhin tash tre dekada”, përfundoi fjalën e saj Topalli.
Sigal