Topalli merr atributet e Presidentit dhe dekoron kundërshtarët e Ramës

532
Sigal

Kryeparlamentarja Jozefina Topalli nderon 7 ish-kryeministrat e qeverisë shqiptare

Çudirat në këtë vend nuk kanë të sosur. Një nga çuditë në këtë prag 100-vjetori mban emrin e kryetares aktuale të Kuvendit Jozefina Topalli, e cila nderon, dekoron e shpërndan certifikata mirënjohjeje për personalitete të kulturës, historisë dhe politikës. Është e drejta e saj të nderojë këto personalitete, mirëpo njerëzit pyesin: Është kjo presidente e vendit apo Nishani? Sepse ky është një moment solemn dhe me këtë rast jep më shumë dekorata Topalli se Nishani. Gjest më paradoksal nuk mund të gjesh. Ndaj dhe me të drejtë disa personalitete të kulturës dhe të politikës, sikurse e kanë parë të gjithë, i kanë bojkotuar këto veprimtari dhe nuk kanë denjuar të marrin dekoratat e zonjës Topalli. Nuk e dimë se si ka vepruar Kryetarja e Kuvendit në përzgjedhjen e emrave që deshi të nderojë, kush e këshilloi për këtë akt, por gjithçka vihet në dyshim kur lexon listat e të dekoruarve. Për shembull, zonja Topalli dekoroi shkrimtarin Ernest Koliqi, një shkrimtar i shquar, por njëherësh dhe një bashkëpunëtor të deklaruar të fashizmit. Ndërkaq “harron” Migjenin e madhërishëm, atë që I ndryshoi tërësisht rrjedhën dhe emancipoi poezinë shqipe si askush tjetër. Të jetë e rastësishme kjo harresë e zonjës Topalli? Më tej. Dje Kryetarja e Kuvendit dekoroi 7 ish-Kryeministra. Tre nga ata e bojkotuan, Aleksandër Meksi, Bashkim Fino dhe Pandeli Majko. Kush vajti dhe pranoi me mirënjohje dekoratën e Topallit? Po përmend vetëm tre: Fatos Nano, Ilir Meta dhe Ylli Bufi. Të tre të deklaruar si kundërshtarë të Edi Ramës, shefit të opozitës që pretendon të jetë kryeministër vitin e ardhshëm. A ka ngjyresa politike ky akt? Opinioni sheh dhe gjykon. Disa e konsideruan këtë si një akt provokativ nga ana e zonjës Kryetare të Kuvendit ndaj opozitës. Mos qoftë e thënë të jetë nisur me këtë paramendim zonja Topalli. Ne pamë dje se sat ë mallëngjyer ishin disa nga të dekoruarit. Si mund ta refozonte, fjala vjen, Ilir Meta dekoratën e Topallit, kur disa vjet më parë hipi mbi tavolinat e Kuvendit dhe iu turr Topallit ta hante të gjallë? Në shenjë mirënjohjeje, Topalli e dekoron? Nuk po komentojmë dekoratën për Nanon, i cili duket se mezi pret ta ftojë dikush që të duket nëpër ekrane. Sidoqoftë, nga dita e djeshme, ai do të vendosë në një vend të dukshëm në shtëpinë e tij dekoratën me firmën e zonjës Topalli, krahas titullit “Honoris Causa” që morri nga një universitet privat. Me siguri, do të ndihet krenar për këtë dekoratë…

NDEROHEN 7 ISH-KRYEMINISTRA, BOJKOTOJNË MEKSI, MAJKO, FINO

Me rastin e 100-vjetorit të Pavarësisë, Kuvendi i Shqipërisë organizoi pasditen e djeshme një ceremoni festive për të nderuar 11 personalitete të rëndësishme të politikës shqiptare dhe asaj të Kosovës. Kryeparlamentarja Jozefina Topalli vendosi të mbledhë për herë të parë në Kuvendin e Shqipërisë, shtatë ish-kryeministrat e qeverisë shqiptare, që nga viti 1991 deri në vitin 2005, duke filluar nga Ylli Bufi, Vilson Ahmetaj, Bashkim Fino, Pandeli Majko, Ilir Meta, Fatos Nano dhe ish-Kryeministrin demokrat Aleksandër Meksi.

Por, gjatë ceremonisë është vënë re mungesa e Pandeli Majkos, Aleksandër Meksit dhe Bashkim Finos, të cilët kanë bojkotuar aktivitetin e mbajtur në nder të tyre. Topalli nderoi dje edhe familjen e ish-Presidentit të parë të Kosovës, Ibrahim Rugova dhe familjen e komandantit legjendar të UÇK- së, Adem Jashari. Po ashtu kryetarja e Kuvendit i dorëzoi botimin special të akteve të themelimit të shtetit shqiptar edhe familjes së ish-deputetit të vrarë të Partisë Demokratike, Azem Hajdari, gjithashtu dhe familjes së Pjetër Arbnorit, si kryetar i parë i Parlamentit pluralist shqiptar.